Besimi në Fjalën e Zotërisë bënë mrekulli

Feb 6 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela V gjatë vitit (C)

 

Leximi parë: Is 6, 1-2.3-8

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin. Serafinët qëndronin në këmbë përngjatë tij. I brohoritnin njëri-tjetrit: “Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me lavdinë e tij!” E u dridhen pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe shtëpia u mbush me tym.  Unë thashë: “I mjeri unë, qetash sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra, e me sy të mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!”  Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri. Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!”  Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thonte: “Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë përgjigja: “Qe, ku më ke, më dërgo mua!”              

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 138

Ref: T’i këndojmë Zotit, para engjëjve të tij.

——————————————————

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,

sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.

Të këndoj në praninë e engjëjve,

adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

———————————————————

E lavdëroj Emrin tënd

për dashurinë e besnikërinë tënde,

sepse e madhërove tesve premtimin tënd.

Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,

shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

—————————————————————-

Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës,

sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.

Do t’i këndojnë udhët e Zotit,

sepse e madhe është lavdia e Zotit.

—————————————————-

Çka kam filluar, Zoti do ta kryejë për mua.

E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:

mos e përbuz veprën e duarve të tua!

—————————————————

 

Leximi i dytë: 1 Kor 15, 1-11

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot. 

Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri, si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj u duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. Më së fundi m’u dëftua edhe mua, dështakut.

E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua. Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat.            

Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Unë ju zgjodha juve në mes të botës, thotë Zoti,

që të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë.

Aleluja.

 

+ Ungjilli   Lk 5, 1-11

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ishte një ditë Jezusi në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po i lanin rrjetat. Hyri në njërën prej atyre lundrave – në atë që ishte e Simonit – dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.  Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por, pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.” Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish – gati po u shqyheshin rrjetat. Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.  Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë tjerët që ishin me të; gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.” Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij. 

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Vëllezër dhe motra, ne çdo të diele, vazhdojmë të ecim me Krishtin, në rrugën e tij, duke dëgjuar edhe ne ashtu si apostujt, mësimet e tija. Le të meditojmë së bashku mbi leximet e sotme e të mundohemi të nxjerrim porosinë, të cilën nëpërmes tyre Zoti na e drejton neve.

Leximi i parë

Isaia profet ka lindur në Jerusalem rreth v. 760 para Krishtit, siç thotë vet, gjatë mbretërimit të Ozisë. Në detyrën e profetit, Zoti e thirri në v 640 kur edhe vdiq mbreti Ozi. Emri i Isaisë  do të thotë Jahve që shpëton, emër ky që lidhet ngushtë me Zotin e Izraelit, si Zot shpëtimprurës. Përndryshe, shenjtëria e këtij Zoti, është tema qendrore e Isaisë. Shenjtëria e Zotit kërkon edhe shenjtërimin tonë.

Besimtar i dashur, secili prej nesh dëshiron të arrijë diçka të mirë në jetë, të suksesshme, por cili prej nesh dëshiron të bëhet i shenjtë, siç na urdhëron edhe Krishti?

Psalmi 138, është Kënga e falënderimit e Davidit mbret. Ai e falënderon Zotin pse ia dëgjoi uratën dhe ia ktheu hirin. Këto fjalë të bukura, mund t`i konsiderojmë edhe si lumturi personale, por edhe si lumturi që jemi të ftuarit e Hyjit. Autori këtyre vargjeve (Davidi) por edhe besimtari jeton vazhdimisht në praninë e Hyjit dhe e lëvdon atë. Vërtet jetoj unë në praninë e Zotit dhe jam i lumtur për këtë?

Leximi i dytë

Në qytetin grek Korint, që ishte kryeqyteti i krahinës romake Akaja, shën Pali në v. 57 e themeloi bashkësinë e krishterë. Në këtë qytet bregdetar, mes lindjes dhe perëndimit, ndesheshin njerëz të kulturave të ndryshme. Shën Pali, këtu për herë të parë u takua vërtet me botën pagane dhe kishte shumë vështirësi për të ruajtur të krishterët nga ndikimet pagane. Disa të krishterë të këtij qyteti nuk e pranonin ringjalljen. Shën Pali kërkon prej tyre të pranojnë ungjillin ashtu siç ju ka predikuar ai.

Mos harro: Nuk je besimtar i mirë, nëse thua besoj në ringjalljen e Krishtit, por a beson në ringjallën tënde personale? Nga përgjigja jote varet krejt jeta jote edhe si besimtar, por edhe si njeri!

Ungjilli 

Të gjithë ata që kanë shtegtuar në Tokën shenjtë- në mesin e tyre jam edhe unë- e bëjnë lundrimin nëpër Liqenin e Gjenezaretit për të përjetuar për së afërmi edhe mrekullinë nga ungjilli sotëm. Sot, takojmë Krishtin që si ambon i shërben barka. E çka ju tha Krishti njerëzve? Ndoshta se Ati na do, se duhet të jemi në shërbim të njëri- tjetrit… duhet të gjejmë kohë për lutje… apo ndoshta se edhe mossuksesi është pjesë përbërëse e jetës… të gjithë e dëgjonin me kënaqësi… Po unë, sa e dëgjoj Zotin?

Pastaj Luka ungjilltar na flet për mrekullinë e peshkimit, në pikë të ditës, por edhe në peshkimin e apostujve. Pse Krishti hyri në barkën e Simonit? A thua rastësisht? Sa herë edhe ne themi pse bash mua kjo sëmundje, ky kryq? E di Krishti pse? Por sa ne dimë si Simoni të themi: Unë mendoj ndryshe, por pasi po thua ti, o Jezu, po pranoj vullnetin tënd!?

Besimtar i dashur, situatën mes Simonit dhe Krishtit mund ta kuptojmë në mënyrë metaforike: Krishti nuk kërkon nga Simoni të jetë ndryshe nga çka është, por që t`i kthehet qenies së vet autentike. Krishti, dëshiron ta kuptojmë se në brendinë tonë jeton Krishti i gatshëm të bëjë mrekulli. Krishti, dëshiron të mos jemi sipërfaqësor. Na thërret të largohemi nga rutina e përditshme, nga shprehitë, qofshin edhe ato fetare, e sidomos negative, dhe na thërret të thellohemi në brendinë e shpirtit tonë dhe aty të takohemi me Krishtin, të njohim vetveten dhe me ndihmën e tij, në përvujtëri, të zbulojmë dobësitë, mëkatet tona, të cilat duhet t`i përmirësojmë.  Secili prej nesh duhet të jetë peshkatar njerëzish, të ndihmojmë të tjerët të jenë në shërbim të Zotit, njerëz të paqes…  

Vëllezër dhe motra, ta falënderojmë Krishtin për ipeshkvin tonë, meshtarët, rregulltaret dhe të lusim së bashku që të na ndihmon të jemi në shërbim të Zotit dhe vëllait njeri.

Ne, sot mos t`i themi Krishtit: Largohu prej nesh se jemi mëkatarë! Por të kundërtën: Rri me ne, o Jezu, sepse pa Ty jemi të dobët, kemi nevojë për Ty, o Jezu, gjithmonë dhe gjithkund. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, pasi dëgjuam fjalën dhe porosinë e Zotit për ne, duke pasur parasysh se Ai na thërret edhe neve të bashkëpunojmë me Të në planin e tij të shëlbimit, me përvujtëri i themi: 

Rri me ne, o Jezu. 

– Që Kisha jote, o Jezu, e frymëzuar dhe e forcuar nga Shpirti Shenjt, t’u përgjigjet gjithmonë thirrjeve të tua me bujari e angazhim, për të qenë në botë shenjë shprese, mëshire dhe dashurie,  të lutemi

 Ndihmoj të krishterët, o Zot, që dhuratën e fesë ta pranojnë si detyrë jetësore dhe thirrje për të ndërtuar një botë me të drejtë dhe më paqësore, të lutemi.

– Jemi në Vitin e Mëshirës Hyjnore. Na ndihmo të hapim dyert e zemrave tona për të gjithë ata njerëz me të cilët nuk flasim, dhe duke pranuar mëshirën tënde, të jemi edhe ne të mëshirshëm me të tjerët, të lutemi.

– Na ndihmo o Jezu, të largohemi nga shprehitë negative, mëkatet tona dhe duke besuar në Fjalën tënde, të ecim rrugës së shëlbimit, të lutemi.

– Bekoje punën dhe mundin e besimtarëve tanë, dhe ndihmoji të punojnë edhe për të mirat shpirtërore, të lutemi.

O Zot, i pasur me mirësi dhe mëshirë, pranoji lutjet dhe njetet tona, na ndihmo, na ruaj e na mbroj nga i keqi dhe e keqja, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »