Tundimet e tundimeve: pasuria – lavdia – pushteti

Feb 14 • Meditimi i ditës

14 shkurt 2016 – E diela 1-rë e Kreshmëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 26,4-10; Ps 90; Rom 10,8-13; Lk 4,1-13)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk  4, 1-13

 

1 Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë, 2 ku, për dyzet ditë e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, u urit.

3 Atëherë djalli i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroji këtij guri të bëhet bukë.”

4 Jezusi iu përgjigj:

“Thotë Shkrimi i shenjtë: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë.’”

5 Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, 6 e i tha:

“Ty do të ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua dhe unë ia jap kujt të dua. 7 Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.”

8 Jezusi iu përgjigj:

“Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd,

dhe vetëm atij shërbeji!’“

9 Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, 10 sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të të ruajnë’, 11 dhe ‘do të të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur.’”

12 Jezusi iu përgjigj:

“Por u tha edhe:

‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd!’”

13 Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Jezusi si Moisiu është tërhequr në shkretëtirë ku ka agjëruar katërdhjetë ditë. Çdo tundim përfshin grabitjen apo zvogëlimin e pushtetit: pushtetit mbi elementet e krijimit duke i shndërruar gurët në bukë, pushtetit politik dhe ushtarak që fitohet me sundimin mbi mbretëritë e botës dhe pushtetit që të dhunohet/fitohet mbrojtja e Zotit në mënyrë të padenjë.

– Në letrën drejtuar Hebrenjve qëndron: “Dhe, vërtet, pikërisht pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’i ndihmojë ata që janë në sprovë.” (Heb 2,18)

– Sa shpesh dhe lehtë i nënshtrohemi rënies në tundim?!

 

Bashkëbisedimi

 

Sa lehtë shpërqendrohemi dhe largohemi nga Zoti. Pastaj në vend të Zotit vendosim diçka tjetër. Kjo botë na bën aq shumë kërkesa, dhe ato kërkesa siç duket janë konstante. Disa prej ofertave na tundojnë duke na ngashënjyer.

Të angazhuarit e vetvetes në drejtim të Zotit është një punë e vështirë, por nuk është e pamundur.

Angazhimi për të qëndruar në rrugën e Zotit mund të bëhet çdo natë para se të shkosh të flesh dhe çdo mëngjes kur fillon dita.

Krejt çfarë duhet bërë është ta drejtojmë vëmendjen tonë kah veprimi i Zotit në jetët tona. Mendoje, shprehe, zbatoje këtë.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »