Kërkohet pafajësi fëmijërie

Jan 26 • Meditimi i ditës

26 janar 2016 – E martë, Shën Timoteu dhe Titi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Tim 1, 1-8 ose Tit  1, 1-5; Ps 88; Lk 22, 24-30)

 

Prania e Hyjit

 

Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Liria

 

Hyji më do pa kushte,
Dhe më tërheq pas çdo gjëje që është e mirë,
Duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
Në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Lk 22, 24-30

 

24 Atëherë apostujt filluan të grinden mes tyre: cili prej tyre do të ishte më i madhi. 25 Jezusi u tha:

“Mbretërit e paganëve sundojnë me ta si zotërues; madje ata që sundojnë mbi ta kërkojnë të quhen ‘Bamirës’! 26 Ju s’guxoni të bëni ashtu! Përkundrazi, më i madhi ndër ju të jetë si të ishte më i riu, kurse kryetari, sikur të ishte ai që shërben. 27 Cili, në të vërtetë, është më i madh: ai që është në tryezë, apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? Tashti, unë jam ndër ju porsi ai që shërben.”

28 “Ju jeni ata që, në provat e mia, qëndruat vazhdimisht me mua. 29 Prandaj, unë po jua lë trashëgim Mbretërinë ashtu si ma dha mua im Atë: 30 që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time dhe të rrini në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Sa vështirë e kemi të bëhemi si fëmijët e vegjël. Kokat tona në shumë mënyra i manovrojnë dhe sundojnë zemrat tona. E kemi humbur pafajësinë e fëmijërisë dhe artin e lënies së gjërave në mirëbesim në duart e Atit. Dëshirojmë të bëjmë gjithçka në krye në veti, sepse mendojmë se dimë se çfarë është më së miri për ne.

Të jesh prijës siç ka qenë Jezusi nuk do të thotë të demonstrosh pushtet dhe kontroll, por kthim tek zemra: të zbulosh ku mund ta gjesh Zotin. Do ta falënderoj Zotin për të gjithë ata që janë dëshmuar si prijës të mirë për mua. Do të lus për përvujtëri që të mund t`i shpie të tjerët tek e vërteta.  

– Të jesh shërbëtor apo skllav është diçka neveritëse për mendësinë moderne. Do të mendoj sesi do të mund të shërbeja pa bërë zhurmë, pa rënë në sy apo t`iu shërbej pa shpërblim atyre që më rrethojnë, duke mos paralajmëruar dhe duke mos kërkuar çmim.

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia çeli zemrën.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »