Fuqia tërheqëse e Fjalës

Jan 22 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë  Neh 8, 2-4.5-6.8-10

 Lexim prej Librit të Nehemisë

 Në ato ditë, prifti Ezra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë. Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lexonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit. Shkrimtari Ezra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtën e tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtën ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami. Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart u përgjigj: “Amen, amen!” Dhe librin e Ligjit të Hyjit e lexonin pjesë-pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej.  Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe shkrimtari Ezra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit. Atëherë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepnu pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.”                    

Fjala e Zotit

 

Psalmi 19

Ref.  Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë.

——————————————————-

I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

————————————————

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë,

dritë u jep syve.

————————————————

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha njënjë të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,

————————————————–

Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,

edhe mendimi i zemrës sime para teje,

o Zot, ndihmësi im e Shëlbuesi im!

—————————————————

 

Leximi dytë 1 Kor 12, 12-31.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.  E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh.  Po bëri e tha këmba: “Pasi nuk jam dorë, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po bëri e tha veshi: “Pasi nuk jam sy, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po të ishte krejt trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte krejt vesh, ku do të ishte shqisja e të nuhaturit? Porse Hyji kështu i ka caktuar gjymtyrët, secilin në trup sikurse ka dashur. Po të ishin të gjitha një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Kështu pra, shumë gjymtyrë, por vetëm një trup. Syri nuk mund t’i thotë dorës: “S’kam nevojë për ty”, ose kryet këmbëve: “S’kam nevojë për ju!” Madje, ato gjymtyrë të trupit që duket se janë më të ligshta, janë më të nevojshme, dhe ato që ne i mbajmë për më pak bujare, pikërisht atyre u bëjmë më shumë nderim. Dhe, sa më të marrshme janë, aq më njerëzishëm sillemi me to, e të njerëzishmet nuk e kanë këtë nevojë. Por Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët barazi të kujdesen njëra për tjetrën. Dhe, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. 

Tashti, ju jeni trupi i Krishtit, dhe secili prej jush gjymtyrë e tija. Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndryshme. A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë? Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet!

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Zoti më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve

Ungjillin e t’u shpall robërve çlirimin.

Aleluja!    

 

+ Ungjilli Lk 1, 1-4; 4, 14-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë, ashtu siç na i lanë ata që i panë me sy të vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës, e mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more. Atëherë Jezusi, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, u kthye në Galile, dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. Mësonte nëpër sinagogat e tyre, i nderuar prej të gjithëve.  Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur, dhe, sipas dokes së vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit.’  E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.” 

Fjala e Zotit

 

POROSIA

I dashuri besimtar, liturgjia e leximeve të sotme na thërret të mendojmë për fjalën e Zotit, e cila, kur predikohet, çliron dhe ndërton jetën e bashkësisë fetare, e të njeriut vullnet mirë. Leximi i fjalës nxit dëgjimin, dëgjimi lind kuptimin, kuptimi na çon në veprim. Vetëm Zoti e di sa herë në meshë e kemi dëgjuar fjalën e Zotit, por ne duhet ta dimë sa herë atë e dëgjojmë me vëmendje? Sot, sa kohën e shpenzojmë para TV-së, internetit, telefonave, po për Fjalën e Zotit, a i kemi së paku 5 minuta?

Fjala Ungjill vjen nga gjuha greke evangelion – dhe d.m.th Lajmi i mirë, Lajmi i gëzuar. Sa jemi të vetëdijshëm se ungjill, nuk janë vetëm shkronjat e shkruara në Bibël, ungjill është vet personi i Krishtit, Ai është libri prej të cilit duhet të mësojmë të gjithë ne. Dhe Luka ungjilltar sot na thotë se këtë ungjill e ka shkruar duke u bazuar në fakte, në kërkime të ndryshme. Dhe kujt ia dedikon Luka ungjillin e vet? Teofilit. Kjo fjalë vjen po ashtu nga gjuha greke dhe d.m.th mik i Zotit. Pra, Teofili nuk është person historik si unë e tij, por teofil duhet të jemi të gjithë ne. Pra, Luka ungjillin e vet ia dedikon secilit prej nesh, duke kërkuar të shkojmë me Krishtin për të predikuar ungjillin, jo në Indi si bëri Nënë Tereza, por në familjet tona, në rrethin ku jetojmë.

Qe, ne, sot kemi ardhur në kishë. Krishti na ka bashkuar këtu, sikur Ezra që i bashkoi Izraelitët. Pra, ne jemi nga shumë fshatra, qytete apo nga familjet tona të bashkuar sot në meshën shenjte. Pjesëmarrja jonë në meshë, a do të na jep Krishtin? A do të bëhemi një bashkësi e fortë, siç thotë Shën Pali për gjymtyrët edhe pse të ndryshme, krijojnë një organizëm? Pra, edhe ne, edhe pse jemi të ndryshëm, kemi ardhur në të njëjtën kishë, sepse besojmë në të njëjtin Zot, dëgjojmë të njëjtën fjalë të Zotit, ushqehemi me të njëjtin Krisht, por a do të dalim më të bashkuar mes veti nga kjo meshë shenjte? Nëse jo, pse? Ku është problemi, kush e ka fajin?

Në Afrikë, një meshtar misionar, e pyet një djalosh: Çka ke mësuar sot nga Bibla? Ai e tregoi fjalinë që kishte mësuar. Më shkruaj, vazhdoi meshtari këtë fjali në rërë! Djaloshi, pak sa i hidhëruar i tha: Pater, fjala e Zotit nuk shkruhet në tokë, por në mendjen dhe zemrën e njeriut!

I dashuri besimtar, edhe ne ndoshta mund ta dimë Biblën përmendësh, por nëse atë nuk e kemi në zemër, kot është gjithçka!

Na ndihmoftë Zoti, që fjalën e Tij, që dëgjojmë në meshë, ta pranojmë me mendje dhe zemër e të forcuar me kungimin e shenjt, të bëhemi dëshmitar të pranisë së Krishtit në përditshmërinë tonë. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, t’ia paraqesim lutjet tona Hyjit, Atit tonë, i cili në Jezu Krishtin plotësoi premtimin e vet, të themi së bashku:

O Zot, ki mëshirë për popullin tënd!

-Për Kishën tënde,që me besnikëri të ecë rrugës së Krishtit dhe me jetë të dëshmoj Lajmin e gëzueshëm të shëlbimit, të lutemi:

-Për papen Françeskun, ipeshkvijtë tanë shqiptar, meshtar, rregulltar e rregulltare: që të udhëhequr prej Shpirtit të shenjtë të jenë ndërtues të qëndrueshëm të Mbretërisë sate, të lutemi:

-Për të gjithë njerëzit e botës: që ndërgjegjshëm të mund të largojnë të gjitha veset që prishin dinjitetin e tyre si krijesa të tua, të lutemi:

-Për të moshuar, të sëmur dhe të gjithë nevojtarët: që t’i nxitesh njerëzit për t’ u dalur në ndihmë dhe t’ u ndihmojnë për një jetë sa më dinjitoze, të lutemi:

-Për të rinj e të reja: që t’i shndritësh me dritën e Shpirti shenjtë që të njohin të vërteten  dhe të jetojnë në vlera shpirtërore, të lutemi:

-Për e këtu të bashkuar: që nëpërmes Eukaristisë të na pastrosh nga të gjitha të këqijat dhe të na forcosh në vepra të mira, të lutemi:

-Për të vdekurit tanë: që t’ i lirosh nga prangat e mëkateve dhe t’ i sjellësh në dritën dhe gëzimin e jetës së pasosur, të lutemi:

Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, pranoj lutjet tona të përvujta dhe na jep shpirtin e dijes dhe të kuptimit ndaj fjalës sate dhe atë ta zbatojmë me përkushtim të plot në jetë. Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »