Dashuria ndaj armiqve na bën si Krishti

Feb 20 • Meditimi i ditës

20 shkurt 2016 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 26,16-19; Ps 118; Mt 5,43-48)

 

Prania e Hyjit

 

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

 

Lus për hirin e fesë, të besoj

në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe për të fjetur.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt  5, 43-48

 

43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ndërsa jam duke menduar për ata të cilëve ua kthej dashurinë e falënderoj Zotin për ta dhe për bekimet që i ndajmë.

– Ndërsa lus për ata që më sjellin bekim lus që të mund t`i përfshij edhe të tjerët në rrethin e gjerë të mirësisë dhe dhembshurisë.

– Të jesh sikurse Zoti, duket një gjë tepër dashalavde, mirëpo do t`ia përkujtoj vetes që Jezusi dëshiron që të përsosemi në mënyrë që të jemi sa më të ngjashëm me të.

E kujtoj se Jezusi më thirr në plotësinë e jetës.

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Amen.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »