U kremtua 3 vjetori i Radio Marisë në Kosovë

Feb 3 • Kisha në Kosovë

Ky përvjetor, vetvetiu i vogël, për ne i rëndësishëm dhe domethënës, është përkujtuar dhe kremtuar në mënyrë të thjeshtë, me ndjenja të thella të uratës, nderimit dhe falënderimit:

– Ndaj Zotit, Virgjërës Mari dhe Kishës katolike ndër ne, që na ka mundësuar këtë mjet të madh të komunikimit të Fjalës së Zotit;

– Dëgjuesve tanë anekënd Kosovës dhe më gjerë, që janë dhe mbesin “pasuria” më e madhe e Radio Marisë;

– Bamirësve tanë ndërkombëtar dhe vendor, pa të cilët s’do t’i kishim këto valë, për ne risi dhe mundësi e madhe,  me përmbajtje shpirtërore, kulturore, fetare;

Tryeza e rrumbullakët në Radio Mari: 10. 00 – 10. 45 h

– Para dite, më 29 janar 2016, në ora 10. 00 ishte transmetimi i drejtpërdrejt i emisionit “Ta njohim dhe përkrahim Radio Marinë e Kosovës” me pjesëmarrje të Don Rrok Gjonlleshaj, famullitari i Prishtinës, drejtori i parë i Radio Marisë në Kosovë, Mag. Arben Arifi dhe Don Lush Gjergji.

– Pas paraqitjes së shkurtë të historikut të Radio Marisë në Itali, pastaj në botë, me Familjen e madhe të saj tashmë në botë me këto vende:

– Në Evropë më 27 shtete; në dy Amerika më 24; në Afrikë më 19; në Azi më 3 dhe në Oqeani me 1,  gjithnjë në rritje dhe përhapje, janë paraqitur edhe disa të dhëna për Itali, ku çdo i 10 qytetar është dëgjues i rregulltë; në çdo moment të ditës dhe natës, pra, 24 orë, janë së paku 30 milion dëgjues, me më së 20 mijë vullnetarë.

– Pjesa e dytë e emisionit ishte përqendruar në një bashkëbisedim të programeve tek ne, me Radio Marinë e Shqipërisë, me rëndësi të uratës, bisedimeve me dëgjues, shoqërimit me të sëmurë dhe të vetmuar, sidomos atyre që janë në kërkim të vlerave fetare, morale dhe kanë prirje për përshpirturi.

– Pjesa e tretë, e fundit, e këtij emisioni, është kushtuar Radio Marisë dhe bashkëpunimit me Kishën Katolike, me Papën Françesku, me këto tipare dalluese: si vepër e Provanisë së Zotit; me besnikëri dhe dashuri për Zotin, Marinë, Kishën dhe çdo njeri vullnetmirë.

– Parim dhe synimi i Radio Marisë në botë, pra, edhe në Kosovë, mund të sintetizohet kështu: “ Kudo të jetë një njeri, aty do të jetë edhe Radio Maria, si zëri i Zotit, Virgërës Mari, Kishës, për udhëzim dhe ndihmesë në çdo vend dhe rrethanë jete”.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj dite ishte Mesha shenjte në Katedralen “Nëna Tereze” në Prishtinë, në ora 18.00, e paraprirë me lutjen e rruzares. Gjatë homelisë Don Lush Gjergji ceku ndjenjat e nderimit dhe të falënderimit ndaj këtij Hiri të madhe, të cilin më parë as që kishim guxuar ta ëndërrojmë. Radio Mari e krahasoj më farën e sinapit, që  si  e vogël, bëhet “gjiganti” i Zotit ndër ne, së pari në Shqipëri, pastaj edhe në Kosovë.

Përshtypje e bukur dhe e thellë shpirtërore ishte Lutja e besimtarëve dhe Paraqitja e dhuratave, me simbole liturgjike, katekistike dhe kombëtare.

Kjo ditë e bukur dhe e bekuar, dhuratë e Zotit dhe Zojës Mari, përfundoi me një koktej vëllazëror, me shkëmbime të mendimeve, propozimeve dhe iniciativave të reja, që së shpejti do të mundohemi t’i realizojmë. (Teksti nga Radio Maria Kosovë)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »