Frika nga fjalët e të tjerëve

Feb 5 • Meditimi i ditës

5 shkurt 2016 – E premte, Shën Agata, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e  ditës: Sir 47,2-11; Ps 17; Mk 6,14-29)

 

Prania e Hyjit

 

Sa më shumë i drejtohemi me përgjërim Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Kur e ndjej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 6,14-29

 

14 Edhe mbreti Herod dëgjoi për Jezusin, sepse emri i tij u bë i njohur. Thuhej: “Gjon Pagëzuesi u ngjall prej të vdekurish, prandaj në të po veprojnë fuqitë mrekullibërëse”. 15 Disa të tjerë thoshin: “Është Elia!” Prapë disa tjerë: “Është profet si çdo profet tjetër!” 16 Kur dëgjoi, Herodi tha: “U ngjall Gjoni, ai, të cilit ia pata shkurtuar kokën!”

17 Dhe njëmend, vetë Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, të ngujohej në pranga e të burgosej. Shkaku ishte Herodiada, gruaja e Filipit, të vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua. 18 E pasi Gjoni i kishte thënë Herodit: “S’guxon ta mbash gruan e vëllait tënd!”, 19 Herodiada e urrente dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 sepse Herodi e druante Gjonin. E dinte mirë se është njeri i drejtë e i shenjtë e prandaj edhe e mbronte. Kur e dëgjonte, trazohej fort në shpirt, por prapëseprapë e dëgjonte me ëndje.

21 Por erdhi dita e volitshme, kur Herodi, me rastin e ditëlindjes së vet, u përgatiti një gosti bujarëve të vet, oficerëve të lartë dhe krerëve të Galilesë. 22 Hyri vajza e Herodiadës e kërceu. I pëlqeu shumë Herodit dhe të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës.

“Lyp prej meje çka të duash dhe unë do ta jap.”

23 Dhe iu përbetua (shumë):

“Do të jap gjithçka të më lypësh, qoftë edhe gjysmën e mbretërisë sime!”

24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës:

“Çka të kërkoj?

“Kokën e Gjon Pagëzuesit!” ‑ i tha ajo.

25 Vajza u kthye vrik te mbreti e i tha:

“Dua të ma japësh tani në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit.”

26 Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të ftuarve, nuk deshi t’ia mohojë kërkesën. 27 Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t’ia sjellë kokën e Gjonit. Ky shkoi, ia shkurtoi kokën në burg, 28 e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s’ëmës.

29 Kur dëgjuan nxënësit e Gjonit, erdhën, morën trupin e tij dhe e shtinë në dhe.

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Herodi kishte frikë nga Gjon Pagëzuesi, nga popullariteti i tij, mirëpo kishte frikë edhe nga kryengritja e shumëve që shkonin pas tij dhe kërkonte mënyrën se si ta ndërpriste këtë rrjedhojë. Vendosi të godas i pari, dhe ngjarja për të cilën sot flitet i ka ofruar një rast të shkëlqyeshëm.

– Premtimi turravrap i Herodit nxiti në të një të ardhur keq sepse kishte frikë të tregohej si qyqar dhe ta tërhiqte fjalën.

– Cilat janë ndjenjat e frikës dhe qëndrimet/veprat qyqare të mia?

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »