Dashuria e pakusht na shpëton

Jan 24 • Meditimi i ditës

24 janar 2016 – e diela 3-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Neh 8, 2-4a. 5-6.8-10; Ps 18; 1 Kor 12,12-31; Lk 1, 1-4; 4, 14-21)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem e pushoj një moment

dhe e marr me mend dashurinë dhe hirin që Hyji e ndikon mbi mua:

jam i/e krijuar në imazhin dhe përngjasimin e Hyjit; jam vend-banimi i Hyjit…

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mbështetje, uzdajë, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 1,1-4; 4,14-21

 

1 Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë ‑ 2 ashtu siç na i lanë ata që i panë me sytë e vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës ‑ 3 e, pasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, 4 që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.

 

14 Atëherë Jezusi me fuqinë e Shpirit Shenjt u kthye në Galile dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. 15 Mësonte nëpër sinagogat e tyre i nderuar prej të gjithëve.

16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:

18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua

sepse Ai më shuguroi!

Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin,

të verbërve dritën e syve;

t’i lëshoj në liri të ndrydhurit,

19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’

20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha:

“Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Vit “i hirit” është një kohë kur Hyji do ta “vizitojë popullin e tij.” Hyji do të vijë dhe do t`i ndryshojë rrethanat ku njerëzit e tij ndodheshin në pamëshirën e armikut. Do t`i lirojë të shtypurit, të burgosurit, do t`i shërojë të pafuqishmit dhe që lëngojnë nga sëmundje. Ajo do të jetë një epokë krejtësisht e re – Hyji ka për t`i shpëtuar njerëzit nga fatkeqësitë e tyre.

– Jezusi i porosit dëgjuesit e vet se me ardhjen e tij Hyji e viziton popullin e tij pikërisht tani. Dhe e viziton çdonjërin, në mënyrë të veçantë, që nga ajo ditë e deri më sot.

– Lajmi i gëzueshëm i Jezusit është se Hyji na do pa kushte: nuk ka te ai “nëse” dhe “ose”. Kur ta pranoj këtë dhe përnjëmend besoj në këtë dhe jetoj sipas kësaj, atëherë e fitoj lirinë e zemrës dhe mendjes dhe zbulimin e freskët për të kuptuar mënyrën se si Hyji vepron në jetën tonë.

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »