Të kalojmë në moshën e pjekurisë

Jan 23 • Opinion

Nga Ndue Ukaj

Kujtesa është aleatja më e mira e një populli. Është ndërgjegjja e zgjuar që s’e le të rrëshqet lehtësisht në gabime. Nuk e le të fle, kur i kanosen rreziqe. E zgjon, kur përgjumet. E udhëheq kah  lartësitë dhe e largon nga humnera.

Është bërë e frikshme dhe në të njëjtën kohë proverbiale shprehja: populli ynë ka kujtesë të shkurtër historike, ndaj shpeshherë gabon.

Duhet ta përmbysin këtë mendim nihilist dhe të mendojmë ndryshe.  Sepse jemi në shekullin e proceseve, ndaj duhet ta ushtrojmë kujtesën, siç thoshte Milan Kundera, në mënyrë që ajo të mund të funksionojë siç duhet.  Dhe në të njëjtën kohë, të luftojmë harresën, këtë armik të përbetuar të popullit tonë.

Ndërkohë që kontinenti ynë po përjeton një krizë serioze, ne nuk po arrijmë stadin e parë të emancipimit: të kalojmë mosmarrëveshjet mes vete. Kësisoj, foshnjëria jonë politike, kulturore e ekonomike, për të tjerët është bërë e pështirë. Neveritëse. E pakuptimtë.

Çka është më e rëndësishmja, kjo foshnjëri e shoqërisë sonë po i shkakton dëme të mëdha. Prandaj, është momenti që të gjithë të pohojmë: foshnjëria jonë më nuk na ka hije. Sepse të tjerët më nuk mund t’i honepsin budallaqet dhe mendjshkurtësinë tonë. Hilet e pafund me vete dhe me të tjerët. Qëndrimet ambiguele.

Po, është koha e fundit të hyjmë në moshën e pjekurisë dhe të japim frute në politikë, kulturë, ekonomi e sfera tjera, që t’iu lëmë brezave një Kosovë ndryshe nga ç’e kemi trashëguar ne. Një Kosovë ku frymon liria, ku zhvillohet demokracia dhe të drejtat e secilit dhe ku ka mirëqenie të përgjithshme.

Mjaft më, sepse nuk na ka hije mosha e fëmijërisë. Kukurisjet e kota. Madje më nuk mund as ta luajmë “lojën” dhe të krijojmë alibi të panumërta para vetës dhe të tjerëve: se jemi shtet i ri e broçkulla të tilla.

Jo, tjerët më nuk na kuptojnë. Kjo gjë po shihet qartësisht. Po na përsëritet shpesh.

Ndaj, duhet t’i zgjedhim mosmarrëveshjet tona. Sepse jemi para një përgjegjësie historike. Të mësojmë nga e shkuara, nga gabimet dhe të ecim me vetëdije kritike drejt së nesërmes. Drejt familjes së popujve të lirë e të përparuar.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »