Komunikoni të vërtetën me dashuri

Jan 27 • Kisha në botë

Komunikimi duhet të ndërtojë ura, të shërojë plagët dhe të prekë zemrat e njerëzve. Është ideja kryesore, që përshkon Mesazhin e Papës Françesku për Ditën e 50-të Botërore të Komunikimit Shoqëror, me temë “Komunikimi e Mëshira: takim i frytshëm”.

Ati i Shenjtë thekson se pushteti i vërtetë i komunikimit është “afërsia” me njerëzit e me problemet e kësaj bote. Papa u kërkon të krishterëve të komunikojnë të vërtetën me dashuri, pa i gjykuar njerëzit. Bën, gjithashtu, thirrje që rrjetet shoqërore të kthehen në vende të mëshirshme, ku të favorizohen marrëdhëniet e vërteta dhe ndarja e problemeve të të tjerëve.

 “Çdo gjë që themi e si e themi, çdo fjalë e çdo gjest duhet të shprehë dhembshurinë, ëmbëlsinë dhe faljen e Zotit për të gjithë”. Në Vitin Shenjt kushtuar Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku kujton së pari, se “dashuria, për natyrën e saj, është komunikim”. Prandaj, “jemi të thirrur të komunikojmë, si bij të Zotit, me të gjithë, pa përjashtim”. Në veçanti, lexohet në Mesazh, “është karakteristikë e gjuhës dhe e veprimeve të Kishës të transmetojë” mëshirën e Zotit e të prekë zemrat e njerëzve. Kështu, Françesku i fton komunikatorët ta përhapin ngrohtësinë e Kishës Nënë, që u jep përmbajtje fjalëve të fesë dhe ndez atë shkëndijë, e cila i bën ato të gjalla.

 

Komunikimi duhet të krijojë ura

Komunikimi, nënvizon Papa, është në gjendje të krijojë ura, të favorizojë takimin e përfshirjen e njerëzve në shoqëri. Ati i Shenjtë lavdëron ata gazetarë, që “impenjohen për t’i zgjedhur me kujdes fjalët e gjestet, në mënyrë që të kapërcehen keqkuptimet, të shërohet kujtesa e plagosur dhe të arrihet paqja e harmonia”. Fjalët, ngul këmbë Ati i Shenjtë, “mund të ndërtojnë ura”, si në ambientin fizik, ashtu edhe në atë digjital. Papa i fton komunikatorët të dalin nga rrethet vicioze të fjalëve, që dënojnë e që kërkojnë hakmarrje, pasi shprehin mesazhe plot urrejtje. Fjala e të krishterit, nënvizon, edhe kur duhet të dënojë me vendosmëri të keqen, nuk duhet t’i prishë marrëdhëniet dhe komunikimin njerëzor.

 E këtu, Papa kujton se mëshira, dhembshuria, janë në gjendje t’i shërojnë marrëdhëniet e të sjellin paqen e harmoninë në familje e në bashkësi, pa i lënë njerëzit të mbeten të mbërthyer në kurthin e plagëve e të mllefeve të vjetra. “E kjo – nënvizon Ati i Shenjtë – vlen edhe për marrëdhëniet ndërmjet popujve”. Duke cituar Shekspirin, nga “Tregtari i Venedikut”, Papa pohon se mëshira nuk është detyrim, por zbret nga qielli si shiu i bekuar për tokën. Është bekim i dyfishtë, për atë që e jep mëshirën e për atë, që e merr.

 

Gjuha e politikës të mos i fryjë zjarrit të frikës

Edhe gjuha e politikës dhe e diplomacisë, thekson më tej Ati i Shenjtë, duhet të frymëzohet nga mëshira, e cila nuk dorëzohet. Papa u bën thirrje të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi institucionale e politike, sidomos atyre, që ndikojnë në formimin e opinionit publik, të kenë kujdes si shprehen për opozitarët, edhe për ata që gabojnë. “Është lehtë të biesh pre e tundimit për t’i shfrytëzuar situata të tilla, duke i fryrë kështu zjarrit të mosbesimit, të frikës e të urrejtjes – shkruan Françesku. Duhet guxim për t’i orientuar njerëzit drejt proceseve të pajtimit e, është pikërisht ai guxim pozitiv e krijues, që jep zgjidhje të vërteta për konflikte të lashta e mundësi për të realizuar paqen e qëndrueshme”.

 

Ta komunikojmë të vërtetën me dashuri

Sa do të doja, dëshiron me zjarr Papa, që “mënyra jonë e komunikimit e, edhe shërbimi ynë si barinj të Kishës, të mos shprehnin krenarinë plot arrogancë të triumfit mbi armikun, as të mos i poshtëronin ata, të cilët mendësia e botës i konsideron pa vlerë, për t’u hedhur!” Ati i Shenjtë i kthehet ndarjes ndërmjet mëkatit e mëkatarit, duke nënvizuar se mëkati duhet dënuar, por mëkatari duhet trajtuar me mëshirë, pasi nëse ai njeh vetëm ftohtësinë e gjykimit, nuk mund të ndryshojë ashtu siç mund të bëjë, nëse i ofrojmë ngrohtësi dhe i kuptojmë problemet e jetës së tij. Duke kujtuar Ungjillin e shën Gjonit, ku Krishti na thotë se “e vërteta do të na bëjë të lirë” (Gjn 8,32), Papa i këshillon barinjtë e Kishës “të paralajmërojnë ata që gabojnë, duke denoncuar keqdashjen dhe padrejtësinë e disa sjelljeve, në mënyrë që të çlirohen viktimat e të ngrihen sërish në këmbë ata, që kanë rënë” në nivele të papranueshme. Së fundi, thekson se e vërteta është Krishti, i cili duhet kumtuar me dashuri, sepse vetëm kështu preken zemrat e mëkatarëve e jo me fjalë e gjeste të ashpra e moraliste, që e mbyllin njeriun në guackën e vet mbrojtëse, pa e orientuar drejt çlirimit nga mëkati.

 

Ta mendojmë shoqërinë si familje

Ndokush, tha Papa, mendon se shoqëria, që bazohet tek mëshira, karakterizohet nga një idealizëm i pajustifikuar e është tepër e butë. Por, nëse mendojmë për marrëdhëniet brenda familjes, kujtohemi se prindërit na kanë inkurajuar në jetë, më shumë duke na lavdëruar për aftësitë tona, se sa duke na kritikuar për dështimet. Edhe shoqëria, kërkoi Ati i Shenjtë, duhet të jetë një shtëpi apo familje me dyer të hapura e mikpritëse, jo hapësirë, ku njerëzit e ndjejnë veten të huaj e mundohen t’ia hedhin njëri-tjetrit. Për këtë, është themelore t’ua vemë veshin të tjerëve, këshillon Papa. “T’ua vesh veshin të tjerëve është më shumë se të dëgjosh – nënvizon Françesku. Dëgjimi ka të bëjë me informacionin; ndërsa, t’ua vesh veshin të tjerëve të kujton komunikimin e kërkon afërsi”. Pra, të mos jemi spektatorë, por t’i bëjmë tonat pyetjet e dyshimet, të përshkojmë së bashku udhën e jetës me të tjerët, duke i vënë aftësitë e talentet, me përvuajtëri, në shërbim të së mirës së përbashkët. “Të dimë t’ua vëmë veshin të tjerëve – shkruan Papa, që e konsideron këtë si përvojën e Moisiut para kaçubes në flakë, nga e cila i fliste Zoti – është hir i jashtëzakonshëm, është dhuratë, të cilën duhet ta kërkojmë për ne e pastaj të ushtrohemi që ta zbatojmë në praktikë”.

 

Edhe në rrjetet shoqërore, të komunikojmë me mëshirë

 Më pas, Papa i drejtohet botës digjitale e rrjeteve shoqërore, të afta, sipas tij, të favorizojnë marrëdhëniet njerëzore e të promovojnë të mirën e shoqërisë. Por, paralajmëron Ati i Shenjtë, ato mund të çojnë edhe drejt polarizimit e ndarjes së shoqërisë në grupe. “Ambienti digjital – thekson – është një shesh, një vend takimi, ku mund të përkëdhelësh ose të plagosësh, të diskutosh me fryt ose t’i linçosh moralisht të tjerët”. Edhe në rrjet, nënvizon Françesku, mund të krijohet qytetërim i vërtetë. Kush hyn në të mban përgjegjësi për të tjerët, të cilët nuk i shohim, por janë njerëz realë, me dinjitet, që duhet respektuar, duke përdorur mëshirën e dhembshurinë.

Komunikimi, e përfundon reflektimin e tij Ati i Shenjtë, ua ka hapur horizontin shumë njerëzve. Ai është dhuratë e Zotit, por edhe përgjegjësi e njeriut. “Më pëlqen ta quaj këtë pushtet të komunikimit si ‘afërsi’”, shkruan Papa Françesku. “Takimi ndërmjet komunikimit e mëshirës është i frytshëm, në masën me të cilën krijon atë afërsi, që kujdeset për tjetrin, e ngushëllon, e shëron, e shoqëron dhe feston me të. Në një botë të përçarë, të fragmentuar, të polarizuar, të komunikosh me mëshirë do të thotë të kontribuosh në krijimin e një afërsie të bukur, të lirë e solidare ndërmjet bijve të Zotit e vëllezërve në humanitet”.

(Radio Vatikani www.radiovaticana.va)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »