Pse të krishterët agjërojnë në Kreshmë?

Feb 9 • Këndvështrime

Agjërimi është një mënyrë për t`u përqendruar dhe për ta kujtuar atë që është më e rëndësishmja. Ne kemi shumë prioritete konkurruese në jetë, dhe për këtë arsye shpesh Zotin nuk e kemi në vendin e parë. Agjërimi na ndihmon, duke na drejtuar kah ajo që është më e rëndësishmja. Kështu ushtrojmë t`i mbajmë gjërat e para si gjëra të para. Kjo është arsyeja pse të krishterët e hershëm para marrjes së vendimeve të mëdha gjithmonë agjëronin (khs. Vap 13, 2 – 3, 14,23). Heqja dorë na ndihmon për të vëzhguar më mirë prioritetet e Hyjit për jetën dhe shërbimin që e bëjmë.

 

Kreshma është kohë prej dyzet ditëve (pa i numëruar të dielat) liturgjike e agjërimit, lutjes së veçantë dhe dhënies lëmoshë si përgatitje për Pashkë – për festën e Ngjalljes së Krishtit.

Është bërë traditë që gjatë kohës së kreshmës, shumë njerëz të “heqin dorë nga diçka” duke dashur në këtë mënyrë të tregojnë se duan të bëjnë pendesë, të kthehen. Është shumë e mundshme që edhe ti vetë e praktikon këtë traditë. Në disa nga shembuj prej çfarë gjëje njerëzit heqin dorë bëjnë pjesë çokollata, alkooli, pirja e duhanit, televizioni, interneti apo diçka tjetër. Njerëzit kanë shumë arsye të ndryshme përse heqin dorë nga diçka gjatë kohës së kreshmës. Ashtu si te shumë praktika ka disa arsye të mira, por ka edhe disa arsye jo aq të mira për ta bërë një gjë të tillë. Unë do t`i numëroj disa nga arsyet jo aq të mira:

 

1. Për shkak se është traditë

Ka shumë tradita të mira në kishë. Shumica e këtyre traditave apo zakoneve kanë filluar për shkaqe/arsye të mira. Por, shpesh vjen një kohë kur e humbim lidhjen me qëllimin apo arsyen e asaj tradite, kështu e vazhdojmë traditën për shkak të traditës. Nëse s`je i/e sigurt se cili është qëllimi i një tradite, atëherë ndoshta ka ardhur koha që të ndalesh, e mos të veprosh automatikisht. Mos e bëj një send vetëm pse është traditë: traditë për shkak të traditës; ose të paktën kthehu prapa dhe ri-shikoje origjinën dhe arsyen e vërtetë.

 

2. Kjo më ndihmon për t`u lidhur me vuajtjet e Jezusit

Shumë besojnë se duke bërë një sakrificë se kjo do t`u ndihmojë për t`u lidhur më mirë me vuajtjet e Jezusit. Por në qoftë se mendon pak më shumë, Jezusi s`dëshiron që ti të vuash, ta torturosh veten, që ti të ndihesh keq. Jezusi lirisht e dha jetën e Tij si flijim – por ai nuk e miraton dhunën. Ai i pranoi vuajtjet, që mos t`ia kthente tjetrit të keqen me të keqe. Ai do që njerëzit të duhen në mes veti. Vuajtja e tija ishte brutale. Ai edhe sot vuan në çdonjërin prej nesh. Të mendosh për mundimet e Krishtit do të duhej të na ndihmojë që të bashkë-ndiejmë me ata që vuajnë, që janë të shfrytëzuar, të pafuqishëm.

 

3. Për të më ndihmuar të ndihem më mirë

Për disa besimtarë heqja dorë nga diçka për Kreshme është një mënyrë për të hequr qafe disa zakone ose vese të këqija. Kreshma shërben si një katalizator për të jetuar më shëndetshëm dhe një jetë më të balancuar. Ajo do të mund të shërbente që të të ndihmojë për të ngrënë më mirë ose ta shfrytëzosh kohën tënde më mirë. E gjithë kjo është për lëvdatë – sigurisht që Zoti dëshiron që ne të jemi kujdestarë të mirë të jetës sonë. Por kjo ende s`e arrin atë përvojën e plotë të Kreshmës.

Cila, pra, është esenca e agjërimit? Pse do të hiqje dorë nga diçka për Kreshme?

E tërë ideja pas sakrificës apo heqjes dorë quhet agjërim, pendesë ose më saktë: kthim (gr. metanoia). Agjërimi është një disiplinë shpirtërore, si lutja, leximi i Biblës dhe adhurimi. Në Predikimin në Mal, Jezusi tha: “Kur të agjërosh… ” Ai nuk tha “Nëse do të agjërosh ndonjëherë… ” Pra, pritej që dishepujt e tij të agjërojnë, do të thotë të kthehen – të heqin dorë nga e keqja.

Këtu më poshtë janë disa nga arsyet e mira se pse ne agjërojmë apo “heqim dorë nga diçka për Kreshmë”:

 

4. Për të qenë më shumë të Zotit

Edhe pse ideja e agjërimit dhe pendesës përfshin heqjen dorë nga diçka, në fund të fundit, kemi të bëjmë me faktin që të jemi më shumë të Zotit. Agjërimi është si para-gjella. Kjo do të na çojë në uri në stomakun tonë, e cila ka qëllimin final për të na lidhur me urinë tonë për Hyjin. Ndoshta atë kohë që e shpenzon duke përgatitur ushqimin dhe koha kur ha një vakt tani mund të shpenzohen në vaktin e Fjalës së Zotit. Me fjalë të tjera, koha që do të shpenzoje duke ngrënë tani, do ta shpenzosh duke lexuar Biblën dhe duke u lutur. Jezusi tha: “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit” (Mt 4,4). Në këtë mënyrë fillojmë të kuptojmë se ushqimi ynë, dhe çdo gjë që kemi, vjen nga Hyji. Në qoftë se Hyji s`do ta kishte siguruar atë me provaninë e tij, ne nuk do ta kishim (khs. Gjn 6, 68-69). Ne e eliminojmë atë që mendojmë se kemi nevojë për të arritur atë që me të vërtetë kemi nevojë.

 

5. Heqja e pengesave

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i agjërimit është braktisja e asaj që e pengon marrëdhënien tonë me Hyjin. Nuk ka asgjë më të rëndësishme në këtë botë se marrëdhënia jonë me Zotin. Megjithatë, ne lejojmë kaq shumë gjëra të tjera të na zënë rrugën. Në njërin prej mesazheve të ungjillit Jezusi thotë “Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje!… E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje!” (khs. Mt 5, 29-30). Parimi i përdorur, e që vlen dhe këtu, është që të heqim dorë nga ajo që na ndan nga Hyji. Ka shumë gjëra në jetë, për të cilat mendojmë se s`mundemi pa to, por Jezusi thotë se vetëm një gjë është e nevojshme (khs. Mt 10, 41-42).

 

6. Rivendosja në qendër

Së fundi, agjërimi është një mënyrë për t`u përqendruar dhe për ta kujtuar atë që është më e rëndësishmja. Ne kemi shumë prioritete konkurruese në jetë, dhe për këtë arsye shpesh Zotin nuk e kemi në vendin e parë. Agjërimi na ndihmon, duke na drejtuar kah ajo që është më e rëndësishmja. Kështu ushtrojmë t`i mbajmë gjërat e para si gjëra të para. Kjo është arsyeja pse të krishterët e hershëm para marrjes së vendimeve të mëdha gjithmonë agjëronin (khs. Vap 13, 2 – 3, 14,23). Heqja dorë na ndihmon për të vëzhguar më mirë prioritetet e Hyjit për jetën dhe shërbimin që e bëjmë.

Shqyrtoje vetveten, si qëndron puna me ty? Cilat janë disa nga arsyet pse ke ndërmend të agjërosh apo “heqësh dorë nga diçka” gjatë kohës së kreshmëve? A nuk do të ishte më mirë të vendosësh të heqësh dorë për shembull nga faji, sepse je i/e dashur nga Jezusi dhe ai t`i ka falur mëkatet; të heqësh dorë nga frika, zilia, padurimi, ndjenja që gjithmonë të kesh të drejtë, mërzia, akuzimi, thashethemet dhe negativiteti, keqardhja për vetveten, krenaria, brengat.

Të hequrit dorë nxit rritjen shpirtërore – lirinë shpirtërore. Nëse ke vendosur të heqësh dorë nga diçka për Kreshmë, shkëlqyeshëm. Por mendo edhe për mundësitë për të bërë diçka pozitive për të forcuar jetën tënde shpirtërore dhe për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar. Shikoji mënyrat që mund të rrisin njohuritë tua në lidhje me besimin, fenë tënde, forcoje jetën tënde shpirtërore, ose bëje ndonjë punë të veçantë bamirësie dhe mirësie në shtëpi, në punë, shkollë, famullinë apo në bashkësinë tënde.

Më poshtë po t`i sjell disa propozime se çfarë mund të lutësh ose nga çfarë mund të heqësh dorë gjatë kësaj kreshme:

Fillojeçdo mëngjesme lutjen: “Zot, po ta paraqes këtë ditë, dhetë gjitha mendimet, veprat dhe fjalët e mia.”
• Merr pjesë në Meshë ditëve të javës sa më shpesh të jetë e mundur.
• Luti misteret e mundimit të rruzares së shenjtë.
• Lute Udhën e Kryqit në shtëpi ose në famulli, mision.
• Lexoje Shkrimin Shenjt 10 minuta çdo ditë.
• Luti shtatë psalmet e pendimit (Psalmi 6, 31, 50, 101, 129 dhe 142).
• Kaloji disa minuta në lutje të qetë para të Shenjtërueshmit Sakrament.
• Heq dorë nga mishi për një ditë shtesë, ose dy, çdo javë.
• Dëgjo muzikë shpirtërore, sakrale apo ndonjë predikues, atë shpirtëror.
• Mbaj pranë vetes revistat kreshmore apo ndonjë gazetë kishtare duke i rritur njohuritë tua shpirtërore, bashkë me njetet (qëllimet) e tua të veçanta, njerëzit për të cilët dëshiron të lutesh, dhembjet dhe zhgënjimet prej të cilave dëshiron të heqësh dorë, dhe shikoje progresin e vendimeve që i ke marrë në këtë kreshmë.

Kështu do të përjetosh ringjalljen dhe vërtet do t`i festosh Pashkët – Ngjalljen e Krishtit. Amen.

AGJËRO ME PAPËN: HIQ DORË NGA INDIFERENCA
Le të jetë ky ushtrim lutja jote këtë javë.

Papa Françesku ka një ide shumë më ndryshe për agjërimin këtë vit.
Nuk ke nevojë ta largosh kafen, karamelet, dhe internetin.
Fillo duke jetuar mirënjohjen rrënjësisht.
Ji mirënjohës për shumë mënyra me të cilat jemi të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin.
Lutu për njerëzit në ato vende dhe për ata që i kanë prodhuar gjërat e tua që i posedon.
Ecë nëpër shtëpinë tënde dhe gjej vendet ku janë prodhuar gjërat tua që i posedon.
Bëhu mirënjohës për gjërat që ke.
Hiq dorë nga indiferenca.

Përgatiti: Pater Shtjefën Dodes, SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »