Udhës i (pa)ngarkuar

Feb 4 • Meditimi i ditës

4 shkurt 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 2,1-4.10-12; Ps: 1 Kro 29,10-12; Mk 6,7-13)

 

Prania e Hyjit

 

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

 

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem me frikën dhe pritshmëritë çfarë do të nevojitej apo duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mk 6, 7-13

 

7 Atëherë i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. 8 U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, 9 por të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

10 Dhe u thoshte:

“Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. 11 Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.”

12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. 13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?



Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Pushteti mbi shpirtrat e këqij që nxënësit e morën është zgjatje e pushtetit të vetë Jezusit. Kushtet serioze të punës që Jezusi i vendos shërbejnë që të dymbëdhjetët të jenë në gjendje të besojnë në Hyjin, dhe jo në të mirat materiale, nëse dëshirojnë që misioni i tyre të ketë sukses.

– Çka më pengon dhe më mban që nuk mundem të udhëtoj pa “shumë çanta”?

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të të zë besë si fëmija.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »