Historia e hershme e dominikanëve arbërorë (II)

Jan 31 • Histori

800 – Vjetori i Urdhrit Dominikan

 

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli

 

Dominikanët e hershëm arbërorë: kontributi i tyre për kulturën, shkencën dhe artin

Dorëshkrimet e disa dominikanëve arbërorë, sikurse ai i frat Domenik Arbërit,  Neophyta doktrina në Bibliotekën Kombëtare të Parisit; Libellus dhe Kodet latine e greke të viteve 1256, 1276 të Nikollë Durrësakut, ipeshkvit të Kotronës (Itali), që i shërbyen gjeniut të kohës Tomë Akuinit; dhe ai i farmacistit frat Marin Shkodrani, dorëshkrim në Bibliotekën Palatini në Firence, ishin të njohura në mbarë Europën e kohës mesjetare. Këto dorëshkrime, krahas dorëshkrimeve e inkunabulave të Splitit, Raguzës, Ulqinit e Tivarit, zotëronin anëshkrime e fjalë nga thesari i gjuhës arbërore.

 1. Kodet latine e greke (viti 1276), të dominikanit arbër, Nikollë Durrësaku

Kodet latine e greke (viti 1276), të  dominikanit  arbër, Nikollë Durrësaku

 

Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është se, vargu i burrave të shquar të urdhrit dominikan nga treva arbërore, është bukur i gjatë, por ne do t’i përmendim kësaj radhe vetëm disa. Padyshim, njëri ndër më të shquarit ishte Andre (Ndre) Durrësaku (Andreas, Archiepiscopus Ragusinus), argjipeshkv i Raguzës gjatë viteve 1387-1393. Për jetën e veprën e Ndre Durrësakut ruhen të dhëna në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut (DAD), arkivat e Vatikanit, si dhe në veprat e shkrimtarëve të shekujve XV-XVIII, si, S. M. Cerva, S. Slade-Dolci, Fontani, Cavalerius, Ferrari, Farlati-Coleti, N. Ragnini, etj. Kërkimet tona, të mbështetura në lëndën e sipërpërmendur, sado modeste që të jenë, janë përpjekje e parë në historiografinë tonë për ndriçimin  e jetës dhe veprës dhe jetës të këtij burri të shquar. Duhet vënë re se, asnjë autor i përmendur më sipër nuk e vë në dyshim origjinën arbërore të Ndreut. Nuk e vënë në dyshim as vendlindjen e tij, Durrësin si qendër e madhe ekonomike, administrative e kulturore gjatë antikitetit dhe mesjetës, por dilemat janë rreth emërimit të Ndreut në postin e argjipeshkvit të Raguzës. Disa prej tyre mendojnë se është fjala për vitin 1383, të tjerët ndërkaq përcaktohen për vitin 1387 zhdukin çdo dilemë rreth saktësisë së çështjes në fjalë. Atëbotë, në krye të Selisë Papnore gjendej Papa Bonifaci IX.

Ndreu ka qenë një njeri hirplotë dhe i përshpirtshëm, aq i shkathtë e shumë i lavdishëm dhe i rryer në letërsi. Ishte mirënjohës dhe shfaqi një maturi të shkëlqyer të shpirtit. Studimet i kreu në Universitetin e Durrësit apo diku në Itali, ku edhe u doktorua. Atëherë, së pari si kujdestar i Kuvendit Dominikan të Raguzës, u bë mbrojtës ca i ashpër edhe nga zakonet ca të vjetra të trashëguara në provincën e Dalmacisë. Në veçanti përpiqej të ripërtërinte disiplinat filozofike dhe e ligjëroi literaturën e shenjtë në Raguzë për disa vjet.

Në fjalimet, të cilat duhej t’i mbante me urdhër të një instance më të lartë, tregohej aq i zellshëm dhe veprat e predikonte ashtu që edhe burrat plotësisht të pamësuar, edhe ata të ngritur dhe elokuentë, i thurnin lavdi emrit të oratorit. Përveç kësaj, ata, të cilët dëshironin të njihnin mëshirën, rregullat letrare apo dijet e shenjta të denja për të krishterin, përdornin dhe e vinin në përdorim Ndreun.

 3. Ndre Durrësaku, Argjipeshkv i Raguzës 1387-1393, sipas burimeve të S. Slade-Dolci, Ancona, MDCCLXI

 Ndre Durrësaku, Argjipeshkv i Raguzës 1387-1393,  sipas burimeve të S. Slade-Dolci, Ancona, MDCCLXI

 

Tek ai derdheshin, për shembull, si te një profesor qyteti, qytetarët që kërkonin të mësonin edhe ndonjë disiplinë dhe që rregullat e jetës t’i përvetësoni për një  shëlbim të merituar. Me një fjalë, Ndre Durrësaku ishte një burrë, të cilit nuk i mungonte asgjë nga fuqia burrërore dhe kultura: as mendjemprehtësia, as erudicioni, as përshpirtëria, as ndihma për fqinjin në punë të mundimshme, por gjithashtu, e shoqërojnë atë virtyti dhe lavdia e një emri shumë të ndershëm. Dhe me të vërtetë, kur e rregulloi si duhet çështjen e kishës në Raguzë dhe më gjerë, u shpall Ndreu botërisht në vitin 1386 provincial (drejtues) i Provincës së Dalmacisë, i treti që nga themelimi i saj.

Dhe më të vërtetë, i njohur për nga aftësitë e mëdha, si dhe duke zotëruar postin e provincialit të Dalmacisë (drejtues i Kishës Dalmate), me rastin e vizitës që i bënë Raguzës atëbotë, domethënë më 1387, Senati i Raguzës së bashku me Kolegjin e Kanonikëve e zgjodhën njëzëri argjipeshkëv të Raguzës, gjë që u legalizua me akt zyrtar edhe nga Papa i Romës në muajin tetor të vitit të njëjtë (“Anno itaque 1387, electus quidem Andreas fuerit Archiepiscopus Ragusinus, et mense Octobri postquam de Archiepescopatu abdicando Maphiolus jam cogitaverat; verum non ante illum Ragusio discessisse opertet, quam Andreas Episcopatem consecrationem Romae”). Dokumentet e kohës provojnë se postin e argjipeshkvit e mori detyrimisht, duke i ofruar atij Papa njëkohësisht edhe 500 dukate në muajin prill të vitit 1388. Është e njohur se Kolegji i Kanonikëve, këto mjete i mori nga papati në Romë, ku Ndre Durrësaku ishte shuguruar dhe kishte marrë postin e argjipeshkvit të Raguzës.

Gjatë kohës së pontifikatit të Ndreut, në qytetin e Raguzës, por edhe në Romë e më gjerë, ra murtaja dhe bëri kërdi. Ajo mori shumë viktima. Njoftimet e kohës dëshmojnë se për çdo ditë viktima të murtajës ishin afro 600-800 njerëz. Qyteti i Raguzës u shkatërrua pothuaj tërësisht nga epidemia. Gjatë gjithë kësaj kohe Ndreu veç shërbimit priftëror në kishë, shtoi edhe shërbimin mjekësor. Kuvendi Dominikan dhe pallatet e tij u shndërruan në spitale të mirëfillta. Në këto vepra të shkëlqyeshme humanitare, përveç Ndreut, u shquan edhe priftërinjtë arbërorë, si, Pjetër Suinis i Drishtit (Petrum de Svinis de Driuasto) dhe Pjetër Caputapi-Arbërori (Petrum Caputapis de Albania), të cilët jetonin dhe vepronin atëbotë në Raguzë.

Më tej, me veprat më të larta të përshpirtërisë, të cilat ua fal të vetëve ky provincial shumë i vëmendshëm, përpiqej që t’i kënaqte të vetët, kështu që u la pasardhësve një përmendore të përmendur. U themelua nga vëllazëria priftërore e Selisë së Shën Pjetrit në Antioki, e shpallur solemnisht më 11 gusht 1391 dhe e shënuar me emrin e vëllazërisë në fjalë. Një vëllazëri e denjë për krijimin e këtij lloji, është shumë i pasur dhe drejtohet  sipas ligjeve dhe normave deri në Hirin Hyjnor dhe u qëndron më së afërmi shembujve më të afërm. Papa Siksti IV dhe Klimenti  VIII, e patën konfirmuar, por edhe papë të tjerë të Romës e pajisën me privilegje të gjera (“[…] quod Sacerddotum Congregationem sub invocatione Cathedrae S. Petri in Antiochia anno 1391. die XI. Augusti a Sixto IV. Et Clemente VIII. Confirmatam, quam proinde alii Summi Pontifices singularibus decorarunt Privilegiis”).

Kjo vëllazëri, e cila u themelua me iniciativën e Ndreut, kreu misione të shumta, si  për  shembull: kujdesi për t’i liruar robërit e krishterë, sidomos vendasit e vetë nga turqit; për martesa të vajzave të varfra pa prikë; për grumbullimin e pasurisë me qëllime të ushqimit për të varfrit; për ngritjen e spitaleve për të sëmurët; për ngritjen e bujtinave për të varfër, si dhe ngritjen e bujtinave në vise pasive për priftërinj. Me këto dhe vepra të tjera të devotshme vetes dhe vëllazërisë së vet ua ngriti zulmën në të gjitha shtresat popullore.

Prandaj anëtarët e kësaj shoqate, duke mbajtur mend këto bamirësi, vendosin një pllakë të re në vitin 1742, për Ndreun, prift provincial, fytyrë jona shembullore, e shkruar me kujdes me një mbishkrim të këtillë mbivarror:

Ndreu i Durrësit, i Urdhrit të Predikuesve, argjipeshkëv i Raguzës, ngushëllues i të varfërve, duke ua falur mëkatet të gjithë atyre nga rishtarët e fesë që vdiqën të pafuqishëm, i cili priftërinë e vet-të shënuar në titull dhe të marr në kuvendin e eprorëve dhe të Selisë së Shën Pjetrit – e ushtroi mirë e lumturisht, dhe la pas vete një përmendore të amshuar, në vitin e Zotit 1391. Vdiq, në të vërtetë në ditën e 13 qershorit të vitit 1393” (“Andreas Dyrrhachieusis ex Ord. Praed. Archiep. Ragusinus pauperum solatio, defunctorum expiationi, reigionis incremento, Congregatione Presbyterorum instituta, ac titulo S. Petri in Caathedra insignita, sacerdotiinfui bene feliciterque gesti aaternum reliquit monimentum, anno 1391. Obiit vero die 13. Junii anno 1393”).

Me guximin dhe me vepra të shkëlqyera, Ndreu u bë dëshmitar për veten dhe siguroi kujtimin e të gjithë të pavdekshmëve. Tregojnë se i ka këshilluar në mënyrën e duhur dhe të ndershme trashëgimtarët e vetë-ipeshkvij raguzanë, ndërsa në kishë përgatiti më së shumti vepra për përdorimin e tyre të shumanshme. Që nga ajo kohë vetëm në ndonjë rast të rrallë, as nuk merren dhe as nuk përdhosen nga brezat e mëpastajmë të priftërinjve.

???????????????????????????????

Kuvendi Dominikan në Raguzë, një qendër e njohur e  dominikanëve arbër

 

Në tempullin me të vërtetë të shenjtë të dominikanëve raguzanë- thotë eruditi raguzan, S. M. Cerva (shek. XVIII) “kam shënuar me një njohje të vjetër dhe të thjeshtë të shkrimit nën mbishkrimin, vetë sipas kujtesës, figurën e tij që është shkruar në mermer”:

Këtu prehet vëlla Ndreu i Durrësit, i Urdhrit të Predikuesve, kur ishte provincial e ndërtoi këtë Kuvend [është fjala për Kuvendin Dominikan të Raguzës-J. D.]. Provincial i Dalmacisë, ndërsa më pas argjipeshkëv i Raguzës, i cili vdiq më 13 qershor 1393” (“Hic jacet Andreas de Duracio Ord. Praedicatorum, qui cum esset Prior hujus Conventus, factus est Provincialis Dalmatiae, diende Archiepiscopus Ragusinus, qui obiit 13. Junii 1393”).

Përmendorja e tij e dytë mbivarrore është vendosur nga vëllazëria, të cilët u kujdesën për të dhe shkruan kështu:

Vëlla Ndreut nga Durrësi, i Urdhrit të Predikuesve, burrë hirplotë, i ngritur, i urtë, zulmëmadh, seminarist i këtij kuvendi dikur, i cili ishte drejtues i Provincës së Dalmacisë, argjipeshkëv i Raguzës dhe një prift shumë i besueshëm, anëtar i kolegjit priftëror, i cili titullin e ka nga Selia e Shën Pjetrit, mbrojtës, aty ku prehet hiri i tij, këtë përmendore ia ngrenë. U largua nga të gjallët bariu, më i miri, më 13 qershor, e shtunë 1393”. Një tjetër burrë i shquar i urdhrit dominikan me origjinë arbërore është frat Valeri Novobërdasi (1474-1593), profesor i teologjisë, konventual në Raguzë e Lezhë dhe vikar gjeneral për Kosovë. 

Për jetën e veprën e tij, deri tash nuk kemi gjetur njoftime të shumta. Ato dalin nga disa dokumente që ruhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut (DAD); nga regestat e korrespodencave të gjeneralëve (magister generalis Ordinis) të urdhrit dominikan të Romës për Provincën e Dalmacisë, si dhe nga vepra e S. M. Cerves. Kontributi i Valerit për çështje kishtare-papnore provohet më së miri nga një korrespondencë e Papës Inoçenti VIII, të cilën po e botojmë në tërësi të përkthyer: “Përshëndetje dhe bekim apostolik për një bir të dashur. Na parashtrove se ç’ke bërë në pjesë të Serbisë dhe të Rusisë (!) (është fjala për Rashën-J. D.) për shkak të shkretërimeve dhe rrënimit të kishave të panumërta nga turqit e pafe, të braktisura nga priftërinjtë. Ty dhe urdhrit tënd në vendet e njëjta, në të cilat je i njohur, me pëlqim të urdhrit (d.m.th. Të urdhrit të dominikanëve apo predikuesve-J. D.) iu lejohet liria e qëndrimit, predikimit, rrëfimit dhe dhënies së sakramenteve kishtare (d.m.th. të veprave të shenjt – J. D.)

Pastaj, lutemi përulësisht dhe kujdesemi që, për ruajtjen e besimit ortodoks në ato anë dhe për shpëtimin e shpirtrave, lejojmë të denjë që kishat në fjalë, të cilat kanë mbetur të lëna dhe të braktisura nga priftërinjtë, mund t’i marrësh me vullnet të popullit.

Ne, të cilët aspirojmë me dëshirë këtë qëllim, që ka synim ruajtjen e besimit dhe kultit të këtillë hyjnor, bashkohemi me ty me lutje falënderimi, që kishat e këtij lloji që janë të lëna pas dore, mund t’i marrësh, megjithatë, vendosmërisht pa vendim paraprak të së drejtës e të lirisë së tjetërsuar të ca më të lartëve dhe të vësh në to vëllezër të urdhrit të sipërpërmendur, të ndërtosh kuvende në të gjitha pjesët dhe punishtet e nevojshme dhe me përkrahje të qëndrueshme të të pranishmëve, gjë që e lejojmë njësoj dhe e paraqesim pa përtuar. Të nxitur në vendet e eprorëve të rregulltarëve që të mbështetemi në ty për këtë punë, e cila, duhet përshëndetur, ata garantojnë plotësisht simpatitë e veta, që të thuhet se qëndroj në mbështetje të së drejtës së tjetrit dhe me pëlqim të ca më të lartëve. Kushdo që e benë të kundërtën, u kundërvihet institucioneve dhe urdhëresave apostolike e të tjera. Dhënë (Data në Romë të Shën Pjetri me vulën e madhe papnore, më 28 janar 1487, vitin e tretë të pontifikatit tonë”.

Janë me interes edhe disa njoftime për jetën dhe veprën e Valeri Novobërdasit, të cilat ruhen në dorëshkrimet e humanistit raguzan S. M. Cerva. Sipas Cervës provohet origjina novobërdase e Valerit: “Qyteti është në Mezinë e Epërme i mbiquajtur nga banorët latinë Novus-Mons, por nga banorët e popullit ilir Novobërdë. Është i vendosur mes qytetit të Drishtit në Dalmaci, Novi-Pazarit dhe Cecelisë (është fjala për një fshat afër Vushtrrisë-J. D.) në largësinë 45-50.000 këmbë”.

Atë, si vendet e tjera përreth, i futi në perandori dhe nën pushtetin e vet Mehmeti II, despot turk në vitin 1454 pas Krishtit (datimi është i gabuar, është fjala për vitin 1455-J. D.). Atëherë, shumë qytetarë dhe fisnikë, për të mos shërbyer në skllavëri, e braktisën Atdheun dhe u shpërngulën në vend tjetër. Disa nga të cilët erdhën në Raguzë dhe ia caktuan edhe vetes, edhe pasardhësve vendbanimin në këtë qytet. Gjithashtu, ishin në këtë numër prindërit e vëllait Valeri, të cilin po zë ta lavdëroj (ta inkuadroj në bibliotekën time-J. D.). Ai ka lindur në Raguzë nga prindërit novobërdas. Në qytetin e njëjtë e ka paraqitur emrin në urdhrin e ri të predikuesve dhe është mbiquajtur Valeri (Valerius-J. D.), kështu që në akte zyrtare, të cilat duhen përmendur më poshtë është më të vërtetë në regjistrin e profesorëve Valerian. Më tej, në këtë, ilirishte, është i njohur Novobërdas, në atë latinishte Novomontenian, sepse Novus-mons latinisht dhe Novobërdë ilirisht shënojnë gjënë e njëjtë. Në studimet më të mira, sidomos në filozofi dhe në teologji, shkoi me qëllimin e vetëdijshëm pas betimit solemn, studime rëndom të shpallura solemnisht dhe në to përparoi aq shumë, saqë me gjallje meritoi për njohuritë shkencore dhe për mësimet që i dha shkallën fillestare të profesorit në disiplinat teologjike.

I pasigurt, larg në Itali, apo ndoshta në Paris, ku u dërgua në ato kohë të vështira për nevoja të bashkatdhetarëve, Valeri kishte ëndërruar dhe ishte marrë me shkencat e shenjta. Mirëpo, në asnjë universitet, ku kishte qenë dëgjues ose mësues, nuk ekziston ndonjë përmendore sa e lartë” (kushtuar këtij burri të shquar-J.D.).

Në forma të veçanta të veprimtarisë si dominikanëve kosovarë gjatë mesjetës inkuadrohet padyshim edhe aktiviteti i nduarnduarshëm i Gjon Vajit (Johannes Olearius, Oleatik), i cili së pari nga gjenerali i urdhrit dominikan, dhe pastaj nga papa në vitin 1450 kërkoi dhe mori leje, që së bashku me disa fretër dominikanë të kuvendit dominikan të Raguzës të veprojë lirisht në Kosovë dhe Bosnjë. Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen këtu është se Gjon Vaji është me origjinë nga Novobërda. Në Raguzë hyri në radhët e urdhrit dominikan, kur i kreu studimet dhe mori titullin bacalareus. Pas mbarimit të studimeve u mor me predikimtari apo homelitikë dhe arriti suksese të mëdha në këtë lëmi.

Papa Nikolla V, sipas bullës së tij që mban datën 13 mars 1451, i jep leje frat Gjon Vajit, si dhe disa dominikanëve të tjerë, që të veprojnë dhe të hapin kuvende në Kosovë dhe Bosnje. Me lejen e Papës në fjalë, është përmendur që mund të predikojnë religjionin katolik katolikëve dhe jokatolikëve dhe t’i pranojnë në urdhrin e tyre të gjithë që dëshirojnë, si dhe t’i kryejnë të gjitha obligimet e nevojshme. Duhet theksuar se Papa Nikolla V, ishte simpatizues i zjarrtë i luftërave arbërore kundër turqve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me të cilin mbante lidhje të afërta përmes profesorit të Universitetit të Padovës, domenikanit Gjin Gazulli.

Me njoftimet që zotërojmë mund të konstatohet se qëllimi i kësaj ndërmarrjeje të frat Gjon Vajit ishte që sërish ta riaktivizonte dhe ta zhvillonte apostullatin dominikan, i cili, për shkaqe të njohura, pothuajse ishte lënë tërësisht pas dore.

Burimet arkovore të proveniencave italiane e raguzane, me të cilat disponojmë lidhur me dominikanin Gjon Vaji, numerikisht janë aq modeste sa që është vështirë të bëjmë ndonjë paralele ndërmjet veprimtarisë së tij dhe ndonjë dominikani tjetër arbëror të kohës së tij. Mirëpo, dokumentet e zyrave në fjalë ofrojnë gjithsesi shënime fragmentare sidomos për dominikanët arbërorë që vepronin ose mbanin lidhje me qytetet e njohura të Kosovës, si për dominikanët e Novobërdës,  Trepçës, Janjevës, Prishtinës, Bërvenikut, etj. Kur është fjala për veprimtarinë e dominikanëve arbërorë në qytetet e Kosovës, numri më i madh i tyre paraqitet në Novobërdë. Ky qytet, si qendër e njohur evropiane, përveç arbërve dominikanë, i hapi dyert edhe për dominikanë italianë, gjermanë, etj. Një vend të veçantë nga të ardhurit këtu zinte “frater Armanus Teutonicus de ordine praedicatorum”, padyshim me origjinë gjermane.

Me qëllim që studimi në fjalë të formësohet sa më mirë, dhe për të ardhmen të jetë një udhërrëfyes për çështje dominikane, shoh të nevojshme, që t’i përmendi edhe disa burra të shquar të urdhrit dominikan me origjinë arbërore, si, frat Gjon Durrësaku, profesor i filozofisë në Universitetin e Padovës gjatë viteve 1392-1397; frat Aleks Durrësaku, lektor në Universitetin e Bolonjës dhe në Universitetin e Pragës (1393); frat Gjon Mazreku i Durrësit, prior provincial i Provincës së Dalmacisë (1393); frat Shtjefën Zaharia, konventual i Kuvendit të Ulqinit (1393); frat Gjergj Durrësaku, student i filozofisë në Universitetin Ferrara (1399); frat Mikel Durrësaku, student i filozofisë në Universtetin Ferrara (1396); frat Mikel Durrësaku, student i teologjisë në Kuvendin Papnor të Lombardisë (1396-97); frat Ndre Durrësaku, konventual i Kuvendit e Ankonës të Provincës së Lombardisë së Poshtme (1396); frat Aleks Durrësaku, profesor në Perugja (1477);  frat Gjon Ndre Suma i Shkodrës, gjithashtu profesor në Perugja (1477); frat Pjetër Radoni, rregulltar në treva arbërore të Venedikut (1486); frat Jan Nika, pleban i Novobërdës (1488); frat Vlash Shkodrani, vikar i Kuvendit të Arbanonit (1497); motra Domenika nga Tivari (1492-1493); frat Nikollë Durrësaku, magjistër gjeneral dhe prior i Durrësit (1492); frat Alberti i Novobërdës, konventual i Kuvendit të Raguzës (1499-1529); frat Lukë Mazi i Trepçës, i shquar për kujdesin ndaj të krishterëve arbërorë në Kosovë, gjatë sundimit turk (1534-1536), etj.

 4. Andrea (Ndre) Alleshi (1425-1505), Pagëzorja e Katedralës së Trogirit

Fotografia nr. 4. Andrea (Ndre) Alleshi (1425-1505), Pagëzorja e  Katedralës së Trogirit

 

Në Padova dhe Raguza ka jetuar dhe vepruar dominikani, më i moçmi humanist arbëror, astronomi Gjin Gazulli, i cili, me vëllezërit Palin dhe Andreun u shquan si diplomatë të mëdhenj në shërbim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në këtë aspekt, i njohim korrespondencat e tij me Papën për çështjen arbërore. Doktoroi në Padovë në vitin 1430, ku më vonë u emërua profesor në Universitetin e Padovës.

Dhe, së fundi duhet thënë se këtij vargu të dominikanëve të shquar arbërorë mund t’i shtohen edhe dhjetëra dominikanë të shquar, por s’na lejon vendi t’i numërojmë  të gjithë. Çdo njëri prej këtyre që u përmend më sipër kishte për të merituar patjetër t’i kushtohet ndonjë studim ca më i gjerë apo studim i veçantë, siç është shembulli me monografinë kushtuar Gjin Gazullit.

Me rënien e Kosovës (1455), Shkodrës (1479), Durrësit (1501), Tivarit e Ulqinit (1571), urdhrat e mëdha arbërore, shtyllat e kishës katolike arbërore, urdhri dominikan dhe benediktin, pothuaj, tërësisht pushuan së vepruari, por populli arbëror, i udhëhequr dhe nga kleri katolik vazhdoj qëndresën e organizuar përmes kryengritjeve të armatosura kundër Perandorisë Turke. Se si rezistuan dhe luftuan arbërit flet më së miri një dokument i dalë nga zyrat europiane, në të cilin thuhet: “Asnjë komb në Europë, që gjendet nën zotërimin e turkut nuk mund të flasë me zyrtarët turq me armë në breza në dorë, ashtu si flasin me guxim […] dukagjinasit dhe popujt e Arbërisë malore. Gjithashtu, asnjë komb në Europë, që është nën zgjedhën e turkut, nuk ka mundur të çojë krye kundër tij dhe të qëndrojë 100 vjet në kryengritje, në mbrojtje e në sulme të mëdha kundër pushtuesve, sikurse bëjnë arbërit”. 

Ky dokument dhe dokumente të tjera flasin më së miri për qëndresën e arbërve kundër pushtuesit, ku një kontribut të madh dhanë edhe kleri katolik.

Ka ende për t’u thënë, por besoj se kjo do të thuhet pasi të hulumtohen arkivat e vendeve të ndryshme ku do të provohet në mënyrë faktografike roli dhe kontributi i dominikanëve në periudha të ndryshme të historisë sonë. Pa zbardhjen e këtyre fakteve nuk mund të themi se historia jonë është shkruar e plotë dhe si duhet.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »