PËRVJETOR: 3 vjetori i Radio Marisë në Kosovë – një zë i krishterë në shtëpinë tënde

Jan 28 • Kisha në Kosovë

Në përvjetorin e tretë të Radio Marisë në Kosovë, po e sjellim jehonën e saj nga disa këndvështrime të bashkëpunëtorëve vullnetarë gjatë këtyre viteve.

 

 

Shën Pali shkruan kështu: “Sepse të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! Nëse e bëj këtë me iniciativën time, atëherë më takon paga, por, nëse jo prej iniciativës sime – është detyrë që më është besuar”. (1 Kor 9, 16-17)

Radio Maria në Shqipëri- tash tri vite edhe në Kosovë, për ne, është dhuratë dhe hiri i Zotit, zëri i Virgjërës Mari, Kishës katolike ndër ne dhe për ne, “Nënë dhe Mësuese”, e cila, kujdeset për bijtë dhe bijat, që t’i përcjellë, begatojë dhe ushqejë shpirtërisht me Fjalën e Zotit, mbi të gjitha me Praninë dhe Dashurinë e tij.  Për mua, është një detyrë, mundësi, hir i veçantë, që t’ia huazojmë Zojës Mari kohën, zërin, fjalën, porosinë, për të qenë gjithnjë në qëndrim të dëgjimit dhe zbatimit të porosisë së saj për ne:“Bëni gjithçka t’ju thotë!” (Gjn 2, 5). Virgjëra Mari, pra, edhe Radio Maria, ka vetëm këtë porosi, që ta dëgjojmë çka na thotë Zoti neve sot dhe këtu, nëpërmjet Kishës, ndërgjegjes, rrethanave, dhe ta zbatojmë vullnetin e Tij, për shëlbimin tonë dhe të mbarë njerëzimit.

   Don Lush Gjergji

 

”Radio Maria, për mua është një vend i qetësisë shpirtërore. Është kënaqësi e zemrës kur e di se zëri im po dëgjohet në valë radiofonike duke dëshmuar Zotin e fenë tonë të krishterë.”

Edona Gojani

 

Asnjëherë mos i thoni lamtumirë Radio Marisë

Menjëherë pas hapjes së Radio Marisë në Kosovë, si pjesë e Familjes Botërore, shumë shpjet u bëra anëtar i rregullt i saj, në transmetimin e emisioneve të rregullta javore nga arkeologjia, ripërtëritja e jetës shpirtërore dhe meditimi krishterë. Përkundër angazhimeve dhe sfidave të përditshme, përvoja ime me Radio Marinë në Kosovë, është e mrekullueshme, sepse këtë punë e bëj në bazë vullnetare me dashuri dhe përkushtim të plotë. Duke përhapur thesarin e trashëgimisë arkeologjike, pastaj përhapjen e Fjalës së Zotit me anë të ungjillëzimit drejtuar të rinjve, prindërve, të sëmurëve, njerëzve që janë shpirtërisht të lënduar dhe të braktisur, dhe i nxitur si shekullarë fetarë për t’u bërë punëtorë i vyeshëm në vreshtin e Zotit: “Shkoni edhe ju në vreshtin tim” (Mt 20, 4), ndjehem i privilegjuar kur përmes valëve të Radio Marisë jam i pranishëm, në mesin e dëgjuesve të mrekullueshëm, duke u bërë zë i krishterë në mesin e tyre. Në përpjekje që të tjerëve t’ju jap sa më tepër, edhe vet bëhem gjithnjë më i pasur në bazë të asaj që jap por edhe të asaj që marr nga dëgjuesit e Radio Marisë duke u bazuar në thënien e urtë: I pasur nuk është ai që ka shumë, por ai që jep shumë. Përkundër angazhimeve të përditshme, Zoti me ndihmoj të gjejë kohë për t’ia kushtuar Atij, përmes valëve të Radio Marisë dhe për ta ndarë me secilin dëgjues thesarin e kulturës arkeologjike, pastaj Fjalën e Zotit për të mirën e përgjithshme. Është bukur të zbulosh se jemi bijtë dhe bijat të Zotit i cili kujdeset për ne. Për këtë dua ta falënderoj Zotin, për përkrahjen e Tij, Zojën e Bekuar për ndërmjetësinë e saj për çastet e kaluara në Radio Mari e cila dita ditës po njihet prej fryteve të saja. “Do t’i njihni prej fryteve të tyre” (Mt 7, 16). Porosia ime për vullnetarët dhe dëgjuesit e Radio Marisë është kjo: Asnjëherë mos thuani: lamtumirë Radio Mari, por thoni: faleminderit Zot për hirin tënd në jetën e familjes time. Gëzuar 3-vjetorin, Radio Mari!

Dedë Palokaj

 

“Kurrë mos hiq dorë nga caku i dashurisë , burim i së cilës është Zoti. Veprimet tona mund të jenë të dobishme për të tjerët. Duke ndihmuar të tjerët, ndihmojmë vetën tonë. Sepse më i lumtur është ai që jep sesa Ai që merr. Ndihmo, Lutu, beso e dhuro !

 Arjeta Rrustemi-Gojani

Radio Marinë e mësova që në vitet e para të pasluftës  nëpërmes Nënës sime (i kishte mbi 70-75 vjet dhe ishte e pashkolluar). Por, tradita e dëgjimit të një radioje, me emisione fetare të krishtera, nis që moti, me Radio Vatikanin. Para luftës e në zjarrin e luftës së Kosovës, kur isha gazetar në zona lufte, Nëna, në një radio marciale (dhe në kohë lufte nëpër male, në kohë dëbimesh e shkatërrimesh), dëgjonte lutjet dhe uratat dhe lutej së bashku me Radio. Disa fjalë e shprehje të standardit gjuhësor, më detyronte t’ia shpjegoja në hollësi (si ringjallje, ringritje)…   

Ndërkaq, kur kisha kohë, dëgjoja emisione fetaro-kulturore, të pëlqyeshme. Ç’është e vërteta, pleqtë tanë, gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, tinëz e në heshtje dëgjonin Radio Vatikanin, një radio jo vetëm e shpallur dhe e  anatemuar si armiqësore, por edhe e përbuzur dhe refuzuese nga një pjesë e shtresave shqipfolëse, me frymëzime antiperëndimore dhe antikristiane! 

Pas viteve të para të pas luftës, përsëri nëpërmes grave dhe plakave mësova për një Radio tjetër, që quhej Radio Maria (frekuencat e saj depërtonin deri në Kosovë). 

Ta pranosh këtë fakt, sa është krenari, aq të bën edhe të skuqesh, si intelektual: krenari se gratë janë shumë më të devotshme në besim e lutje dh skuqje, sepse të vërtetën e mëson nëpërmes plakave analfabete! Vërtet, nga plakat e tilla që në fëmijëri i kisha mësuar jo vetëm uratat e lutjet, po edhe shumë poezi të përshpirtshme që më patën detyruar (sa detyrë e bukur) t’i shkruaja në disa fletore, të cilat humbën në tisin e kohëve… 

E pra, t’i dëgjosh këto radio, më shumë ishte respekti ndaj pleqve dhe prindërve, ndaj një tradite të përshpirtshme që kultivohej krejt në heshtje, pa zë. 

Ta dëgjosh këtë radio, të duket sikur dëgjon një liturgji shpresëdhënëse,  me bukurinë, qartësinë, mesazhin a domethënien kuptimplote të saj.

Fjala e tillë, e emituar dhe e përjetuar në Radio e nëpërmes radios, është dëshmi që lidh kohët. Sidomos emisionet e saj kulturore e të shpalimit të traditës e të historisë sonë kishtare.
Zaten, kur para dy vjetësh më bënë ftesën e Radio Marisë me seli në Prishtinë, që të bashkëpunoj me këtë radio, nuk ngurrova. E ndjeva veten edhe të nderuar, edhe të privilegjuar, mbasi kisha mundësi t’i prezantoja nëpërmes këtyre valëve shumë nga shkrimet e mia, që trajtonin raportet në mes krishterimit dhe letërsisë, apo që paraqitnin profile autorësh e veprash të njerëzve të letrave, e që vinin direkt nga vatrat kishtare; apo për autorë që merreshin me këto raporte… ishin dhjetëra ligjërata, të cilat i kam emituar gjatë viteve 20014 e 2015. Ligjëratat kishin të bënin që me fillet e krishterimit, duke ligjëruar për Shën Jeronimin, Niketë Dardanin, Ediktin e Tolerancës së vitit 313, për prelatë e figura kishtare deri në ditët e sotme, që nga Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi e deri te Fishta, Gjeçovi, e te autorë të shumtë bashkëkohorë. 

Ftesën ma pati bërë don Jeton Thaqi, me të cilin kam pasur bashkëpunim, fillimisht, në përgatitje revistash fetare-kulturore, ashtu si kam pasur bashkëpunim të tillë dhe me meshtarë të tjerë në lëmin e letrave… Në radio punonin një grup të rinjsh entuziastë, që i jepnin kuptim punës vullnetare në shërbim të  misionit të radio Marisë. 

Prandaj kur meshat e shenjta gjithnjë i shoqëron leximi i Fjalës së Hyjit, kjo begatohet edhe me mundësitë e reja të komunikimit, duke krijuar kontakte të bukura, të vazhdueshme e të lumnueshme me publikun dëgjues, me besimtarë të thjeshtë e të devotshëm. 

Në Librin e Shenjtë lexojmë se si gjatë historisë së shpëtimit Hyji vazhdimisht u ka dërguar popullit të tij të zgjedhur profetë, njerëz që ishin shërbëtorë të Fjalës së Tij. I tillë ishte edhe Jezusi, i cili, e ushqente popullin me Fjalën që mësonte, që përmirësonte, apo që i trimëronte ata që e dëgjonin dhe e ndiqnin pas. Hyji ka dashur t’u afrohet njerëzve në këtë mënyrë, që ta kuptonin më lehtë dhe ata t’i përgjigjen Fjalës së tij me dashuri, lirshëm e jo me frikë. Nuk është thënë më kot, prandaj, se Fjala është shenjë e dallueshme e Hyjit. 

Dhe këtë shenjë a dhuratë hyjnore, siç është Fjala e Hyjit, kjo radio e ofron me pedantëri, me përkushtim, me qasje e komunikimin tejet të pëlqyeshëm e intim, duke krijuar besim te njerëzit e profileve të ndryshme e duke forcuar besimin.

Prend   Buzhala

 

 

Unë pata rastin të jem shpeshherë mysafir në Radio Maria, ku pata kënaqësinë që përmes frekuencave të kësaj radio t’iu përcjell dëgjuesve të nderuar vertikalët  kryesore të  zhvillimit të arkeologjisë në Kosovë. Duke e pasur parasysh së arkeologjia më se miri i konservon të dhënat dhe provat e të së kaluarës sonë, njëherësh edhe të mënyrës se jetesës dhe nivelit të civilizimit sidomos të popullit tonë,  për mua kjo ishte një mundësi  e mirë që ti promovoj këto vlera. Fati deshi që populli ynë të ketë qenë pinjoll i përhapjes së krishterimit, gjurmët e të cilit me së miri i provon arkeologjia. Sot,  pas gërmimeve që janë kryer vërehen gjurmët e shumë kishave paleokristiane. Rasti i Ulpianës antike, ku dy bazilikat të ndodhura në  afërsi prej pak më shumë se 100-m  ia shtojnë bukurinë dhe madhështinë  këtij qyteti dhe flasin jo vetëm për zhvillimin e krishterimit, por, për një nivel shumë të lartë të shoqërisë së asaj kohe. Prandaj, urojmë që kjo radio ta vazhdojë traditën e saj dhe ta plotësojë koloritetin e mozaikut të saj, me emisione  nga fusha të ndryshme: nga shkenca, arti, religjioni, kultura, etj.

Arben Arifi

 

 ———————————————

Radio Maria Kosovë

Rr. Filip Shiroka p.n.

Ulpianë 10000 Prishtinë

Tel: +381 (0) 38 712 139; +386 (0) 49 20 59 59

Email: [email protected]

Skype: radiomaria-kosovo

Web: www-radiomariakosove.org

Frekquenca: FM 107.4 Mhz

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »