Urata e uratave – “Ati ynë”

Feb 16 • Meditimi i ditës

16 shkurt 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 55, 10-11; Ps 33; Mt 6,7-15)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

 Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj më parë,
a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 6, 7-15

 

7 E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

9 Prandaj lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiell,

u shenjtëroftë Emri yt!

10 Ardhtë Mbretëria jote!

U bëftë vullneti yt

si në qiell ashtu në tokë!

11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!

12 Na i fal fajet tona,

si i falim ne fajtorët tanë!

13 E mos na lër të biem në tundim,

por na shpëto nga i Keqi!

14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”

 

 Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi jep shembullin e lutjes duke mësuar nxënësit e tij lutjen Ati ynë. Lus për të gjithë ata që ma kanë mësuar atë uratë dhe për ata që më kanë ndihmuar ta kuptoj atë.

– Duke i shqiptuar fjalët e uratave që i njoh njëherësh lus që prania e Zotit dhe mënyra e tij e shikimit të jenë të dukshme në jetën time.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem mbështetje fëmijërore në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »