Midis traditës dhe zbulimit të ri

Feb 21 • Meditimi i ditës

21 shkurt 2016 – e diela II e Kreshmëve (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 15,5-12.17-18; Ps 26; Fil 3,17-4,1; Lk 9,28b-36)

 

Prania e Hyjit

 

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat.

Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

 

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
që me gjeninë e tij depërton për të nxjerrë gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 9, 28b-36

 

Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur.

29 Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima.

30 Dhe ja, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. 31 Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 32 Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të; 33 dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit:

“Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte.

34 Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 35 Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ i Zgjedhuri! Atë dëgjojeni!”

36 Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm.

Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Nxënësit morën zemër kur përjetuan Jezusin ashtu siç është vërtetë: në shoqëri me Moisiun dhe Elinë që përfaqësonin Ligjin dhe profetët. Edhe unë e kërkoj këtë balancë, duke u këndellur me urtësinë që vjen nga tradita dhe zbulimi.

– Pjetri ka dashur që ta mbajë këtë moment madhështor. Kurse unë do të lus që të di t`i çmoj bekimet që i kam marrë madje edhe kur tentoj të mos mbes në të kaluarën.

– Zëri i Zotit i thërret nxënësit që të dëgjojnë. Ata ishin në rrezik që për shkak të vizionit ta lëshonin esencën e gjithçkaje; duhet të dëgjojnë me vëmendje. E pyes vetveten: a kam nevojë ndoshta për më shumë heshtje dhe qetësi në jetë në mënyrë që me vëmendje ta dëgjoj të Zgjedhurin?

 

 Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hap zemrën.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »