A jam i/e lumtur që jam fëmija i Hyjit?

Feb 2 • Meditimi i ditës

2 shkurt 2016 – E martë, Kushtimi i Krishtit në Tempull, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Mal 3,1-4; Ps 23; Heb 2,14-18; Lk 2,22-40)

 

Prania e Hyjit

 

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të ndjek ty.

Mbille në zemrën time dëshirën që çdo ditë

gjithnjë e më shumë të njoh ty dhe të dua ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në ç`gjë jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 2,22-40

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35 (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37 kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.

40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

 

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Këta rreshta më flasin për familjen e Jezusit. Jezusin nga ana e lindjes e detyronte Ligji hebre. Pas tetë ditëve është rrethprerë, që ishte shenjë e Besëlidhjes me Hyjin. Katërdhjetë ditë pas lindjes së Jezusit, nëna e tij Maria e kaloi procesin e pastrimit në Tempull dhe kushtoi dhuratën e parashikuar për këtë gjë: qengj për të pasurit, kurse dy turtuj për të varfrit.

 – O Zot, shpesh herë çoj krye kundër ligjit dhe varfërinë e përjetoj si diçka që nuk bën. E pra, nuk dëshiroj të jem ligj për vetveten. Varfëria durohet më lehtë kur bashkëndahet me ty.

 – Edhe mua një ditë më kanë kushtuar në tempullin-kishën tënde, në ditën e pagëzimit tim. A jam i lumtur për këtë që mund të quhem fëmija yt dhe të jetoj besëlidhjen time të pagëzimit me ty?

 

 Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »