Frika nga e panjohura

Feb 7 • Meditimi i ditës

7 shkurt 2016 – e diela 5-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e  ditës: Is 6,1-2a.3-8; Ps 137; 1 Kor 15,1-11; Lk 5,1-11)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 5, 1-11

 

1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.

4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:

“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

5 Simoni i tha:

“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”

6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.

8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:

“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”

9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:

“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”

11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.

 

 Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

–  “Grahi në ujë të thellë!” Kam frikë nga e panjohura sikurse dikush që ka frikë nga deti, nëse s`di të notojë. Do të lus për besimin e Pjetrit kur të më kërkohet prej meje për ta “hedhur rrjetën” në territor të panjohur.

– Mos u largo nga unë, o Zot, sepse jam një person mëkatar dhe aq shumë kam nevojë për Ty!

 

 Bashkëbisedimi

 

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,

e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,

dhe i flas gjithçka kam në mendje, çfarë ma thotë zemra,

si shoku shokut.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »