Zoja e Lurdit: Ngushëllimi i të pikëlluarve, shëndeti i të sëmurëve dhe streha e mëkatarëve

Feb 10 • Këndvështrime

Me rastin e Festës së Zojës së Lurdit dhe ditës botërore të të sëmuarve

 

Nga Don Agim Qerkini

 

Kujdesi dhe ndërmjetësia e Zojës së Bekuar për njerëzit, gjatë gjithë historisë është dëshmuar në shumë mënyra. Kur lexojmë Ungjillin e Shën Gjonit, hasim këto fjalë: “Grua, qe yt bir! Mandej i tha nxënësit: Qe, nëna jote!” (Gjn 19,27). Këto janë fjalët e Jezu Krishtit të cilat na dëshmojnë se Zoja e Bekuar është edhe Nëna jonë qiellore, e cila na tregon rrugën për të arritur te Biri i Saj. Këtë, ajo e bën në forma të shumta, e njëra ndër to është edhe shfaqja e Saj në Lurd.

Vlen të thuhet se kjo festë, me shumë devocion, tash e disa dekada shënohet edhe në famullinë e Stubllës. Përveç treditëshit përgatitor për festë, natën e festës mbahet procesioni me të Shenjtënueshmin Sakramend, duke vazhduar me adhurim nga lagjet e caktuara deri në mëngjes. Kjo festë u caktua në Stubëll, para së gjithash në shenjë falënderimi Zotit, për pajtimet e disa familjeve që u arritën në atë kohë. Tani, nata e festës vazhdon të jetë pajtim i njerëzve me Zotin, pasi që, gjatë gjithë natës, përveç adhurimit nga besimtarë të moshave të ndryshme nga Stublla dhe famullitë përreth, bëhen shumë rrëfime dhe devocione tjera. Dita e festës shënohet me meshët solemne dhe procesion me truporen e Zojës së Lurdit.

Me këtë rast, po sjellim një paraqitje të shkurtër, që lidhet me lajmërimin e Zojës dhe Shenjtërores së Lurdit, e cila vazhdon të jetë vend shprese dhe ngushëllimi për shumë kënd. Aty takohen qielli e toka, aty është e pranishme dhe e vërejtur mëshira e Zotit, e cila me ndërmjetësinë e Zojës konkretizohet në vepër.

 

Lurdi – qytet i vogël në jugperëndim të Francës, vazhdon të jetë një ndër shenjtëroret më të njohura të Zojës në botë. Para 158 viteve ishte një vendbanim i vogël dhe pa ndonjë domethënie të veçantë. Por, data e 11 shkurtit 1858, kur për të parën herë Zoja e Bekuar iu shfaq një vajze të vogël me emrin Bernadetë Soubirou, e ndryshoj historinë e këtij vendi duke e shndërruar në një vend të shenjtë për gjithë njerëzimin.

Që nga ajo ditë, me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar aty ndodhin shumë mrekulli. Mbi 6000 raste të shërimeve janë shënuar nga ekipet e mjekëve të shumtë. Në Lurd dhe në Paris janë themeluar dy zyre të mjekëve të cilët analizojnë rastet në aspektin mjekësor. Nga ana e Kishës, 64 raste janë të pranuara si mrekulli. Mirëpo, përpos shërimeve fizike, duhet theksuar ato shpirtërore të mijëra njerëzve, të cilët në Lurd e gjejnë forcën e kthimit në jetën e hirit. Aty mund të shohësh njerëz të të gjitha moshave. Disa shkojnë sepse aty e shohin shpresën e vet të fundit, të tjerët shkojnë si vullnetarë për tu vënë në shërbim të të sëmurëve, pastaj, në kohën e fundit është rritur numri i atyre që dëshirojnë t’i kalojnë pushimet në Lurd, sepse siç thonë ata: aty përjetojnë qetësinë, pushimin shpirtëror.

Meqë ky vend është një strehë, ngushëllim dhe forcë sidomos për të sëmurët, Papa Gjon Pali II, me një Letër Apostolike të datës 13 maj 1992, Festën e Zojës së Lurdit (11 shkurt) e shpalli Ditë Botërore të të Sëmurëve.

 

Kush ishte Bernadeta Soubirous

E lindur më 7 janar 1844 nga prindërit François Soubirous dhe Louise l. Casterot. Familja e saj ishte e varfër, ndërsa Bernadeta qysh si e vogël me shëndet të lig. Më 1860 sëmuret rëndë nga astma dhe shtrohet në spital deri më 1866 kur vendos të bëhet motër rregulltare në Nevers. Më 1867 i pranon kushtet e përjetshme. Më 1878 M. Bernadeta përsëri sëmuret rëndë. Më 16 prill 1879, ajo vdes në një karrige ku ishte e ulur për ta lehtësuar frymëmarrjen.

Më 1933, në festën e Zojës e Zënë pa Mëkat (Zoja e Papërlyer), Papa Piu XI e shpall Bernadetën shenjtëreshë. Gjatë procesit dhe hulumtimeve për shenjtërim, trupi i saj është gjetur i paprishur edhe pse kishin kaluar 30 vite nga vdekja. Edhe sot mund të shihet trupi i saj në një sarkofag prej Bronzi dhe kristali në Nevers.

 

Kronologjia e shfaqjeve të Zojës

E enjte, 11 shkurt 1858 – Bernadeta dëshmon: “Pashë një Zonjë të veshur në të bardhë. Ajo kishte një petk të bardhë, një shami të bardhë, një rrip të kaltër dhe në të dy këmbët nga një trëndafil të verdhë”.

E diel, 14 shkurt – Bernadeta ndien një forcë të brendshme që e shtynë të kthehet te shpella edhe pse e kishte të ndaluar nga prindërit. Pas dhjetëshes së parë të rruzares, ajo e sheh Zojën. Ajo i buzëqesh dhe e përshëndet duke përkul kokën. Pas lutjes së rruzares, Zoja largohet.

E enjte, 18 shkurt – Për herë të parë Zoja i flet Bernadetës. Ajo i jep Zojës një copë letër dhe një laps duke i kërkuar që t’ia shkruaj emrin por Zoja i thotë: “Nuk ka nevojë”, dhe shton: “Nuk të premtoj të të bëj të lumtur në këtë botë, por në tjetrën. A do të kishe mirësi të vije këtu gjatë 15 ditëve?”

E premte, 19 shkurt – Shfaqje e shkurtë e Zojës. Bernadeta me një qiri të bekuar dhe të ndezur shkon dhe lutet te shpella.

E shtunë, 20 shkurt – Zoja i mëson Bernadetës një uratë personale.

E diel, 21 shkurt – Zoja i shfaqet herët në mëngjes. Dhe kur komisari i policisë kërkon prej Bernadetës ti shpjegojë se çka sheh, ajo i përgjigjet vetëm “Aquero” (Ajo).

E martë, 23 shkurt – Gjatë kësaj shfaqje, Zoja i zbulon Bernadetës një fshehtësi që duhet ta dijë vetëm ajo.

E mërkurë, 24 shkurt – Porosia e Zojës: “Pendesë, pendesë, pendesë. Lutuni për kthimin e mëkatarëve”.

E enjte, 25 shkurt – Bernadeta thotë: “ Ajo më tha të shkoj të pi ujë te burimi. Gjeta vetëm pak ujë me baltë. Nuk arrita të pi sepse uji ishte i ndotur. Të katërtën herë arrita të pi. Që nga ky moment e deri më sot, në atë vend buron uji.

E shtunë, 27 shkurt – Shumë njerëz shkojnë te shpella por shfaqja e Zojës është e heshtur.

E diel, 28 shkurt – Bernadeta e përcjellë nga më shumë se 1 mijë vetë, në shenjë pendese,  e puthë tokën dhe ec në gjunjë duke u lutur te shpella.

E hënë, 1 mars – Për herë të parë masës së njerëzve i bashkëngjitet një meshtar. Ndodhë mrekullia e parë, kur një vajzë pi ujë nga burimi.

E martë, 2 mars – Porosia drejtuar meshtarëve. Zoja i thotë Bernadetës: “Thuaju meshtarëve që të vijnë këtu në procesion dhe ta ndërtojnë një kapelë.

E mërkurë, 3 mars – Sipas porosisë së famullitarit, Bernadeta e pyet Zojën si e ka emrin. Ajo i përgjigjet vetëm me një buzëqeshje.

E enjte, 4 mars – Rreth 8 mijë vetë bashkohen te shpella dhe presin një mrekulli. Zoja është e heshtur, dhe për 20 ditët e ardhshme Bernadeta nuk do të shkoj te shpella.

E enjte, 25 mars – Zoja i zbulon Bernadetës emrin. Kështu e përshkruan Bernadeta ngjarjen: “Ajo i drejtoi sytë kah qielli, në shenjë urate, duart e saja ishin të shtrira dhe të hapura drejt tokës, atëherë më tha: “Unë jam e zëna pa mëkat”.

E mërkurë, 7 prill – Bernadeta kishte një qiri të ndezur në dorë. E përqendruar në uratë, nuk e kishte vërejtur se flaka ia kishte përfshi duart por nuk e digjte. Këtë fakt e kishte konstatuar edhe mjeku aty për aty.

E enjte, 16 korrik – Bernadeta dëshmon: “Isha në anën tjetër të lumit Gave, dhe më dukej se jam para shpellës, në një largësi si herëve tjera dhe shihja vetëm Virgjërën. Nuk e kam parë asnjëherë më të bukur”.

Kështu, Bernadeta pati 18 takime me Zojën e Bekuar. Në disa prej tyre ajo foli me të, në disa tjera u luten së bashku, disa herë vetëm u shikuan, buzëqeshën dhe qëndruan në heshtje.

Edhe neve sot na flet Zoja e Bekuar duke na ftuar vazhdimisht në uratë dhe pendesë. Jemi në fillim të kohës së shenjtë të Kreshmëve, pra, një rast i mirë për të zbatuar krejt atë çka Zoja kërkon prej nesh. Ta lusim të gjithë, që me ndërmjetësinë e Saj të ecim gjurmëve të Krishtit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »