Vetëm në praninë e Zotit mund të jesh i lumtur  

Feb 20 • LEXIMET E SË DIELËS

 

 E diela II e Kreshmëve (C)

 Leximi parë: Zan 15, 5-12.17-18

 

 Lexim prej Librit të Zanafillës

 Në ato ditë, Zoti e bëri Abrahamin të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroj yjet, po munde!” Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu.” Ky i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. I tha edhe: “Unë jam Zoti që të nxora nga Uri i Kaldesë për ta dhënë këtë tokë pronë.” Abrami i tha: “O Zot, Hyj, nga mund ta di se ajo do të jetë prona ime?” Zoti përgjigji: “Ma gjej një mështjerrë tri vjeçe dhe një dash tri vjeç, një turtull dhe një pëllumb.” Abrami i mori këto të gjitha dhe i preu për mjedis dhe secilën prej gjysmave e vendoi njërën kundruall tjetrës. Shpendët nuk i preu. Shpendët grabitqarë lëshoheshin mbi kufoma, por Abrami i dëbonte. Në të perënduar të dielli, Abramin e lodhi gjumi dhe, ja, e kaploi një tmerr i madh dhe e mbështoll një errësirë e dendur. Kur perëndoi dielli, u bë një terr i zi, u duk një tangar i ndezur dhe flakadani i përshkoi ato pjesë. Atë ditë Zoti lidhi këtë besëlidhje me Abramin: “Këtë tokë do t’ia jap farës sate prej lumit të Egjiptit deri në lumin e madh, Eufrat.”  

Fjala e Zotit

 

 Psalmi 27

 Ref. Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.

————————————————————–

Zoti është mbrojtësi i jetës sime,

para kujt do të dridhem?

Le të çohet, në dashtë,

edhe një ushtri e tërë kundër meje:

zemra nuk më trembet.

——————————————————-

Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,

ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!

Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time!”

“Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj.”

——————————————————–

Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,

mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!

Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz,

mos hiq dorë prej meje,

Hyji i shpëtimit tim!

———————————————————–

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

Shpreso në Zotin: bëhu burrë!

Ji zemërfortë e prite Zotin

———————————————————–

 

 Leximi dytë Fil 3,17.4,1

 Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Më përngjani mua, o vëllezër, dhe vëreni ata që jetojnë simbas shembullit që keni në ne. Sepse, sikurse ju kam thënë shpesh herë e tani po jua them me lot për faqe, shumë jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit! Mbarimi i jetës së tyre është dënimi, hyji i tyre është barku dhe lavdia e tyre në trup – ata mendojnë vetëm gjërat tokësore. Kurse Atdheu ynë është qielli, nga presim se vjen si Shëlbues Jezu Krishti Zot. Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë në një trup të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm në saje të pushtetit që ka të nënshtrojë nën sundimin e vet gjithçka. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, qëndroni të fortë në Zotin.

 Fjala e Zotit

 

 Ungjilli  Lk 9, 28-36

 Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima. Kur qe, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të. Dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po i bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte. Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – i Zgjedhuri! Atë dëgjoni!” Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm. Nxënësit heshtuan dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.

 Fjala e Zotit

 

 POROSIA

 

Një mbret, kishte urdhëruar që t’ i punohet një kambanë prej argjendi, dhe të varet në oborrin e tij mbretërorë. Oborrtarëve të vet iu dha urdhër që kjo kambanë duhet të bie atë ditë kur ai do ta ndjejë veten plotësisht të lumtur.

Kështu kaluan ditët, muajt dhe vite, e mbretit nuk i shkonte mendja për t’i urdhëruar oborrtarët qe t’ i bien kambanës. Kështu kaloi edhe tërë jeta e tij dhe iu afrua vdekja,e kambana nuk ra asnjëherë.

Vdekjes nuk i frikohej,sepse ishte i bindur se gjatë jetës së vet kishte bërë vetëm vepra të mira.

Kur i erdhi momenti i fundit i jetës, dha urdhër që të bie kambana, sepse mu atëherë e ndjeu vetën plotësisht të lumtur. Me këtë gjest, deshi t’iu tregonte të gjithëve se lumturia nuk mund të arrihet në jetë pasi që njeriu angazhohet dhe ballafaqohet me sfida të ndryshme. Njeriu që jeton si do dhe kërkon Zoti, duke bërë vullnetin e tij, është I lumtur në kalimin nga kjo botë kur merr për shpërblim jetën e pasosur. Për këtë mbreti e ndjeu se duke kaluar nga kjo botë me vuajtje, kryqe dhe sfida, po i afrohet amshimit dhe jetës me Zotin.

Për një të tillë na flasin edhe leximet e së dielës së sotme, e diela e dytë e kreshmëve.

Leximi pare na flet për Abrahamin, Zoti kërkon flijime nga Abrahami, të dalë nga toka, në të cilën u lind dhe u rritë, të kushtojë fli Izakun, birin e vetëm dhe këtë ë bënte për të sprovuar fenë e tij, e që Abrahami në të gjitha u përgjigj me gatishmëri, dhe në fund Zoti I premton token nga lumi I Egjiptit deri në lumen Eufrat, që ishte tokë pjellore dhe e pasur.

Kështu Zoti shpërblen për besnikëri. Sepse sikurse thotë psalmist, Zoti është mbrojtësi ynë dhe ai e dëgjon zërin, lutjet tona, nuk kemi pse të frikohemi, Ai është Drita dhe shëlbimi ynë.

Ndërsa shën Pali bën thirrje t’ i përngjajmë atij dhe të jemi ata që e kemi kokën të lartësuar kah qielli, atdheu i ynë qiellorë duke qëndruar të forte në Zotin.

Në Ungjill e sotëm lexojmë për Malin Tabor, një kodër me e lartë se të gjitha kodrat në atë vend rreth liqenit të Gjenezaretit ku Krishti vepronte. Ishte ky një mal nga shihej mbarë Judeja.

Kështu Krishti kishte marrë me vete tre apostujt dhe u shndërrua para tyre, Ishte kjo një dritë tejet e bardhë dhe apostujt përjetuan në lumturi, një gëzim të veçantë. Pjetri në emër të apostujve i thotë Jezusit është mire të qëndrojmë këtu.

Gjithmonë është mirë dhe sigurt të qëndrosh pranë Jezusit e lavdëruar dhe të shndërruar. Për këtë pra Jezusi bashkë me apostuj prapë kthehen poshtë në jetën e përditshme, në kohën dhe orën kur do të përjetojnë mundimet dhe vdekjen dhe pastaj do të hyjë në lavdi. Kështu përjetuan edhe apostujt shumë vuajtje dhe kryqe por përjetuan gëzimin e pasosur. Kështu edhe ne duhet të mundohemi që të jetojmë në hirin dhe dashurinë e Zotit, Kryqi dhe vuajtjet tona të përditshme mos ta zbehin fenë besimin tone në Zotin, mos    të na dëshpërojnë, por të na forcojnë edhe më tepër që t’ i qëndrojmë besnik Zotit në jetën dhe punët tona të përditshme.

Një djalosh kishte qenë shumë i sëmurë dhe kishte qëndruar në shtrat me muaj dhe vite. Një ditë e vizitoi një mik i tij. Në biseda të rëndomtë nder të tjera e pyeti: A ke dëshirë që të shërohesh? Djaloshi iu përgjigj: Jo, nuk kam dëshirë të shërohem, sepse tani jam  mësuar me vuajtjen dhe edhe nëse shërohem prapë një ditë do të përjetoja dhembje dhe vuajtje. Shpresoj dhe besoj, tha djaloshi, që Hyji, Ati i mire do të më shpërblej me të mira të veta, me jetën e pasosur.

Prandaj, vëllezër dhe motra, vështirësitë jetësore, padyshim na ndihmojnë që të bëhemi të mirë, bujar dhe të përvuajtur,duke qenë në gjendje t’ i përballojmë me fe dhe dashuri ndaj Zotit që një ditë të gëzojmë jetën e pasosur dhe të lumtur me Zotin dhe shenjtërit në qiell. Amen!

 

 Lutjet e besimtarëve

 

Krishti duke u shnëdruar në Malin Taboriu e forcoj besimin e apostujve. Ta lusim edhe ne që në kohën e krezhmëve të na ndihmojë të shndërrohemi në njerëz më të mire, që t’ i pëlqejmë Atit tone qiellore:

Të lutemi së bashku:

 

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

  – Pastroje, shndrite dhe forcoje Kishën tënde,që sa më e përgatitur të shkoj kah Krishti, i cili gjendet në lavdin e qiellore, të lutem:

  – Ndihmoje papën tonë Françeskun, të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltaret dhe rregulltarët që të veprojnë sa më mire për përhapjen e Mbretërisë sate, të lutem:

  – Të gjithë atyre që vuajnë nga padrejtësitë, sëmundjet bashkoj në përvujtërinë e Birit tënd e me lavdin e tij të fundit, të lutemi:

  – Bëj që familjet tona gjatë kohës së Krezhmëve ta mundin të keqën me të mirë, të pajtohen me Ty dhe në mes veti, të lutemi:

  – Në Krishtin Birin tënd na shndrit jeta dhe pashkatërrushmëria: shndriti me shpresë dhe me ngushëllim ata që janë në shtratin e vdekjes, të lutemi:

   – Të gjithë besimtarëve tanë që kaluan nga kjo botë dhe që shpresuan në Ty, dhuroju jetën e lumtur dhe të pasosur, të lutemi:

 

 Pranoj,o Atë i mirë lutjet e besimtarëve të tu dhe me lavdinë e Birit tënd shndrite botën mbarë. Ti që jeton e mbretëron në shekujt të shekujve. Amen!

 

Përgatiti: Dom Tomë Karrica

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »