Profeti nuk mirëpritet në vendin e vet

Jan 30 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela IV Gjatë Vitit (C)

 Leximi i parë: Jer 1, 4-5.17-19

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Fjalët e Jeremisë, birit të Helcisë, një prifti që banonte në Anatot, në dheun e Beniaminit. Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Para se të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh profet i të gjithë popujve.

Prandaj ngjeshi ijët e tua! Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha që unë po të urdhëroj. Aspak mos u tremb para tyre, përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre!

Ja, unë sot ty po të bëj qytet të përforcuar, shtyllë hekuri, mur tumbaku përballë të gjithë vendit, përballë mbretërve të Judës e princave të tij, priftërinjve të tij e popullit të vendit. Ata do të luftojnë kundër teje, por s’do të ngadhënjejnë mbi ty, sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj”, thotë Zoti.

Fjala e Zotit

 

 Psalmi 71

 Ref:  Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde

—————————————————–

Në ndoren tënde, o Zot,

askurrë mos u turpërofsha.

Më shpëto e më dil zot pashë

drejtësinë tënde,

prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!

———————————————————

Ji për mua shkëmb mbrojtjeje,

kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,

sepse ti je kështjella ime e strehimi im,

Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit.

———————————————————

Sepse ti, o Zot, je shpresa ime,

uzdaja ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.

Në ty jam mbështetur

qysh prej kraharorit të nënës,

qysh prej prehrit të nënës

ti je mbrojtësi im.

—————————————————

Do ta shpall pushtetin e Zotit,

o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.

Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime

dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.

——————————————————–

 

 Leximi i dytë 1 Kor 12, 31-13, 13

 Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

 Dhe, ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po t’i folja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon! Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!  Dashuria është zemërgjërë, është e dhimbshme, nuk ka smirë, nuk është mendjemadhe, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuajnë, njohuritë marrin fund. Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë. Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është e kufizuar do të marrë fund.  Kur isha fëmijë folja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka çka i përket fëmijërisë. Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas! Tani njohuria ime është e kufizuar, atëherë do të njoh plotësisht, sikurse jam i njohur.

Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria – këto të tria – porse më e madhja ndër to është dashuria.                            

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që ua zbulove të vegjëlve misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja!

 

 + Ungjilli  Lk 4, 21-30

 Leximi i Ungjillit të Shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi mori fjalën në sinagogë dhe tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.”  Të gjithë e miratonin dhe u mrekullonin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”

Atëherë u tha: “Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten! Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’ Për të vërtetë po ju them – vazhdoi – asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet. Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”  Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. U çuan në këmbë, e qitën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. Por ai kaloi përmes tyre dhe vijoi rrugën e vet.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi i parë: Jeremia profet, për të cilin na flet leximi parë, ka lindur rreth v 650 para Kr. në Anatoto afër Jerusalemit. Ishte nga fisi i Beniaminit. Emri tij do të thotë Jahve e ka ngritur. Në detyrën e profetit Zoti e thirri në v. 627 në kohën e Joshuas mbret. Jetoi në një kohë të vështrë dhe detyra e tij ishte të paralajmëronte tragjedinë e popullit të Izraelit, për shkak të mëkateve të tyre. Jeremia e përjetoi shkatërrimin e tempullit dhe të Jerusalemit nga babilonasit. Jeremia në predikimet e veta kërkonte kthimin me gjithë zemër kah Zoti. Dhe për shkak të predikimeve dhe çortimeve të tij të ashpra ndaj udhëheqësve të Izraelit ishte i keqtrajtuar dhe internuar në Egjipt, ku edhe vdiq. Sa e dëgjojmë thirrjën e Zotit sot për kthimin tonë dhe largimin nga e keqja dhe mëkati? Si sillemi ne ndaj meshtarëve kur na çortojnë për të mirën tonë?

Psalmi 71 mban titullin: “Lutja e plakut” e kënduar në situatën e përsekutimit dhe mos pranimit të të dërguarit të Hyjit.

Leximi i dytë: Himni i dashurisë i shën Palit. A thua ai këto fjalë të bukura mbi dashurinë, i shkroi nga vetvetja? Natyrisht se jo, sepse derisa Shën Pali e ka shkruar këtë himn të mrekullueshëm mbi dashurinë, e kishte parasysh personin e Krishtit, i cili në jetë i realizoi fjalët e Shën Palit. Sikur njerëzit të kishin një dashuri të tillë sot, atëherë do të kishte shumë më pak lot, vuajtje, dhimbje. Mjerisht, dashuria jonë, në të shumtën e rasteve, është dashuri egoiste, me interes etj. M. l. King, i cili tërë jetën është munduar për të drejtat e zezakëve në Amerikë, në një rast pati thënë: Ne njerëzit jemi mësuar të notojmë si peshqit, të fluturojmë si shpezët, por kemi harruar të jetojmë në dashuri si vëllezër! A vlen kjo për mua dhe për ty?

Ungjilli: Vëlla dhe motër e dashur, të dielën e kaluar kemi dëgjuar predikimin e parë të Krishtit në vendlindjen e vet – Nazaret. Sot shohim efektin e atij predikimi. Edhe pse nazarenasit e miratojnë dhe mrekullohen me fjalët që dilnin nga goja e Tij, megjithatë vjen deri te problemi. Ata kishin dëgjuar se Krishti kishte bërë mrekulli në vendet tjera, gjegjësisht në Kafarnaum. Dhe nuk mund të besojnë se Krishti, biri Marisë, apo siç thonë i Jozefit, të jetë Mesia, që e presin me shekuj, të jetë më i zoti se ata!? Andaj me mosbesim i kërkojnë të bëjë mrekulli. Krishti nuk e pranon provokimin e tyre. Ne e dimë se kusht për të bërë Krishti mrekulli është besimi në Të, feja. Pse Nazarenasit sillen keq ndaj Krishtit? Sepse në zemrat e tyre nuk ka dashuri! Po, në zemrën time, ka dashuri? Jetoi në paqe e dashuri me Zotin dhe të tjerët?

Prandaj, feja dhe shpresa neve na përcjellin vetëm në këtë jetë, ndërsa dashuria nuk mbaron kurrë. Andaj mos të humbasim kohë, por ta lusim Zotin të na ndihmojë për ta dashur Atë në vëllanë njeri. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

 Vëllezër dhe motra, pas një jave pune, shkollimi dhe obligimesh tona të përditshme, me përvujtëri t’ia drejtojmë lutjet Atit tonë qiellor, duke thënë së bashku:

 

 Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

–          Për Kishën Katolike, në krye me Papën, ipeshkvin tonë Dodën, meshtarët e rregulltarët, që e forcuar nga Shpirti Shenjt, të jetë gjithmonë zë profetik në botë, të lutemi:

–          Mos lejo, o Zot, që krenaria dhe egoizmi ynë, të jenë pengesë për të dëgjuar porosinë tënde për ne, por na mbush me dashurinë tënde, që do të na ndihmojë të jetojmë një jetë të lumtur me Ty dhe të tjerët, të lutemi:

–          Për të gjithë besimtarët tanë që jetojnë të robëruar nga mëkati dhe e keqja, forcoje vullnetin e tyre dhe ndihmoju që, të lirë në shpirt, të jetojnë për Ty dhe vëllain njeri, të lutemi:

–          Për të krishterët, o Zot, që për shkak të besimit në Ty, vuajnë dhe persekutohen çdo ditë, forcoji dhe ngushëlloji, shpërbleje vuajtjen e tyre dhe ndihmo në bashkimin e të krishterëve, të lutemi:

 

O Atë, dritë e amshuar, shndriti zemrat tona me Shpirtin tënd të Shenjtë dhe na ndihmo çdo ditë të ecim rrugës së ungjillit, duke dëshmuar me fjalë dhe me vepra se jemi fëmijë të tu dhe vëllezër e motra mes veti, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »