Fëmijët në Familje (I)

Feb 8 • Familja

Nga Papa Françesku

 

Pasi që  kam trajtuar figura të ndryshme të jetës familjare – nënë, babë, fëmijë, vëllezër, gjyshër – dëshiroj të përmbyllë këtë pjesë të parë të katekizmit mbi familjen, duke folur për fëmijët. Këtë do ta bëj në dy pjesë: sot, do të ndalëm mbi dhuratën e madhe për njerëzimin, që janë fëmijët. Është e vërtetë se ata janë dhuratë e madhe për njerëzimin, por janë edhe një përjashtim i madh, sepse as që i lënë të vijnë në jetë – ndërsa herën tjetër, do të ndalëm mbi disa plagë që fatkeqësisht e dëmtojnë fëmijërinë. Me sillen nëpër mend shumë fëmijë që kam takuar gjatë udhëtimit tim të fundit në Azi: plotë jetë, me entuziazëm-e në anën tjetër- shoh se në botë shumë prej tyre jetojnë në kushte jo të mira… Në fakt, sipas mënyrës së trajtimit të fëmijëve, mund të gjykohet edhe shoqëria, por jo vetëm moralisht, por edhe sociologjikisht, nëse një shoqëri është e lirë apo një shoqëri skllave e interesave internacionale.

Në rend të parë, fëmijët na rikujtojnë se të gjithë, në vitet e para të jetës, kemi qenë krejtësisht të varur nga kujdesi dhe nga dashamirësia e të tjerëve. Pra, as Biri i Hyjit, nuk është kursyer në këtë periudhë. Është Misteri që sodisim çdo vit për Krishtlindje. Figura e Betlehemit, është ajo që na transmeton këtë realitet në mënyrë më të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë. Kjo është shumë interesante: Hyji s’e ka të vështirë të bëhet i kuptueshëm për fëmijët, edhe fëmijët s’kanë problem që ta kuptojnë Hyjin. Jo rastësisht, në Ungjill janë disa fjalë të Jezusit shumë të bukura dhe të fuqishme mbi “të vegjlit”. Ky term, “të vegjlit” u drejtohet të gjithë personave që janë të varur nga ndihma e të tjerëve, e në veçanti fëmijëve. P.sh. Jezusi thotë: «Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fsheh këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve» (Mt 11, 25). Përsëri: «Ruajuni se përbuzni ndonjë prej kësi të vegjlish, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor» (Mt 18,10).

Ja pra, fëmijët si të tillë, janë një pasuri për njerëzimin, dhe gjithashtu për Kishën, sepse vazhdimisht na kujtojnë kushtin e nevojshëm për të hyrë në Mbretërinë Hyjit: që mos të konsiderohemi të vetë-mjaftueshëm, por të nevojshëm për ndihmë: për dashuri dhe për falje. Pra, të gjithë jemi nevojtarë të ndihmës, dashurisë e të faljes!

Fëmijët, na kujtojnë edhe një gjë të bukur: na kujtojnë se jemi gjithmonë fëmijë (bijë/bija), edhe pse ai/ajo bëhet i/e madh, o i/e moshuar, edhe pse bëhet prindër, merr një pozitë më përgjegjësi, në themel të gjitha këtyre mbetet identiteti i fëmijës. Të gjithë jemi bijë dhe bija. E gjithë kjo na sjell te fakti i përhershëm, se jetën s’e kemi fituar ne, por e kemi marrë.  Dhurata e madhe e jetës është, pra, dhurata e parë që e kemi marrë. Shpeshherë rrezikojmë të jetojmë duke e harruar këtë, sikur të ishim ne pronarët e ekzistencës sonë, e në fakt jemi të varur krejtësisht. Në të vërtetë, është motiv i një gëzimi të madh të dëgjohet se në çdo moshë të jetës, në çdo situatë, në çdo gjendje të jetës, jemi dhe mbetemi fëmijë. Ky është mesazhi kryesor që na japin fëmijët me pranin e tyre: vetë prania e tyre na kujtomë se të gjithë ne jemi fëmijë (bijë dhe bija).

Por, janë shumë dhurata, shumë pasuri që fëmijët i sjellin njerëzimit. Po i kujtoj vetëm disa.

Fëmijët e sjellin mënyrën e tyre për ta shikuar realitetin, me një shikim të besueshëm e të pastër.  Fëmija e ka një besim spontan në babën dhe në nënën; e ka besimin spontan në Hyjin, në Jezusin e në Zojën e Bekuar. Në të njëjtën mënyrë, shikimi i brendshëm i tyre është i pastër, ende i panjollosur nga e keqja, nga dyfytyrësitë, nga “përbaltjet” e jetës që i shtrëngojnë zemrat. Ne e dimë se edhe fëmijët e kanë mëkatin e rrjedhshëm – që e ka egoizmi i tyre – por e ruajnë një pastërti e një thjeshtësi të brendshme. Megjithatë, fëmijët nuk janë diplomatikë: tregojnë atë që dëgjojnë, tregojnë atë që shohin, drejtpërdrejtë. Shumë herë janë një sfidë për prindërit, duke thënë para personave të tjerë: “kjo nuk më pëlqen, sepse është e keqe”. Por, fëmijët tregojnë atë që shohin, nuk janë persona të dyfishtë, nuk e kanë mësuar ende  atë shkencën e dyfytyrësisë që ne të rriturit fatkeqësisht e kemi mësuar.

Mandej – në thjeshtësinë e brendësisë së tyre – mbartin në vete shkathtësinë që të fitojnë dhe të  dhurojnë butësi. Butësia është të kesh një zemër “të mishit” e jo të “gurit”, si thotë Bibla (khs. Ez 36, 26). Gjithashtu, butësia është edhe poezi: të “ndjesh” gjërat dhe ngjarjet, të mos i trajtosh si objekte të thjeshta, vetëm për t’i shfrytëzuar, sepse nevojiten…

Fëmijët, kanë aftësinë që të buzëqeshin dhe të qajnë. Disa, kur i marrë për t’i përqafur, buzëqeshin. Të tjerët, duke më parë të veshur me të bardha, mendojnë se unë jam një mjek dhe vijë për t’i vaksinuara dhe qajnë… në mënyrë spontane! Fëmijët janë kështu: qeshin dhe qajnë, dy gjëra që në ne të rriturit shpesh “bllokohen”, nuk jemi më të shkathë… Shpeshherë buzëqeshja jonë bëhet buzëqeshje e kartonit, e pajetë, buzëqeshje jo e gjallë, si dhe një buzëqeshje artificiale sikur të ishte buzëqeshje e palaços. Fëmijët buzëqeshin në mënyrë spontane dhe qajnë spontanisht. Gjithmonë varet nga zemra, që shpeshherë zemra jonë bllokohet dhe e humbë shkathtësinë e të buzëqeshurit. e të qarit. Kështu që fëmijët sërish mund të na mësojnë të buzëqeshim dhe të qajmë. Ndërsa ne, duhet të pyesim vetveten: unë qeshi spontanisht, me freski, me dashuri apo buzëqeshja ime është artificiale?  Unë ende qaj  apo e kam humbur shkathtësinë e të qarit? Dy pyetje shumë njerëzore që na mësojnë fëmijët.

Për gjitha këto arsye, Jezusi i thërret nxënësit e vetë që të “ bëhen si fëmijë”, sepse “ kush është si ata, i takon Mbretëria e Hyjit” (khs. Mt. 18,3; Mk. 10,14).

Të dashur vëllezër e motra, fëmijët sjellin jetë, gëzim, shpresë, por edhe telashe. Por, jeta është kështu. Është e qartë se ata sjellin edhe shqetësime e herë-herë edhe probleme;  por, më mirë është të jetë një shoqëri me shqetësime e probleme të tilla, se një shoqëri e trishtuar dhe e hirtë, sepse ka mbetur pa fëmijë! Kur vërejmë se niveli i natalitetit të një shoqërie vjen në një përqindje, mund të themi se kjo shoqëri është e trishtuar, është e hirtë, sepse ka mbetur pa fëmijë.

 

(Testi i plotë nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 18 mars 2015. Përktheu nga italishtja: M. Amanda Shkoza)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »