Krishterimi ekumenik

Jan 23 • Opinion

Nga Don Lush Gjergji

 

Fjala ekumenik rrjedh nga greqishtja oikoumene dhe domethënë toka e banuar, toka e punuar (nga kjo rrënjë vjen edhe fjala ekonomia). Më vonë kjo shprehje kishte kuptimin toka e banuar me grekët, si dhe nga njerëzit tjerë. Ky koncept qe aplikuar edhe për përkatësinë fetare dhe kishtare, si p.sh. koncilet ekumenike, që d.m.th. të vlefshme për mbarë besimtarët dhe Kishën e përgjithshme.

Sot ekumenizmi ka një vështrim dhe kuptim edhe më të gjerë, si marrëdhëniet e ndërsjella të Kishave të krishtera. Kuptimi më i ri është nevoja dhe domosdoshmëria e kërkimit të afrimit, dikur edhe i bashkimit të plotë ne mes të të gjithë të krishterëve. (Lexo: Dr. Lush Gjergji, Atenagora – profet i bashkimit, DRITA, Ferizaj, 1995, f. 11-20)

Kjo sot ndihet dhe përjetohet pothuaj në mbarë krishterëzimin si nevojë fetare, por edhe kohore, që të largohet “shkandulli i madh“, siç thonte Papa i Mirë – Gjoni XXIII (1881-1963). (Po aty, fq.64-69)

Koncili II i Vatikanit ishte ngjarje e rëndësishme ekumenike e shekullit XX, ku morën pjesë në mënyra të ndryshme, pas shumë shekujve, gati të gjitha Kishat e krishtera. Puna e begatshme në këtë drejtim u kurorëzua me shpalljen e dekretit mbi ekumenizmin “Unitatis redintegratio” (UR) në vitin 1964. (Mbi dekretin ekumenik Unitatis redintegratio (UR), lexo: Po aty, fq. 21-24)

 “Me të ka filluar dialogu i ri doktrinor dhe praktik me të gjitha Kishat lindore jokatolike dhe me shumë bashkësi kishtare perëndimore”.36 Dekreti dëshiron ta ndihmojë dhe përparojë jetën e krishterë, si lidhje dhe bashkëpunim mes Zotit dhe njeriut dhe si marrëdhënie ndërvëllazërore, për ta dëshmuar fuqinë dhe praninë e dashurisë – Zotit edhe sot në botë. “Bashkimi i të krishterëve s`guxon të kuptohet si një lloj integrimi i bashkësive të krishtera, si një lloj tabori i të gjithë atyre që besojnë në Krishtin, (kështu deri diku mendonte Këshilli Botëror i Kishave), por në kuptim të bashkimit të brendshëm dhe të jashtëm, shpirtëror dhe kanonik (communio, koinonia)”.  (Ratko Peric –  Michael Lacko, Dekret o ekumenizmu. Dekret o istocnim katolickim Crkvama, FIT, Zagreb, 1987, fq. 34)

Hov të madh kësaj lëvizjeje ekumenike i kanë dhënë Papa Gjoni XXIII, Papa Pali VI (1897–1978), sidomos Patriku Ekumenik i Kostantinopojës – Shqiptari Atenagora I (1886–1972). Ai tri herë u takua dhe u përqafua me Papën Pali VI, në Jerusalem (6 janar 1964), në Konstantinopojë (25 korrik 1967) dhe në Romë (26–28 tetor 1967). Fryti i këtyre takimeve vëllazërore ishte ndër të tjera edhe heqja e njëkohësishme e anatemimit – mallkimit dhe përjashtimit të ndërsjellë në mes të Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, që ishte në fuqi qysh nga lashtësia e 16 korrikut 1054.

Për ne rëndësi të madhe, ndoshta edhe vendimtare, ka dhe do të ketë për krishterimin ndër shqiptarë, marrëdhënia ekumenike mes Kishës katolike dhe Kishës Ortodokse Shqiptare (1937). (Dr. Lush Gjergji, Atenagora…, vep. e cit. fq. 32-42) Kjo Kishë nga gjiri i saj ka dhënë dy personalitete të spikatura kishtare dhe kombëtare, me peshë edhe ndërkombëtare dhe ndërfetare: argjipeshkvin Fan Stilian Nolin (1882–1965), themeluesin e Kishës Autoqefale Shqiptare, dhe patrikun e gjithëmbarshëm Ekumenik të Konstantinopojës Atenagora I, profetin, vizionarin, dëshmitarin dhe luftëtarin e bashkimit të të krishterëve në botën mbarë. Imzot Fan Stilian Noli e bëri këtë hap të pavarësisë kishtare shqiptare, së pari në Sh.B.A. (1919), pastaj edhe në Shqipëri (1922), por qe pranuar zyrtarisht nga Stambolli në vitin 1937. Motivet ishin të qarta si kombëtare, po ashtu edhe kishtaro – fetare: ruajtja, thellimi, kultivimi dhe përparimi i gjithanshëm i ndjenjave kombëtare dhe fetare – kishtare te shqiptarët. “Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare është një ndër veprat e mëdha të Nolit të madh fetar dhe kombëtar për të arritur dhe zbatuar kërkesat e ligjshme të ortodoksëve shqiptarë”.  (Lexo: P. Sofronio Prence, Fan Noli fondatore delle Chiesa autocelafa albanese, në “Oriente cristiano”, viti III, 1965, fq. 77. “Oriente cristiano”, Anno V, 1965, fq. 70-77. “Oriente cristiano”,  nr. 4/1978, fq. 5-180)

Kjo veprimtari e begatshme dhe bujare bëri që Imzot Noli të jetë edhe më afër edhe me Kishën Katolike, sidomos me katolikët shqiptarë. Ai, edhe pse ishte ipeshkëv ortodoks shqiptar, ishte përkrahës i bindshëm dhe tejet i vendosur për bashkimin e të krishterëve shqiptarë. “Bashkimi fetar i popullit shqiptar, sipas Fan Stilian Nolit, hapte rrugën e vërtetë çlirimit të vendit nga zgjedha e huaj”.  (Dr. Masar Kodra, Fan Noli në rrjedhar politike të shoqërisë shqiptare (1905-1941), Rilindja, Prishtinë, 1989, fq. 25 )

Populli shqiptar është ndër popujt e parë që ndjeu nevojën dhe bëri hapa konkret për afrimin dhe bashkimin e të krishterëve ortodoksë dhe katolikë, duke u nisur nga përvoja e hidhët e ndikimit negativ të ndasive fetare edhe në çështje kombëtare, politike, kulturore, shoqërore, gjithënjerëzore. Kisha Katolike në popullin shqiptar pati formuar edhe komisionin përkatës i cili qe përbërë prej këtyre etërve françeskanë: Atë Palë Dodaj, Atë Shjefën Gjeçovi dhe Atë Vinçenc Prennushi. Atë Gjeçovi u takua me Imzot Nolin për qëllime ekumenike ndërkishtare shqiptare. Ja përshkrimi i Gjeçovit mbi këtë takim vëllazëror: “Më priti me dashteni e buzëqeshje. Shkëlqësi i thaçë, kam pasë nderen të njihem me Ju në Vlorë në vjetë 1920 e qysh atëherë më keni pasë thanë se përpiqeni për bashkimin e Kishave. E vërtetë, më përgjigji, e jo veç atëherë, por edhe sot jam n’at mende… e sikur i kam thanë At Fishtës, ashtu Ju tham edhe Juve, se unë sot si Kryeministër i Shtetit Shqyptar nuk mundem të përzihem në nji t’atillë punë, porse të jeni të sigurtë se menden e zembrem e kam për bashkimin me Kishën katolike”.   (Lexo: Drita, Ferizaj, 6/1979, fq. 6)

Në këto qëndrime ishte edhe Atenagora I, sepse nisej prej ndasive ndër të krishterë shqiptarë katolikë dhe ortodoksë, pastaj nga dasia fetare shqiptare në të krishterë dhe myslimanë, si dhe nga përvoja e tij e gjerë ndërkombëtare evropiane dhe amerikane, por edhe nga bashkëpunimi i pandërprerë që pati me Imzot Nolin. Atenagora këtë e ka shprehur në shumë raste dhe rrethana: “Populli shqiptar është një ndër popujt që ka vuajtur më së shumti në Evropë, ka vuajtur gjatë shumë shekujve, pasi mbrojti në mënyrë të mrekullueshme krishterizmin…“. (Giuseppe Ferrari, I miei colloqui con Atenagora, në “Oriente cristiano”, 1-2/1979, fq. 163)

“Shumë mendime, ide që i kishte Patriku, shumë vlerësime mbi ngjarjet apo njerëzit, si nga e kaluara, po ashtu edhe e tashmja, pasqyronin mendimin e ipeshkvit ortodoks shqiptar (mendohet për Fan S. Nolin, vër. ime). Atenagora më shpjegoi më vonë se jo vetëm e kishte pasë njohur Nolin në Amerikë, por kishte pasur me të shumë biseda dhe drejtpërdrejt kishte pasë mësuar shumë nga shqiptari i madh…”  (Po aty, fq. 168; Dr. Lush Gjergji, Atenagora…, vep. e cit. fq. 38-42)

Imzot Fan Stilian Noli i kapërcente edhe kufijtë e përkatësisë kishtare dhe mendonte dhe vepronte në dobi të mbarë popullit shqiptar. Në këtë prizëm ai së bashku me Atenagorën mendonin dhe vlerësonin si të domosdoshëm afrimin dhe bashkimin kishtar të krishterëve të ndarë shqiptarë, që pastaj do të ishte hapi i parë i mirë, do të thoja edhe parakusht për dialog dhe bashkim të mbarë popullit shqiptarë, sidomos për dialogun ndërfetar krishtero – mysliman.

Atenagora i madh thoshte: “Dashuria është fuqia e madhe, e vetmja, hyjnore që depërton dhe ndërron çdo gjë…, e kjo kurrë s’është e mundshme pa uratë…”  Dhe vazhdon: “Dialogu do të sqaronte shumë gjëra. Unë jam gjithnjë i gatshëm…”. “Ne të krishterët s’duhet të lodhemi kurrë në kërkimin e dy gjërave: afrimi i Kishave motra dhe popujve vëllezër; i tillë duhet të jetë shembulli i ynë dhe dëshmia jonë”. (Oliver Clement, Dialoghi con Atenagora, Gribaldi, 1972, fe. 204; 199; 274) Rolin e dialogut ndërkishtar katolik–ortodoks besoj se na ka dhuruar historia, e kaluara, ndasitë mes Romës dhe Kostandinopojës, por edhe provania e Zotit, si sfidë për t’u dëshmuar të krishterë të hapur dhe në kërkim të së mirës aq të madhe të bashkimit të të krishterëve. Kjo ishte dhe mbetet dëshira e Jezu Krishtit: “Që të gjithë të jeni një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë jam në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove”. (Gjn 17, 21) Këtë e ka dëshmuar historikisht, sidomos bashkësia kishtare lindore ndër arbëreshët, e cila, sa i përket ritit, liturgjisë, traditës, është kryekëput lindore, ndërsa strukturalisht është e lidhur–njësuar me Kishën e Romës, me Papën. (Lexo: Eleuterio F. Fortino, në “Oriente cristiano”, 4/1978, fq. 157)

Këtë e ka vërtetuar edhe Papa Gjon Pali II në Shqipëri ku ndër të tjera thotë: “Një ndihmë e madhe do të jetë mirëkuptimi, që duhet ripërtërirë vazhdimisht midis katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve”. Ai vazhdon: “Rilindja shpirtërore e Shqipërisë po ndodh nën simbolin e dialogut ekumenik dhe bashkëpunimit ndërfetar. A nuk është kjo një shenjë e madhe shprese…”   (Papa në Shqipëri, vep. e cit. fq. 55; 125)

Papa Gjon Pali II na porosit: “Uroj që Shqipëria të bëhet përherë e më tepër atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar. A ka lavdatë më të denjë për ju, sesa tregoheni me gisht nga Evropa dhe mbarë bota, si shembull dialogu, mospërdorimi të dhunës, mirëkuptimi të anasjelltë?… Nuk është e rastit që populli shqiptar e ka pranuar një thirrje të tillë: ai, në të vërtet ka provuar varfërinë e shtypjen e egër. E Shkrimi i Shenjtë na mëson se pikërisht të varfërve dhe të shtypurve Zoti u tregon rrugët e veta, rrugë që nga robëria të çojnë në liri”. (Po aty, fq. 125)

Patriku ekumenik, Atenagora I, vizionin e tij profetik rreth bashkimi të plotë me Kishën e Romës, edhe më gjerë, mes Kishave lindore dhe perëndimore e sintetizoi kështu: “Ne mendojmë kah çasti i madh dhe i shenjtë, kur ipeshkvijtë e Perëndimit dhe të Lindjes do të bashkmeshojnë në të njëjtin lter, duke ngritur kelkun e Zotërisë nga Eukaristia e përbashkët. Kjo kohë ndoshta do të jetë më vonë. Por ora, koha e dashurisë, ja, është e pranishme, është tani, këtu…”. (Dr. Lush Gjergji, Atenagora…, vep. e cit. fq. 11-12)

Dialogu ekumenik ndërkishtar shqiptarë përgatit, begaton dhe paraprin dialogun ndërfetar, atë në mes të të krishterëve dhe myslimanëve. Nëna Tereze, lidhur me ekumenizmin thotë: “Puna jonë është ekumenike, sepse ne punojmë për të gjithë njerëzit, pa dallim, që ata sa më tepër të afrohen mes veti, që ta njohin Zotin si Dashuri. Detyra jonë kryesore është që t’ju japim dashurinë e Zotit. Ne punojmë me të krishterë dhe jo të krishterë, si dhe me myslimanë dhe budistë, të gjithë së bashku, një”.  (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, Drita, Ferizaj, 1999, fq. 292) 

Dialogu ekumenik në mes të të krishterëve katolikë dhe ortodoksë shqiptarë duhet të jetë hapi i parë i takimit, afrimit dhe bashkimit, si të krishterë dhe si shqiptarë, që dukshëm do të përgatiste, ndihmonte, begatonte dhe frymëzonte edhe dialogun ndërfetar krishtero – mysliman ndër shqiptarët. Nëpërmjet dialogut në mes të krishterëve kemi arritur deri te vetëdija se kjo është së pari kërkesë, dëshirë, urdhër i Jezu Krishtit, si dhe nevojë, domosdoshmëri, përplotësim dhe dëshmi e krishterë para botës.

Këtë e ka shprehur fuqimisht edhe Papa Gjon Pali II me enciklikën “Ut unum sint” mbi angazhimin ekumenik të Kishës Katolike ndaj të krishterëve të ndarë. Papa thekson së pari uratën e përbashkët si “Shpirtin e brendshëm të lëvizjes ekumenike” , si dhe ripërtrirjen shpirtërore dhe kthimin e plotë kah Zoti dhe kah njëri–tjetri, solidaritetin ndërnjerëzor, rizbulimin e përbashkët të Fjalës së Zotit – Biblës, si ballafaqim me porosinë e tij për kohën tonë. Vend të spikatur ka dialogu në mes Kishës katolike dhe Kishave lindore, si Kisha motra, jo me theksim se janë të ndara, por pjesërisht jo të bashkuara, apo jo me bashkim të plotë dhe të përsosur. 

Duke sintetizuar punën dhe angazhimin e gjertanishëm, rrugimin apo shtegtimin e përbashkët në kërkimin e bashkimit të plotë, Papa Shën Gjon Pali II ndër të tjera shkruan kështu: “Në agimin e mijëvjetorit të ri, si mos të kërkojmë prej Zotërisë, me vrull të përtërirë dhe me përgjegjësi më të plotë, hirin që t’na aftësojë të gjithëve në flijimin e bashkimit” dhe pohon se angazhimi ekumenik “është një ndër përparësitë baritore” të pontifikatit tim”, si parakusht për ungjillëzimin e ri. Papa vazhdon: “Ekumenizmi nuk është vetëm çështje e brendshme e Bashkësisë së krishterë. Ai i përket dashurisë që Hyji e ka caktuar në Jezu Krishtin mbarë njerëzimit, dhe pengimi i kësaj dashurie është fyerje ndaj Tij, si dhe ndaj planit për t’i bashkuar të gjithë në Krishtin”. (Gjon Pali II, Ut unum sint, Libraria Editrice Vaticana, 1995, nr. 102; 99)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »