Historia e hershme e dominikanëve arbërorë (I)

Jan 26 • Histori

800 – Vjetori i Urdhrit Dominikan

 

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli

 

Dominikanët apo Urdhri i Predikuesve, zuri të quhet kështu sipas emrit të themeluesit, Sanctus Dominicus de Gusman (1170-1221), shenjtë i Kishës Katolike. Si kanonik rregulltar, që në vitin 1204, gjatë rrugës së tij për në Romë, i kishte kuptuar pasojat e lëvizjes së katarëve në Francën Jugore, dhe, së këtejmi, si rregulltar-pelegrin kishte vendosur t’a kushtonte jetën e vet, sipas modelit të varfërisë ungjillore.

 Foto 1, Shën Dominiku

 Shën Dominiku

 

Urdhri dominikan qe përgatitur për t’u themeluar nga Papa Inoçenti III (vdiq më 16/VII/ 1216), mirëpo është zyrtarizuar nga Papa Honorius (22/XII/1216). Urdhri në fjalë, zyrtarisht zuri të quhet “Urdhri i Fretërve Predikues” (Ordinem [ose Ordo] Fratrum Praedicatorum) apo shkurtë, dominikanët. Objektivi kryesor i Urdhrit dominikan, në fillim ishte lufta kundër herezisë apo kthimi i tyre në gjirin e Kishës Katolike. Që në vitin 1217, në Prouille, u ndërtua kuvendi i parë dominikan. Për shkaqe të veshjes së mantelit apo habitit të bardhë, në disa vende quheshin edhe fretër të bardhë. Në krye të urdhrit ishte gjenerali, ndërkaq urdhri ishte i ndarë në provinca, të cilat udhëhiqeshin nga provincialët.

 Foto 2. Bulla themeluese e Urdhrit Dominkan (22 dhjetor  1216)

Bulla themeluese e Urdhrit Dominkan (22 dhjetor  1216)

 

Menjëherë pas themelimit të urdhrit, në gjysmën e parë e shek. XIII, dominikanët përveç në Kroaci, Hungari, do t’i ndeshim edhe në Arbëri. Në këtë vend, urdhri dominikan kontribuonte edhe në stabilizimin e formacionit politiko-shtetëror të Arbërit, që atëbotë kishte fituar pavarësinë. Midis viteve 1250-1370, ajo që tërheqë më tepër vëmendjen është se Kuria Papnore i nxori gati të gjithë prelatët e ipeshkvijtë nga urdhri dominikan. Dominikanët ishin njerëz me ndikim të madh, profesionalisht të ngritur dhe të dëshmuar në shumë fusha. Falë punës, angazhimit dhe përkushtimit të tyre ndaj profesionit – ndaj urdhrit – ata arritën poste të larta në hierarkinë kishtare të kohës. Kjo bëri të mundur shtrirjen e gjerë të urdhrit, dhe me këtë, edhe shtimin e numrit të misionarëve dhe ndikimit të tyre. Kjo çoi deri te formimi edhe i kuvendeve, e në kuadër të kuvendeve edhe të shkollave të caktuara. Më pas qe formuar edhe një universitet, siç ishte ai i Durrësit, i pari i këtij lloji në Ballkan. Fundja, edhe misioni i misionarëve dominikanë, veç përhapjes së urdhrit dominikan, ishte edhe hapja e kuvendeve, shkollave, kudo e sidomos në qendra e kryeqendra të kohës në Arbëri e më gjerë. Kështu, misionet dhe misionarët, kuvendet dhe shkollat funksionojnë në Ulqin, Shkodër, Durrës, Tivar, Raguzë, Kotorr që nga shekulli XIII, ndërsa nga shekulli XIV-XV kuvende të tilla gjejmë edhe në qytetet të Kosovës. Dominikanët u pranuan në Raguzë më 1225 dhe prej këndej erdhën në Ulqin më 1258, ku morën kishën e Shën Maurit me shtëpi e me kopsht. Në vitin 1345, zëvendësi i përgjithshëm për Arbëri dhe Dalmaci me qendër në Durrës (per Dalmatiam et Durachium) Domenik Topia, ish kapelan i mbretit të Siqelisë, mundi ta bindte Kurien Papnore, që dominikanët të shtriheshin edhe në Shkodër.

Të gjitha kuvendet dominikane gjatë viteve në fjalë, ishin në kuadër të provincës dominikane të Hungarisë. Në Durrës, dominikanët u nguliten me 1278, dhe iu falë një shtëpi në vitin 1283, për qëllime të zgjerimit të hapësirës së kuvendit të tyre. Kjo ishte dhuratë e Karlit I Anzhu, mbret i Arbërisë. Më vonë, ndërkaq u varguan edhe një sërë dhuratash. Në këtë aspekt, më 1304 filluan ta ndërtojnë një kishë të re, e cila iu kushtua Shën Dedës.

Koha e lulëzimit të Kuvendit të dominikanëve lidhet me shekullin XV. Këta fretër të rekrutuar nga arbrit, ishin në kontakt pothuaj me gjithë sunduesit dhe kryezotërinjtë e Arbërisë veriore dhe të Mesme, si dhe me prelatët dhe me famullitarët e kësaj treve. Këta, mund ta përfitonin për vete edhe Dominik Topinë, ipeshkëv i Korçullës (1351-1364), dhe aspirues për argjipeshkëv të Raguzës. Dominiku, ishte vëllai i princit Tanush Topisë, i cili, më vonë duke u mbështetur në fuqinë e familjes së tij dhe të mbretit hungarez Ludvigu I Anzhu, hartonte plane të mëdha politike. Së këtejmi, në vitin 1359 kaloi në Kuvendin dominikan të Durrësit.

Kur është fjala për Kuvendin dominikan të Durrësit duhet thënë se, në gjysmën e dytë të shek. XIV, ky kuvend i dha murgj gjithë bregdetit Adriatik, gjë që provohet nga dokumentet zyrtare të kohës, si dhe rezultatet e ndonjë studiuesi serioz. Së këtejmi, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIV, vetëm në Raguzë ndeshim 20 klerikë e murgj nga Durrësi, të cilët vepronin në Raguzë. Gjysma e tyre i takonte radhëve të urdhrit dominkan dhe gjysma tjetër françeskanëve.

Falë numrit dhe mundësive të tyre të mëdha, dominikanët arbërorë, jo vetëm në Raguzë, arritën poste të larta në hierarkinë kishtare. Kështu, disa i ndeshim në cilësi priori, kustosi, mësuesi shkollash, ipeshkëv dhe argjipeshkëv. Këtu duhet përmendur sidomos Domenik Topia, i cili, në vitin 1367, u emërua argjipeshkëv i Zarës, si dhe Ndre Durrësaku, argjipeshkëv i Raguzës, për të cilin do të bëjmë fjalë më poshtë.

Është për të vënë re se, dominikanët që vepronin në Arbëri, që nga nisma ishin nën mbrojtjen e Papës. Së këtejmi, nga vitit 1283 e më tej, misionet e tyre në Tivar, Durrës, Novobërdë, Ulqin, Kotorr, gjendeshin në kuadër të “Custodia Ragusina”. Atëbotë, prioritet i dominikanëve, si,  njerëz të besueshëm të Papës, iu peshonte shumë fjala për çështje kishtare të Arbërisë. Misionet që u përmendën më sipër, nga kapërcyelli i shekullit XIII, zunë të zgjerohen dhe morën formën e kuvendeve të vërteta. Kuvende të tilla ndeshim gjatë shekujve XIV-XV edhe në qytete të Kosovës, si, në Novobërdë, Janjevë, Prizren, Trepçë, Prishtinë, Shkup, etj. Mirëpo, me përfshirjen e pjesëve të trojeve arbërore nën sundimin e Rashës, dominikanët, si dhe institucionet e tjera katolike përjetuan çaste të vështira. Njoftimet historike të kësaj kohe hedhin dritë për konfliktin që u zhvillua në hapësirën e gjerë, që përfshinte të gjitha trojet arbërore në veri prej Durrësi. Në këtë konflikt u vunë përballë njëri-tjetrit ata, të cilët, në burime të kohës cilësoheshin si “latinë” dhe “skizmatik”, e që në kuptim të caktuar përfaqësonin dy komunitete të ndryshme fetare, përkatësisht komunitetin katolik dhe ortodoks. Ndërtimi i një politike të posaçme, që synonte në një zgjedhje radikale të problemit të katolicizmit e në përgjithësi të disidencës fetare në mbretërinë nemanjide, lidhet me emrat e mbretërve të fundit të kësaj dinastie, sidomos me ato të Milutinit (1282-1321) e Stefan Dushanit (1331-1355). Një politikë e tillë u fiksua edhe në monumentin e së drejtës mesjetare nemanjide, Kodin e Dushanit (1349-1355), ku midis tjerash lexohet “[…] Protopapët e kishave të mëdha duhet të konvertojnë latinët në çdo qytet e fshat[…]. Në rast se gjendet një klerik latin që përpiqet të konvertojë një të krishterë në besimin latin, ai do të dënohet me vdekje[…]. Në rast se gjendet një besimtar latin që është martuar fshehurazi me një grua ortodokse, ai duhet të pagëzohet sipas mënyrës ortodokse[…]”.

Në një pikëpamje, Kodi i Dushanit institucionalizonte atë që dëshmohet si një vijë konstante në praktikën sunduese të mbretërve nemanjidë. Qysh në vitin 1308 një udhëtar frëng që vizitoi viset e Arbërisë e të Ballkanit shkruante se “skizmatikët” serbë e mbreti i tyre “i persekutojnë pa mëshirë katolikët, i shkatërrojnë, i shkretojnë e i okupojnë kishat e tyre, priftërinjtë i burgosin e të tjera të këqija të shëmtuara kryejnë[…]”.

Me terma të ngjashme, por me ndonjë element më shumë, përshkruan gjendjen e katolikëve në kohën e Dushanit, argjipeshkvi frëng i Tivarit, dominikani Gulielmus Adae  ose Brocardus, respektivisht Pseudobrocardus: “[…] Meqenëse këta si latinë ashtu edhe arbërorë, janë të shtypur nga zgjedha e padurueshme […] meqenëse populli i tyre është i ngarkuar me taksa, kleri i tyre poshtërohet dhe përbuzët, ipeshkvit dhe priftërinjtë e tyre shumë shpesh lidhen me zinxhir […]. Që të gjithë mendonin se do t’i shenjtëronin duart e tyre në qoftë se luftojnë kundër pushtuesit të lartpërmendur“. Kur të përmendim Adae-n, kemi parasysh edhe një të dhënë shumë të çmuar kur është fjala për arbërit dhe historinë e tyre, sidomos për shkrimin e vjetër arbëror, për gjuhën, alfabetin dhe librat e tyre. Ai në vitin 1332 thoshte: “Arbërit kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, megjithatë kanë alfabetin latin (litteram latinam) në përdorim dhe në tërë librat e tyre.” Gjithashtu, prej Tivari në maj të vitit 1350, legati papnor Guido de Padova informonte se mbreti Dushan në një letër “pendimi” të vitit 1354 për Papën Inoçenti VI. Qëndresa e arbërve, e udhëhequr nga burra të shquar edhe të urdhrit dominikan, është një tregues i qartë për pakënaqësinë dhe organizimin kundër vështirësive të mëdha që shkaktonte pushteti nemanjid. Në këtë kontekst, qëndresa e arbërve shkonte krahas me luftërat antinemnajide të Europës katolike.

Me gjithë kushtet e vështira, dominikanët arbërorë u organizuan aq mirë sa që pranë kuvendeve të tyre themeluan shkolla e studime. Së këtejmi, një aktivitet i këtillë u nis së pari në Ulqin rreth vitit 1258, Kotorr më 1266, Durrës rreth vitit 1278, Shkodër më 1345, Tivar nga gjysma e dytë e shekullit XIV. Me kalimin e kohës në urdhrin dominikan zuri vend një sistem shkollor i shkollave të ndryshme ndërmjet veti, si për nga lloji, ashtu edhe për nga shkolla. Themel i gjithçkaje ishin shkollat e kuvendeve, të cilat paraqisnin bazën e piramidës, mbi të cilën mbindërtoheshin të gjitha shkollat e tjera ose mësimet e veçanta: mësimet provinciale të shkathtësive të lira dhe të filozofisë, të teologjisë dhe të gjuhëve. Vijuesve të vet u ofronin dije ca të gjëra të shkollës së kuvendit dhe i përgatitnin për t’u regjistruar në Studio Generale, të cilat paraqisnin majën e piramidës së sistemit shkollor. Kjo solli edhe formimin e universitetit.

Si nevojë imediate e shkollimit superior, në këtë kuadër, me iniciativën e dominikanëve, u themelua në vitet ’80 të shekullit XIV Studio Generale, respektivisht Universiteti i Durrësit, i pari i këtij lloji në Ballkan, merita për zbulimin e veprimtarisë së tij i takon autori të këtij punimi. Burimet historike të kohës njoftojnë se dominikanët durrsakë për pallat studimesh ofruan Kuvendin e tyre, si dhe disa godina për strehimin e studentëve. Në këtë universitet ligjëronin 25 doktorë shkencash të teologjisë, numër mjaft impozant, që atëbotë zotëronin vetëm qendra të mëdha universitare të Europës.    

Me zhvillimin e hovshëm të urdhrit dominikan, korrespondencat ishin domosdoshmëri e kohës. Ato zhvillohen gati me të gjitha vendet e Europës, dhe më pastaj, edhe me botën. Së këtejmi, dominikanët arbërorë i ndeshim përveç në trevat arbërore, edhe në vendet të tjera të Europës dhe të botës. Madje, gjatë shekullit XIV i ndeshim në Meksikë dhe Peru. Këtej, duke zotëruar magjistrate të eprorëve të urdhrit dominikan (magister generalis Ordinis), dhe zëvendësve të tyre (vicarius generalis Ordinis), kuvendet dominikane arbërore (Natio Albanese) zotëronin autonomi të veçantë, si, ajo e Durrësit, Buduas, Ulqinit, Novobërdës, Shkodrës, Shkupit, Lezhës, etj.  

 foto 3

Qyteti mesjetar i Novobërdës nga dolën shumë  dominikanë të shquar arbër

 

Njoftimet historike që zotërojnë studiuesit, hedhin dritë për veprën e jetën e disa qindra burrave tanë të urdhrit dominikan, të cilët, përveç kontributit në lëmin e teologjisë, u shquan edhe në shkencë, kulturë e art. Kësaj radhe po veçojmë disa. (vazhdon)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »