Të ngadhënjesh mbi tundimet me Fjalën e Zotit

Feb 13 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela I e Kreshmëve

 

Leximi i parë: Lp 26, 4-10

Lexim prej Librit të Ligjit të Përtërirë

Moisiu i foli popullit dhe i tha: “Atëherë prifti do ta marrë kaçilen prej dorës sate e do ta vërë para lterit të Zotit, Hyjit tënd.

Ti atëherë fol në praninë e Zotit, Hyjit tënd, e thuaj: ‘Im atë ishte një sirian endacak. Ai zbriti në Egjipt me pak njerëz dhe atje jetoi në dhe të huaj. U shtua e u bë popull i madh, i fortë e një shumicë pa masë. Por egjiptianët na morën me të keq, na përndoqën dhe na bënë skllevër të mjerë.

Atëherë ne lëshuam britmë drejtë Zotit, Hyjit të etërve tanë. Ai na dëgjoi; e pa përvujtërimin tonë, mundin e të vështirat tona dhe na nxori Zoti prej Egjiptit me dorën e vet të fuqishme e krahun e tendur, me tmerr të madh e me shenja e me mrekulli, na pruri në këtë vend e na e dha trashëgim këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë. Dhe, ja, tani, o Zot, i solla frytet e para të tokës që ti ma dhe.’ Atëherë vëri para Zotit, Hyjit tënd, dhe adhuroje Zotin, Hyjin tënd.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 91

Ref: Rri me ne, o Zot, në kohën e tundimit.

——————————————————

Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit,

do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.

Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im,

kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në ty”.

———————————————————-

E keqja nuk do të të gjejë,

dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:

sepse engjëjve të vet urdhër u dha

të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.

————————————————————

Do të të mbartin para duarsh

që padashje të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.

Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec,

do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.

————————————————————

“Do ta shpëtoj sepse më do,

do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.

Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj,

në vështirësi do të jem me të,

do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.

——————————————————————————

 

Leximi I dytë Rom 10, 8-13

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, çka thotë, Shkrimi shenjt: ‘Afër e ke fjalën, në gojën tënde dhe në zemrën tënde.’ d. m. th. fjalën e fesë që ne predikojmë. Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë. Sepse, Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Kush beson në Të nuk do të turpërohet.’

Kështu, pra, nuk ka dallim mes hebreut e grekut: të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur kundrejt atyre që e thërrasin në ndihmë.  Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’

Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret I lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,

por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli Lk 4, 1-13.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukes

Në atë kohë Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë,  ku, për dyzet ditë e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, u urit. Atëherë djalli i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroji këtij guri të bëhet bukë.” Jezusi iu përgjigj: “Thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë.’”

Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, e i tha:

“Ty do të ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua dhe unë ia jap kujt të dua. Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.”

Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd,

dhe vetëm atij shërbeji!’“

Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të të ruajnë’, dhe ‘do të të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur.’” Jezusi iu përgjigj: “Por u tha edhe: ‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd!’”  Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Besimtar i dashur, që nga faqet e para të Biblës, e deri tek ungjilli i dielës së parë të kreshmëve, lexojmë për kurthat që djalli iu përgatit njerëzve, duke i bindur ata që ta kundërshtojnë planin e Zotit. Djalli, me këto tre tundime, me të cilat e tundoi Krishtin, e tundon njerëzimin vazhdimisht. Krishti e lejoi djallin që ta tundojë, për të na inkurajuar dhe treguar neve se si duhet të luftojmë kundër tij.

 

Tundimi i parë: Krishti pas pendesës së bërë për 40 ditë, ishte normale që të uirtët, sepse është njeri. Djalli këtë e di. Por ai e di se Krishti është edhe Zot, andaj edhe i propozon që ta bëjë këtë mrekulli. Por, Krishti nuk bën mrekulli, për ta dëshmuar veten para tij. Krishti do të bëj mrekulli për t’iu ndihmuar njerëzve, për të dëshmuar para tyre se është Zot, se udhët t’i besojnë. Krishti djallit i thotë: Njeriu nuk ka nevojë vetëm për bukë, por edhe për vlera, për ushqim shpirtëror. Djalli kështu na tundon edhe neve. Shumë njerëz edhe në mesin tonë të dhënë vetëm pas pasurisë materiale, harrojnë se kanë shpirt. Ata mendojnë vetëm si të argëtohen, kënaqen. Kur neve të na tundojë djalli në këtë mënyrë, le t`i themi: Nuk jemi në këtë botë vetëm për t’i kënaqur epshet tona, por për të kryer vullnetin e Atit tonë qiellor.

 

Tundimi i dytë: Djalli nuk ndalet, ai vazhdon qëllimin e vet. Kërkon prej Krishtit që të tregohet para të tjerëve. Por Krishti nuk e pranon as këtë tundim. Mjerisht të rinjtë tanë ose edhe fëmijët, me bekimin e prindërve çoroditën me frizura të ndryshme, i rendisin vathët nëpër trup. Të tjerët për t’u treguar cool marrin drogë, alkool, vozisin si pa kokë. Kur neve të na tundojë djalli me këtë tundim le të dimë t’i themi: Ne nuk kemi nevojë t’u pëlqejmë njerëzvepor Zotit.

 

Tundimi i tretë: Që Krishti të arrijë pushtet duke ia falur vetveten djallit! Sa luftërat janë bërë për pushtet? Edhe këto përçarje politike në Kosovë, Shqipëri, nuk janë për të mirën e Kosovës, popullit, por vetëm për pushtet. Pra, shumë njerëz në botë për të ardhur në pushtet janë në gjendje të bëjnë edhe të këqija të ndryshme, t’i vrasin kundërshtarët, të flijojnë familjen etj. Kur neve të na tundojë djalli në këtë mënyrë  le t’i themi: Më mirë është t’i shërbejmë Zotit, se sa t’i nënshtrojmë të tjerët.

 

Me një fjalë: Krishit sot na mëson se me djallin nuk guxojmë të bëjmë dialog, kompromis. Do Zoti që gjatë kreshmëve djallit, me vendosmëri t’i themi bashkë me Krishtin: Largohu prej nesh, sepse fuqia, shpresa, dashuria ime është vet Zoti, të cilit dua t`i shërbej në vëllain njeri. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Besimtarë të dashur, kemi filluar kohën e shenjtë të kreshmëve, andaj me përvujtëri t`i drejtohemi Atit tonë qiellor, duke thënë:

  Dëgjoje, o Zot, lutjën tonë.

–       Për Papën Françesko që po viziton Meksikon, ipeshkvin tonë Dodën, meshtarët e rregulltaret, të mësojnë popullin si t`i ikin ngashënjimeve të së keqes, të lutemi.

–       Biri yt, o Atë, na ka mësuar se njeriu nuk jeton vetëm prej bukës, ndihmoji besimtarët tanë që gjatë kreshmëve me përvujtëri dhe me fe, të ushqehen me fjalën dhe korpin tënd, të lutemi.

–       Biri yt, o Atë, na ka mësuar se vetëm Ty duhet të të adhurojmë dhe vetëm para Teje duhet të përkulemi, na ndihmo të largohemi prej të Keqit dhe të jemi të lumtur që Ty të duam dhe Ty të shërbejmë, të lutemi.

–       Biri yt, o Atë, na ka mësuar se ty nuk duhet  të të sprovojmë, mos lejo të humbim kohën kot, por me jetë të ndershme të arrijmë shëlbimin, të lutemi.

–       Në festën e shën Valentinit, po të lutemi, o Atë, për të rinjtë tanë, që dashurinë e tyre mos ta bazojnë në epshe, por të mësuar nga Ti, të duan dhe të flijohen duke i mbetur besnik njëri tjetrit deri në vdekje, të lutemi.

–       Njetet dhe lutjet që do të bëjmë gjatë kreshmëve na i prano dhe na i shpërble me të mirat e tua, të lutemi.

Pranoji, o Atë, lutjet tona dhe bëj që mesha shenjte që po kremtojmë të jetë burim i fuqisë sonë shpirtërore, ruaj dhe mbroj familjet tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen. 

 

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »