Shën Vlashi, ipeshkëv dhe martir

Feb 3 • Këndvështrime

Nga Don Lush Gjergji

Shën Vlashi, ipeshkëv dhe martir i bashkësisë së krishterë në Sebaste, Armeni, ishte martirizuar në kohën e ashtuquajtur “pax costantiniana”, diku në vitin  316, pra, tre vite pas Ediktit të Milanos, me të cilin Kostantini i Madh i kishte dhënë Perandorisë Romake të drejtën dhe lirinë fetare për të krishterët, si parakusht qenësor për çdo lloj lirie tjetër fetare dhe qytetare. Sipas këtyre rrethanave përndjekja dhe vrasja e Shën Vlashit ishte e kufizuar në kohë dhe në hapësirë, pra, ishte e karakterit lokal, jo e përgjithshme. Pse ndodhi kjo? Historianët pohojnë se kishte mosmarrëveshje, tensione dhe aty-këtu edhe konflikte të hapura mes Lindjes dhe Perëndimit, dy realiteteve të njohura dhe të dalluara njëra prej tjetrës sa i përket gjuhës, perëndimorja me latinishte, lindorja me greqishte, traditave dhe kulturave të ndryshme, si dhe pretendimeve për ta sunduar njëra-tjetrën.

Rreth jetës dhe prejardhjes së tij janë dy tradita, e para, ajo që ishte nga Sebaste e Armenisë, dhe e dyta, që ishte ndoshta me prejardhje ilire – arbërore, ose që së paku kishte jetuar dhe ishte kapur nga ushtria romake në afërsi të Laçit, në Shqipërinë e sotme, ku gjendet shpella e “Shën Vlashit”, që populli e nderon me shtegtime, uratë, njete të ndryshme. Këtë hipotezë e kishte përpunuar dhe trajtuar atë Shtjeflën Gjeçovi, pastaj atë Vinçenc Malaj dhe të tjerë.

Ka shumë toponime me emrin e Shëna Vlashit  në vise të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar nga shpella e Shëna Vlashit në Laç tek kisha e Sh’na Vlashit në Durrës, e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë.

Shën Vlashi nderohet dhe lutet në botë, pra, edhe ndër shqiptarë të krishterë, si pajtor kundër çdo lloji sëmundjeje, sidomos të fytit. Tradita shekullore tregon se si një fëmijë gjatë ushqimit me peshk, i kishte mbet në fyt një halë dhe ishte në rrezik për vdekje. Duke kërkuar ndihmën e Zotit, me ndërmjetësinë e Shën Vlashit, ishte liruar prej këtij rreziku dhe kishte shpëtuar.

Gjatë shekujve, edhe sot, bekohet fyti me dy qirinj dhe me këtë lutje tashmë tradicionale: “Me ndërmjetësinë e Shën Vlashit, ipeshkëv dhe martir, të liroftë Zoti prej çdo sëmundjeje, sidomos sëmundje të fytit. Në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit Shenjt. Amen.”

Emri i tij Biagio rrjedhe nga gjuha latine, bleso, belbëzim, belbëzon, sepse fëmija i cili po furej prej eshtrave të peshkut, s’mund të fliste më, ishte në rrezik për jetë, bërtiste, belbëzonte, kërkonte ndihmë.

Tradita e lashtë e krishterë tregon se Shën Vlashi ishte mjek dhe njëkohësisht edhe ipeshkëv. Kjo kishte ndodhë për shkak të mosmarrëveshjeve mes Kostantinit dhe Licinit, Perëndimit dhe Lindjes. E kishin zënë në Romë dhe e kishin keqtrajtuar dhe munduar në forma të ndryshme, sepse nuk kishte pranuar në asnjë mënyrë ta mohonte fenë e krishterë: që Jezu Krishti është Shlëbuesi i mbarë botës, sepse kishte pësuar, vdekur dhe ishte ngjallur, për ta dëshmuar Hyjninë e tij dhe për të na dhuruar mundësinë e shëlbimit.

Tradita thotë që ia kishin prerë kryet, siç ndodhet shumë herë në përndjekjet romake. Në qytetin e prejardhjes dhe vendlindjes flitej për shumë mrekulli me ndërmjetësimin e tij. Ai lutet dhe nderohet si në Lindje, pra, në Kisha Ortodokse, ashtu edhe në Perëndim, në Kishën Katolike. Sa ishte në burg, dhe mundohej në forma të ndryshme, populli i krishterë lutej dhe fitonte shumë hire dhe mrekulli. Ka shumë kisha, vendbanime, qytete nëpër botë, ku nderohet dhe lutet nga populli i krishterë dhe ndërmjetëson për shëndetin e trupit dhe të shpirtit, sëmundje që kërcënojnë  dhe rrezikojnë jetën e çdo njeriu, pra, edhe të çdo të krishteri.

Ja shkurtimisht historiografia e Shën Vlashit sipas shënimeve të asaj kohe: Gjatë sundimit të Licinit në Lindje, dhe Kostantinit në Perëndim, Vlashi si mjek, shëronte çdo lloj sëmundjeje, edhe me mjekësi, por edhe më shumë me fe, uratë, pendesë dhe shembull të jetës së krishterë, në emër të Jezu Krishtit.

Shën Sebastiani dhe Shën Vlashi janë dy shenjtër në kohën më të ftohtë dimërore, pra, populli i nderon dhe iu lutet për t’i ruajtur prej sëmundjeve dhe rreziqeve të ndryshme trupore dhe shpirtërore, dhe për të ndërmjetësuar re Zoti për një jetë sa më të qetë dhe t’i mbrojtur nga rreziqet e ndryshme.

Tradita e bekimit të qirave dhe me qira edhe të fytit, ndërlidhet me Zojën e Qirave, 2 shkurt, kur përkujtohet paraqitja e Jezusit 40 ditë pas lindjes në Tempullin e Jerusalemit, sipas ligjit dhe traditës së Moisut. Me këtë rast, përpos bekimit të qirave, bekohen edhe gjëra ushqimore të llojeve të ndryshme. Kush nuk e ka bërë këtë ditën e Zojës së Qirave, e bënë për festën e Shën Vlashit, si vazhdimësi për uratë dhe kërkim të ndihmës  së Zotit.

Dy qira në formë të kryqit, për të dëshmuar se Shën Vlashi, si dhe çdo shenjt dhe martir, ka jetuar dhe dëshmuar mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, Shëlbuesit tonë. Kulti i Shën Vlashit ndër Shqiptarë dëshmon edhe një herë lashtësinë e krishterimit ndër ne që nga kohët apostolike, si dhe autoktoninë tonë, martirizimit shumëshekullore, besnikërinë ndaj Krishtit dhe Kishës Katolike, me shumë vështirësi, përndjekje, martirizimi, vuajtje. Martirët, për Popullin tonë, ishin dhe mbesin shembull, dëshmi, ndërmjetës para Zotit, që t’i mbesim besnikë Zotit, Kishës, vetvetes, premtimeve të pagëzimit, jetës së krishterë në çdo kohë dhe hapësirë.

Shën Vlashi, lutu, ndërmjetëso dhe na mbro ne nga çdo e keqe, rreziku, mbi të gjitha nga mëkati, dhe na ndihmo ta shpëtojmë shpirtin, dhe një ditë të jemi së bashku në lumturinë e jetës së pasosur. Amen.

san_biagio

Shpërndaje

Comments are closed.

« »