Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i shquar dhe i dalluar (1918 – 1996)

Feb 22 • Opinion

Në 20 vjetorin e kalimit në amshim

 

Nga Don Lush Gjergji

 

Imzot Nikë Prela lindi në Kotorr më 3 qershor 1918 nga prindërit shqiptarë katolikë Gjergji dhe Çila, mërgimtarë nga Shkodra. Dhe kjo mjaftonte që të ishte i dëbuar dhe i padëshiruar, sepse i kishte dy “faje” kapitale: ishte gjallë -shqiptar dhe meshtar, dhe mu për këtë kryqi i Jezu Krishtit, vuajtja, pësimi, burgimi, sëmundja ishin  fija lidhëse e tërë jetës së tij. Pak në hoka, por edhe me plotë ironi thoshte :”Kam lindur në një kohë mjaft të keqe, kur u shkatërruan dy perandori dhe u krijua një Jugosllavi… Refreni që e kam dëgjuar qysh në fëmijëri ishte ky: “Arbanas, arbanas, jao ti sjutra i danas”. që dmth. Shqiptar, shqiptar, i mjeri ti dje dhe sot”.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Kotor. Studimet filozofik-teologjike në Split, për disa kohë edhe në Strasbur,  ku pati prapë vështirësi me dokumente, paguante tatime si i huaji, edhe pse ishte i lindur në Kotorr. Si moto për jetën meshtarake e pati këtë: “I DËBUAR NË SHTËPINË E ATIT”, si parafrazim i Jezu Krishtit, por edhe si përvojë personale dhe kombëtare.

Shugurimi meshtarak dhe Mesha e Parë prapë në kohë të keqe, më 13 qershor 1941, në mes të bombardimeve dhe rreziqeve të shumta. Shërbeu si famullitar në Sutomore (1941-1954) dhe në Muo (1955-1969) deri te emërimi ipeshkvor më 2 tetot 1969. Rishtas ishte koha pa kohë, pas demonstratave të viteve 1968-1970, veçmas për të, sepse çdo gjë ishte e panjohur dhe e paqartë për shumëçka, vendi, njerëzit, rrethanat, kompetencat…

Vetëm një  gjë e dija, si Shën Pali”, më rrëfente,” se vuajtja nuk do të ndahet kurrë prej meje…Në popullin tim e gjeta  vetveten plotësisht, sepse për së afërmi i ndamë të gjitha. Zotit, Kishës, popullit tim, jo një herë, por edhe njëqind herë do t’ ia dhuroja jetën time”.

Edhe në Kosovë si ipeshkëv nuk e kishte lehtë për shumë arsye: mungesa e klerit shqiptar, varfëria, mungesa e lirisë, kishave dhe shtëpive famullitare,  shtypit fetar. Përpos kësaj edhe rrethanat shoqërore dhe politike ishin mjaft të ndërlikuara dhe të tensionuara. Thoshte shpeshherë kështu: “Po zihet moti si para shiut apo breshërit të rrezikshëm, do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme. Zoti na ndihmoftë e na ruajtë nga e keqja! Gjatë jetës sime shumë herë e kam përjetuar këtë: kafshata deri te goja, por jo edhe në gojë. Ndoshta kësaj radhë s’ do ta humbim rastin e mirë”.

Më kujtohet fare mirë audienca private me Papën Gjon-Palin II më 21 janar 1981, pak para shpërthimeve të demostratave në Kosovë. Imzot Nikë Prela ndër të tjera i tha Papës kështu: “Shenjtëri, gjendja në Kosovë është tejet e ngarkuar dhe s’di kur dhe si do të shpërthejë…Bëni diçka për  popullin tim shqiptar dhe për Kishën tonë martire”.

Papa vërtet me fjalë dhe shikim profetik i dha zemër dhe përkrahje Ipeshkvit tonë, nëpërmjet tij të gjithë neve duke thënë: ”Komunizmi dhe ateizmi shtetëror po përfundon, fitorja është e  Drejtësisë dhe e Dashurisë…Para dy ditëve në ulësen  Tuaj ishte Lech Walensa. Duhet të qëndrojmë  deri në fund…”. Dhe në përcjellje të përzemërt ndër të tjera shtoi edhe këtë: “Unë pas popullit tim polak, më së shumti e dua popullin shqiptar, sepse keni vuajtur shumë dhe e keni dhuruar Nënën Tereze”.

Dy çështje jetësore ishin binaret e jetës dhe të veprimtarisë së tij, vuajtja, pësimi, martirizimi i popullit dhe i Kishës sonë dhe të varfëritë, njerëzit e përbuzur dhe të mjerë. Shpeshherë më thoshte: ”Nuk e di pse duhet të vuajmë kaq shumë dhe kaq gjatë, gati gjithmonë, por e di se Zoti na do nëpërmjet kryqit,  jemi të zgjedhur  për punë të mëdha…Për të varfër, për popullin tim shqiptar, për Kishën tonë nuk di çka nuk do të bëja… Pa e sprovuar vuajtjen në lëkurën tënde, nuk e di çka është vuajtja, as jeta. Vetëm vuajtja, pësimi, kryqi na përgatit ditë më të mira, ardhmërinë  më të bukur”.

Dhjetë vitet e para të (1970-1980) ishin në shërbim të Zotit dhe të popullit nëpërmjet vizitave baritore, shtypit fetaro-kulturor, ndërtimeve të objekteve kishtare, përkujdesjes për thirrje meshtarake dhe rregulltare, ndihmave të të varfërve.

Dhjetëvjetori i dytë (1981-1990) ishte i karakterizuar me paraqitjen, mbrojtjen dhe angazhimin e tij të guximshëm dhe profetik në dobi dhe të mirë të studentëve, punëtorëve, intelektualëve, organizatave, institucioneve, mbarë popullit të pambrojtur, sidomos pas heqjes së autonomisë dhe shpalljes së Kosovës Republikë. Fjala e tij e shkruar apo me gojë ishte e pranishme në të gjitha forumet kishtare, shtetërore evropiane dhe botërore. Po i përmendi vetëm disa që iu kishte shkruar dhe drejtuar: Kryetarit të  SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Kinës, të gjitha shteteve të Bashkësisë Evropiane, Parlamentit Evropian, Konferencave Ipeshkvore Evropiane në krye me kardinalin e famshëm Carlo Maria Martini-n.

Imzot Nikë Prela ishte dhe mbeti deri në vdekje paqedashës i bindur, por jo edhe pasiv, vëzhgues i ngjarjeve, si shumë të tjerë. Për të viti 1989 ishte sfida e jetës dhe tronditja e thellë e ndjenjave njerëzore, fetare dhe kishtare. Mirëpo ai kurrë nuk u dorëzua para të së keqes, para rreziqeve dhe kërcnimeve të shpallura apo të fshehta, por vetëm para Zotit dhe të mirës. Me urti iu përgjigjej sfidave dhe kritikave kinse kjo nuk ishte detyra e tij që të merrej me politikë. Thoshte kështu: ”Bota ende nuk e di mirë dhe sa duket se çka po ngjan me ne. Edhe mos të isha shqiptar, do të isha në anën e popullit të shkelur, sepse vuan pafajësisht dhe padrejtësisht. Politika ime është drejtësia dhe dashuria ndaj Zotit dhe ndaj popullit. Detyra ime është ta njoftoj botën mbi gjendjen tonë dhe të lutëm. Herdo-kurdo do të ngadhënjejë drejtësia, e vërteta, sepse askush nuk e ka botën në dorë përpos Zotit…”.

Gjatë vitit 1990 më tërë fuqitë i përkrahu lëvizjet tona të atëhershme: pajtimet e gjaqeve, bamirësinë dhe solidaritetin, sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor.  Gjatë helmimeve të fëmijëve dhe të rinisë shqiptare në Kosovë ai protestoi rreptë dhe botërisht në çdo vend dhe kend, duke rezikuar jo vetëm rolin prijës kishtar, por edhe jetën e tij dhe  “njollosjen” më të vrazhdët të Kishës sonë. Edhe më këtë rast, si dhe  në suprimimin e autonomisë së Kosovës, Imzot Nikë Prela shkrojti protestin e hapur dhe letrën informative Papës Gjon-Palit II, Nënës  Tereze dhe të gjitha institucioneve kishtare dhe shtetërore në Jugosllavi dhe në botë.

 Helmimi qe interpretuar nga sundimtarët serbë së pari si “aktrim i shqiptarëve” për ta njollosur Serbinë, pastaj si trillim dhe mashtrim apo psikozë kolektive, dhe së fundi si organizim i Kishës katolike sidomos në Ferizaj dhe në Binçë, si “helmim” për fajësimin e Serbisë. Deri ku arrin mendja e ligë dhe zemra e prishur?! Gjatë natës 3 dhe 4 gusht 1990 njësitë speciale të armatosura deri në dhembë e kishin rrethuar kishën e “Engjëllit Rojës” dhe shtëpinë tonë në Ferizaj për të kërkuar dhe gjetur “barnat helmues”. Shefi i Punëve të Brendshme të Ferizajit Slavko Stevanovic, ndër të tjera i thotë shtypit të Beogradit se kishin gjetur në kishë “depo barnash të ndryshme” dhe se “dyshimi i bazuar ishte treguar i saktë”. Kjo “kampanjë“ kundër Kishës katolike u bë sepse kishat dhe ambulancat tona  ishin strehimore për shumë të helmuar, si dhe reagimi ndaj internacionalizimit të kësaj çështjeje. Gjatë patrullimit dhe kontrollimit disa orësh Ipeshkvi me gjakftohtësi dhe dinjitet burrëror, me fjalë të matura dhe tejet të qëlluara, me ironi përbuzëse iu tha: “Bunkeret e barnave dhe të helmimeve kërkoni gjetiu e jo tek ne. Për këtë bastisje pa vendim të gjyqit do ta dijë së shpejti mbarë bota. Dhe prapë dihet fajtori: do të jemi ne! Jam mësuar me strategjitë tuaja, sepse 9 vite e kam kaluar shkollën tuaj nëpër burgje…”.

Periudha e tretë jetësore e tij (1991-1996) edhe pse mjaft i lodhur, i sëmurë dhe i moshuar, bile edhe me këmbë të amputuar, ai gjithnjë punonte, shkruante, lexonte, fliste, udhëtonte nëpër metropola të Evropës dhe Amerikës, si dëshmitar i të drejtës dhe të vërtetës, ishte i palodhshëm dhe i pandalshëm. Vullneti dhe dëshira e tij e madhe për jetë dhe për punë, besimi i pathyeshëm në Zotin dhe në njeriun, dashuria flijuese dhe dhuruese për Kishën dhe popullin shqiptar, kujdesi për të varfër, thjeshtësia dhe përvujtëria shembullore, puna rreth krijimit të kulturës së paqes dhe qytetërimit të dashurisë, ishin vetëm disa aspekte të personalitetit të spikatur  të cilat e bëjnë atë njeri të dalluar dhe të angazhuar në çdo drejtim dhe kuptim dhe si të tillë të pavdekshëm edhe në kujtimet tona.

Tezave famëkeqe se në Kosovë vepronte terrorizmi, separatizmi, irredentizmi, ekstremizmi fundamentalist islamik, bile edhe deri te kanibalizmi shqiptar, ai iu përgjigj qartas dhe bindshëm kështu: ”Fjala është për popullin tim, pa dallime fetare, për njerëzit e shkretë të cilët vuajnë dhe përndjekjen padrejtësisht. Edhe unë jam dënuar tri herë me burg vetëm pse jam shqiptar dhe meshtar katolik. Prandaj unë nuk do të hjek dorë kurrë nga e vërteta. S’ ka kompromis me rrena dhe mashtrime, me manipulime. Për ta mbrojtur të vërtetën duhet të jemi të gatshëm të flijojmë çdo gjë, nëse është nevoja edhe jetën. Këtë mund ta bëjmë vetëm me fe dhe me dashuri. Tërë jeta ime  sintetizohet në këtë: ”PËR ZOTIN, PËR KISHËN, PËR POPULLIN TIM SHQIPTAR”.

Në takimin tim të fundit me Imzot Nikë Prelën më 23 shkurt 1996 ndër të tjera më tha edhe këtë: ”Kam disa parandjenja të rënda, tejet të mundimshme, por kam shpresë në Zotin. Ti e di se parandjenjat, intuicioni kurrë nuk më kanë mashtruar. Nëse do të jetoj edhe pak, atëherë le të jetë kjo për të parë mirë, sepse jam lodhur  dhe ngopur nga të këqijat… Megjithatë thellë jam i bindur se do të bëhet mirë, sepse kemi vuajtur shumë dhe padrejtësisht, kemi mbjellë me lotë dhe me gjak, e kjo nuk mund të tretet  pa fryte…”.

Kur të tjerët heshtën, ai foli në emër të Zotit dhe të popullit shqiptar; kur të tjerët fshiheshin e largoheshin nga Kosova për ta shpëtuar lëkurën dhe kokën, ai doli në skenë për të luftuar si Davidi me Goliatin; kur të tjerët rrihnin gjoks dhe krenoheshin   edhe me trillime dhe mashtrime, gjithnjë në shpinë të popullit, ai lutej dhe vepronte në përvujtëri, kur të tjerët bënin kompromise edhe me rrena dhe mashtrime për t’ iu ikur përndjekjeve, ai nuk u tremb por tha vendosmërisht : “Unë jam ipeshkëv shqiptar për shqiptarët, “faji” i tyre është edhe i imi”, i gatshëm për çdo lloj flijimi, sepse ishte mishëruar dhe njësuar me fatin e Kosovës martire.

Imzot Nikë Prela ishte një flijimtar i vërtetë, një vizionar i shquar, një profet i guximshëm, një Bari i mirë, një “Martir i gjallë”, një dëshmitar i rëndësishëm i kohës dhe hapësirave tona, një pjesëmarrës cilësor i proceseve tona në rrugim kah liria, demokracia, pavarësia, me një fjalë Njeri i Zotit dhe i Popullit. Duke nderuar atë, nderojmë vetveten, duke përkujtuar atë përkujtojmë shumë ngjarje të rëndësishme dhe vendimtare edhe për kohën tonë dhe frymëzohemi që ta nderojmë dhe ta duam njëri tjetrin, sepse vetëm vëllazërisht dhe bashkërisht mund t’i arrijmë qëllimet tona. Kështu edhe për ne historia, e lashta apo edhe e afërta, do të jetë dhe do të mbesë Mësuesja e jetës.

Do ta përfundoj me takimin e fundit  të Imzot Nikë Prelës me Papën Gjon Palin e II më 17 tetor 1995, ku merrnin pjesë të gjithë ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë. Papa u ndal para nesh, dukshëm i emocionuar duke parë Ipeshkvin tonë në karrocë dhe pa këmbë dhe ndër të tjera tha: ”Kosova, plaga dhe shpresa jonë”, sikurse të donte ta njësonte fatin e Kosovës me fatin e tij. Gjatë drekës kremtore me Papën dhe bashkëpunëtorët e tij tema kryesore e bisedimeve prapë ishte Kosova. Ipeshkvi i tha Papës kështu: ”Kosova është ndërgjegjja e njerëzimit, sepse aty shkelen të gjitha të drejtat themelore njerëzore dhe kombëtare”.

Papa iu përgjigj: ”Shkëlqesi, të keni zemër dhe guxim, vetëm vazhdojeni strategjinë tuja të mirëfillët. Ne jemi me Ju dhe me popullin  tuaj i cili vuan kaq shumë”.

Imzot Nikë PRELA dallohej edhe si intelektual, njeri i palodhshëm në shkrim-lexim, themeluesi i revistës fetaro-kulturore DRITA së bashku me Mons. Nikollë Mini-n dhe të tjerët, përpilues i disa vëllimeve: “Fjalori biblik” /1994/, “Shenjtërit – pajtorët tanë” (1995); ka përkryer nga shqipja në kroatisht “Nëna jonë Tereze” (1982); Dokumentet konciliare: Lumen Gentium, Dei Verbum dhe Gaudium et Spes (1992); nga kroatishtja në shqip “Zbatimi i thirrjes” (1995), si dhe veprën postume kroatisht “Osvrti i Razmatranja”(1997); shqip “Vështrime dhe Meditime” (2006).

Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës (25 shkurt 1996), Dr. Ibrahim Rugova pati thënë: “Shëmbëlltyra e ndritshme e Ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij gjithmonë e gjallë e që frymon brenda nesh”.

Ditën e varrimit të tij Presidenti Rugova e shpalli ditë zie për Kosovën.

Në takimin e fundit të Imzot Nikë Prelës me dr. Ibrahim Rugovën (4 shtator 1995), pas mjekimit njëmujor në Milano, ipeshkvi tashmë me këmbë të amputuar, në karrocë, iu drejtuar kështu Kryetarit: “Tani edhe unë i përngjaj Jezu Krishtit, popullit tim shqiptar, sepse vuaj shumë dhe të gjitha ia paraqes Zotit për të mirën e popullit tonë, për Ju dhe punën Tuaj të madhe në dobi të paqes…”

Presidenti dr. Ibrahim Rugova, dukshëm i emocionuar nga gjendja shëndetësore si dhe  nga fjalët e Ipeshkvit, tha: “Ju, Shkëlqesi, keni vuajtur dhe vuani edhe tash shumë, por të gjitha i keni përballur trimërisht, guximisht dhe heroikisht. Zoti Ju ndihmoftë, bekoftë dhe shpërbleftë për të gjitha!”.

Këta dy njerëz të rrallë dhe tejet të dalluar, kishin besim në Zotin dhe në popullin, mbi të gjitha shpresa për një të ardhme më të mirë dhe më të lirë. Ata e dhanë “pjesën më të mirë të vetvetes” për ne, për Kosovën tonë, e tani na mbetet neve që testamentin e tyre shpirtëror mos ta harrojmë, por me përkushti dhe dashuri ta zbatojmë.

Dy mendje dhe dy zemra, dy jeta dhe dy personalitete, dy veprimtarë dhe dy dëshmitarë të çështjes së Kosovës, dy vizionarë të drejtësisë, të vërtetës dhe të dashurisë, na “zbardhën” fytyrën, na nderuan dhe ndihmuan para Zotit dhe para botës, duke vurë gurthemelin e së tashmes dhe të ardhmes më të mirë dhe më të lumur në Kosovë dhe më gjerë.                                                                                       

 

TË HUAJIT PËR IMZOT NIKË PRELEN

Imzot Nikë PRELA si ipeshkëv shqiptar në Kosovë, prej njeriut të panjohur dhe tërësisht anonim,, me jetën dhe punën e tij të me përkushti dhe me dashuri për Zotin, për Kishën, për popullin shqiptar, u bë dhe mbeti një ndër protagonistët e shquar  në dekadat e fundshekullit XX. Populli me nderim dhe falënderim, me simpati e quante “Ipeshkvi ynë”, si edhe ai në çdo fjalim, pretk, manifestim i drejtohej popullit me këto fjalë të ëmbla: populli im i dashur! Ky njësim dhe mishërim mes popullit dhe Imzot Nikë Prelës vazhdon ende, gjë kjo që më së miri hetohet, përjetohet dhe dëshmohet edhe në takimet tona përvjetore.

Disa e quajtën edhe “Plaku i Kosovës”,Babai i   Kosovës”,Njeriu i Zotit dhe i Popullit”, “Guximtari i patrandshëm”, “Bariu i Mirë”…

Dhe tani pas 15 viteve të kalimit të tij në amshim, të shqyrtojmë shkurtimisht vlerësimet e të huajve mbi Imzot Nikë Prelën.

PAPA PALI VI  i cili edhe e kishte emëruar ipeshkëv më 2 tetor 1969, në takim me Imzot Nikë Prelën në  vitin 1977 ndër të tjera tha: “Vëlla i dashur, të falënderoj për besnikërinë, dashurinë dhe dëshminë tënde ndaj Selisë Shenjte, Kishës Katolike, ndaj meje dhe për  çdo njeri. Në vuajtje dhe në burgime ke dëshmuar më së miri krishtërimin, faljen dhe dashurinë edhe ndaj armiqve të Kishës dhe të Popullit”.

(Giancarlo e Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna,  1999,  fq. 83).

PAPA GJON – PALI II : “Të falënderoj, i dashuri vëlla, për vuajtjet tua të cilat ia paraqet Zotit për Kishën Katolike, për mua, për popullin shqiptar. Guxim : vuajtja gjithmonë përgatit ardhmërinë më të mirë… Kosova, plaga dhe shpresa jonë!”  (Vatikan, 17 tetor 1995).

(Giancarlo Salvoldi, Madre Teresa nel Kosovo della riconciliazione, Edizioni Messaggero Padova, Velar – Bergamo, 2003, fq. 115).

IMZOT LUIGI BETTAZZI, ipeshkëv i Ivrea-s (Itali):  “Në Kosovë e kam takuar Bariun e Mirë Imzot Nikë Prelën, shembull për duresë, falje dhe strategji paqësore dhe jodhunore. Jam i lumtur se ende ka njerëz të tillë, të guximshëm dhe dëshmitarë të pamohueshëm…”

(Nga shënimet e mia në shkurt të vitit 1994).

IMZOT RAFFAELE NOGARO, ipeshkëv i  Caserta-s (Itali): “Erdha në Kosovë së bashku me Imzot Luigi Bettazzin, don Valentino Salvoldin dhe vëllaun e tij parlamentarin Giancarlo Salvoldin, me delegacioni italian, për t’u takuar me vëllaun ipeshkëv Imzot Nikë Prelën  si  dhe për t’u njoftuar për së afërmi me gjendjen në Kosovë. Ky takim më la përshtypje të jashtëzakonshme, si njeri i vuajtjes, por edhe i shpresës, faljes dhe dashurisë. E kam dëgjuar me nderim dhe admirim të madh. Vërtet ai  është njeri i Zotit dhe i mbarë popullit shqiptar…”.

(Nga shënimet e mia në shkurt të vitit 1994).

ATË BERNARD HARING, moralisti më i madh i shekullit XX, shumë vite ishte shefi i katedrës së teologjisë morale në “Alfonsianum” (Romë): “Dy njerëz në Kosovë, Dr. Ibrahim Rugova, kryetar,  dhe Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, së bashku me shqiptarët myslimanë dhe shqiptarët katolikë, kanë ndihmuar që të krijohet strategjia paqësore jodhunore, ajo e faljes dhe e mëshirës…”.

(Giancarlo e Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 6).

DON VALENTINO SALVOLDI, prift katolik, zëvendësi i Atë Bernard Heringut në katedrën e teologjisë morale, studjues dhe shkrimtar i shumë veprave: “E njoha Imzot Nikë Prelën i cili më thoshte se e tërë jeta e tij ishte një lloj burgu, jo vetëm për të, por edhe më tepër për Kishën dhe për popullin e tij shqiptar. “Të gjitha i kam përballuar lehtë, me fe dhe me dashuri”.

Një herë më tha kështu : “Jam mësuar të bashkëjetoj me dhembjet fizike. Më tepër më mundojnë dhembjet shpirtërore,  sidomos vetmia. Fati im është fati i popullit tim, është fati i Jezu Krishtit, të jesh i dëbuar në “Shtëpinë e Atit”.

Ipeshkvi Nikë Prela ishte figurë dhe simbol i popullit shqiptar, martir i gjallë…”.

(Valentino Salvoldi,  Kossovo, ex – Jugoslavia, dove la non-violenza e’  vita, Editrice Velar, 1999, fq. 7. 12).

GIANCARLO SALVOLDI, parlamentar italian, zëvendësministër për çështje të ambientit: “Imzot Nikë Prela thoshte : “Unë vuaj shumë, por Jezusi ka vuajtur edhe më shumë. Edhe populli im sot vuan më tepër se unë..” . Po ashtu thoshte ; “Nëse një Kishë nuk është frytdhënëse, domethënë nuk ka jetë, nuk ka dashuri. Nëse në Kishë rinia nuk është e gatshme për flijim dhe dhurim të tërësisshëm, domethënë se në atë Kishë diçka nuk funksionon mirë…”.

Si njeri ishte shumë i thjeshtë, nënshkruhej shpesh vetëm don Nikë,  dhe duke u qeshur thoshte: i ndjeri don Nikë Prela,  sepse para   nënshkrimit çdo ipeshkëv e vë  shenjën e kryqit,  sipas traditës kishtare…Si në hoka më tha : “Nuk e di çka ka pare Papa dhe Selia Shenjte në mua, përpos praninë fizike…”.

Ipeshkvi Nikë Prela besonte thellë në paqe me mjete paqësore.  Ai nuk donte ta përdoronte shprehjen strategjia gandiane, por më tepër strategjia tereziane, duke u mbështetur në Nënën Tereze… Ne nuk duhet të shiqojmë çka bëjnë apo nuk bëjnë të tjerët, sepse kjo është humbje e kohës, por më tepër çka bëjmë ne me përgjegjësi dhe bashkëpërgejgjësi. Nuk mund të jemi thjesht shiques apo vëzhgues, edhe më keq “kronista të zi” të gjendjes, por duhet të jemi dëshmitarë të vërtetë dhe bartës të vlerave themelore të krishtërimit, edhe në këto rrethana plot me kundërthënie…”.

(Giancarlo Salvoldi, Madre Teresa nel Kosovo della riconciliazione, vep, e cit. fq. 107 – 115).

 CARLO MARIA  MARTINI, kardinali i Milanos deri në vitin 2003,  vite me radhë Kryetari i Konferncës Ipeshkvore Evropiane , studjuesi i madh i Biblës,  në një takim me Mons. Nikë Prelën ndër të tjera pati thenë kështu:

“Shkëlqesi, deri sa Kisha dhe populli do të ketë njerëz si Ju, e tashmja dhe e ardhmja është e siguruar. Po, ajo së pari është në duart e Zotit, por edhe në përkujdesjen tonë. Zoti kërkon bashkëpunëtorë, e Ju jeni  një bashkëpunëtor i tij i shkëlqyeshëm. Urime dhe vetëm vazhdoni kështu!”.

(Nga shënimet e mia, Milano, tetor 1994).

IMZOT LORENZO BELLOMI, ipeshkëv i Triestit: “Gjithmonë me dashuri e përkujtoj fytyrën e ndritshme dhe tejet të madhe të Imzot Nikë Prelës, mikut tim të dashur, Bariut dhe Apostullit të vërtetë të popullit shqiptar. Zemra e tij e madhe ndezej në dashuri për ata që vuanin. Zoti e shpërbleftë  me amshim!”.

(Nga letra personale, maj 1996).

1. JOSIP TURČINOVIĆ, themeluesi i shtëpisë botuese katolike “Krscanska sadasnost” në Zagreb, miku i madh i Kishës dhe popullit  shqiptar: “Në sprova të rënda për popullin dhe Kishën tuaj, keni fatin dhe hirin e Zotit që ju udhëheq një njeri kaq i madh dhe tejet i mirë, Imzot Nikë Prela. Kjo domethënë se Zoti kujdeset për ju, dhe se dashuria e tij është mjaft konkrete. Ndër të gjithë ipeshkvijtë e Jugosllavisë, për ne ishte më i afërti dhe  më komunikativi. Të lumët ju që e keni, por ndoshta sa ta keni, nuk dini ta çmoni dhe ta nderoni sa duhet. Pas vdekjes së tij do ta hetoni zbrazëtinë dhe mungesën e tij…” (Nga bisedat dhe shënimet e mia, Zagreb, tetor 1988).

 

Imzot Nikë PRELA dhe Nëna TEREZE

Njerëzit e mëdhenj dhe të shenjtë njihen menjëherë mes veti, prej së largu apo prej së afërmi, sepse e kanë një burim të përbashkët, ZOTIN DASHURI dhe VËLLAU NJERI. Ata po ashtu së shpejti i njohin edhe të tjerët, sepse bartin dhe rrezatojnë dritën e mirësisë dhe ngrohtësinë  e dashurisë, Zotin, si dhe vëllazërinë gjithënjerëzore, njeriun, njëri-tjetrin.

Kështu ndodhi edhe me Imzot Nikë PRELEN (1918-1996) dhe Nënën TEREZE (1910-1997).

Qysh në vizitën e parë  të Nënës Tereze Kosovës, ipeshkvisë Shkup-Prizren, më 8-13 qershor 1970, u takuan dy viganat e Kishës dhe të Popullit shqiptar. Dhe prej asaj dite nuk u ndan më, e tani lumturojnë së bashku në amshim.

Mons. Nikë Prela, së bashku me Mons. Nikollë Minin, Dr. Don Gaspër Gjinin, Don Damjan Kurtin, Don Mark Sopin dhe të tjerët, themeluan revistën tonë fetaro-kulturore DRITA, e cila gati në çdo numër kishte ndonjë shënim, shkrim, lajm kushtuar Nënës Tereze.

Imzot Nikë Prela e kishte takuar personalisht Nënën Tereze për të parën herë gjat; vizitës së sah të parë në Kosovë. Më kujtohen fare mirë fjalët dhe vlerësimi i tij rreth këtij takimi: “Gonxhja jonë – Nëna Tereze, është Lulja më e bukur e Kishës shumshekullore dhe martire, Përfaqësuesja më e lartë dhe më e denjë e krishtërimit, kulturës dhe traditës sonë kristiane dhe shqiptare…”.

Herën e dytë Nëna Tereze erdhi në Kosovë më 28 mars 1978. Me atë rast Imzot Nikë Prela, në përshëendetjen dhe pretkun e rastit në Shkup ndër të tjera tha: “O e dashura Nëna Tereze, edhe një tërmet tjetër jehoi anembanë botës (duke parafrazuar tërmetin e 26 korrikut 1963, vr. Ime), kur Zoti të zgjodhi Ty për një vepër të vlerës botërore, qysh kur je nisur prej këtij qyteti, për t’i kushtuar Zotit një mision dashurie, për të hapur zhvillimin e Zotit, fjalën e Zotit, dashurinë e Zotit…

Bashkë me Ty, o Nëna Tereze, unë sot në këtë meshë i falënderoj të madhit Zot për tërë të mirat që i ka derdhur anembanë botës nëpërmjet duarve tua…

Oh, sa jemi të kënaqur me dhuratat e Nënës Tereze të cilën e kemi në mesin tonë!… A thua kam arsye, a kam guxim për të thënë edhe unë: O ti Shkup, sidomos pas tërmetit të parë, edhe pas tërmetit të dytë, që e ke lëvizur Ti, Nëna Tereze, o ti komb prej të cilit ke dalur Ti, nuk je më më i vogli në botë, se mbarë bota të njeh përmes Nënës Tereze…” (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, Drita, 1990, fq. 239-240).

Vizita e tretë e Nënës Tereze, si Nobeliste e Paqes, ishte më 27 qershor 1980. Imzot Nikë Prela në pretkun e rastit ndër të tjera tha: “Ne e presim Nënën Tereze si e pret edhe mbarë bota, si Nënën tonë, por unë do të shtoja edhe më tepër, si Zonjën e shtëpisë sonë. Ajo ka treguar edhe gjer më tani se do ta luajë këtë rol në dioqezën tonë, sepse Zonja e shtëpisë kujdeset për përparimin e shtëpisë, për të gjithë anëtarët e familjes, që tërë shtëpia të shkojë mbarë përpara.. (Dr. Lush Gjergji, vep. e cit. fq. 261-262).

Më 28 qershor 1980 Nëna Tereze ishte në Binçë për t’u takuar me meshtarë, rregultarë dhe rregulltare, si dhe me popull. Në pretkun e rastit gjatë meshës Imzot Nikë Prela ndër të tjera tha: “Më së pari e mbi të gjitha, Nëna Tereze, me shembullin dhe jetën e saj, dëshiron të ndikojë që ta shpallim, ta dërgojmë, ta dëshmojmë virtytin e amshuar, i cili kurrë s’mbaron, as pas vdekjes, dashurinë… Në çdo njeri për ta parë vëllaun, vetë Krishtin, i cili edhe na mësoi ashtu, dhe si nënvizon Nëna Tereze duke vënë në të parin vend ata të cilët janë në fund të jetës, fëmijtë jetima etj…” (Po aty, vep. e cit. fq. 274-275).

Dhe së fundi ja vlerësimi i Imzot Nikë Prelës mbi Nënën Tereze edhe në dy botime, në librin “Lule për Nënën”  ku ndër të tjera shkruan: “Ajo është ndërgjegja e njerëzimit. Ajo është Ambasadorja e së Vërtetës dhe e Dashurisë, e Drejtësisë.

E Vërteta e saj është aq e qartë, Drejtësia e saj është aq e mprehtë dhe Dashuria e saj është aq tërhiqëse sa që nuk mund t’u kundërshtosh qortimeve të jetës së saj të njëmendët dhe nuk mund të mos admirosh të prumët e saj ndaj Mjerimit të gjallë…” (Dr. Lush Gjergji, Lule për Nënën, Drita, 1985, fq. 7-8).

Mendoj se shembulli i Nënës Tereze është simptomatik, sepse në bashkësinë e saj gjejmë edhe klauzurën rigoroze edhe aksionin e hapur veprues, pendesë të rëndë dhe gëzim buzëqeshjeje….

Nuk mund të mos përmend shembullin e nënës së Nënës Tereze, e cila qysh më moshën  e re i printe bijës së vet në rrugën e mëshirës, deri në themelimin e shoqërisë “Misionaret e dashurisë” (Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita, 2006, fq. 91; 98).

Do ta përfundoj këtë paraqitje të shkurtë me një pjesë të librit  kushtuar Imzot Nikë Prelës, që e kam shkruar së bashku me teologun dhe shkrimtarin e madh italian, dr. Valentino Salvoldin, ku ndër të tjera thuhet kështu: “Kjo Shenjtëreshë e Madhe, Bija e Kosovës, ishte simboli, fuqia dhe shpirti i pajtimeve në Kosovë dhe më gjerë. Në të ishte mishëruar martirizimi  shumëshekullor i Kishës dhe Popullit tonë. Ajo ishte frymëzimi ynë për shumë veprimtari dhe qëndrime, në veçanti në pajtime dhe  në bamirësi.

Nga ajo kemi mësuar se nëse e duam paqen, duhet ta mësojmë artin e faljes, ta ndërtojmë pajtimin nëpërmjet strategjisë jodhunore, gandiane, edhe më mirë, tereziane.

Këtë strategji e ka përkrahur dhe përhapur gjithnjë Imzot Nikë Prela, presidenti Ibrahim Rugova, shumë intelektualë, sidomos rinia jonë, për ta ndalur shpirtin e urrejtjes dhe dhunës, për ta favorizuar takimin, bisedimin, dialogun dhe komunikimin ndërnjerëzor dhe ndërkombëtar.

Më 3 maj 1990, me rastin e hapjes së Kuvendit të parë të “Misionareve të Dashurisë” në Bukuresht,  ipeshkvi Nikë Prela, Don Lush Gjergji dhe Don Dodë Gjergji, tani ipeshkvi i Kosovës, ishin pjesëmarrës në këtë ceremoni.

Nënës Tereze, në hollësi i treguam për ngjarjet e Kosovës, sidomos për pajtimin e gjaqeve dhe bamirësinë, me fjalë, me fotografi dhe incizime, aq sa kishte atëherë. Nëna Tereze ishte dukshëm e prekur, dhe me lot gëzimi tha: “Oh Zot, sa bukur, populli im shqiptar po pajtohet, po falën gjaqet! Kjo është mrekullia e Zotit”.  Pastaj, e mori një letër dhe me dorën e vet e shkroi këtë porosi:

Gjithmonë shpirtnisht jam e lidhun me uratë dhe dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vlështira. Mbas shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqiptare kosovare që e nisi këtë vepër, si dhe të gjithë atyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte.

Lutem gjithmonë për ju. Zoti ju bekoftë. Lutuni për mue – edhe motrat e mija dhe fukarat e jonë.

Në Krishtin M. Tereze MC.

Pastaj si post scriptum shtoi edhe këtë:

“Dëshiroj që dashnijën në vepër të kallzoni për njeriun nevojtar”.

Në të njëjtën ditë e shkroi edhe këtë porosi: “Pranoj thirrjen e ipeshkvit tonë Zotni Nikë Prelës dhe dëshiroj të vij në Kosovë për të mirat që me ka dhanë Zoti jetës teme.

Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem Shqiptar.

Zoti kjoft me ju dhe dashnija e pagja e Zotit gjithmonë kjoft me ju.

Zoti ju bekoftë.

1. Tereza MC”.

 

Mësuesi i strategjisë jodhunore

Ipeshkvi Nikë Prela besonte vendosmërisht në paqe me mjete paqësore. Ai nuk kishte dëshirë të fliste për strategjinë gandiane, por më tepër për atë tereziane, duke u mbështetur në Nënën Tereze.

Me shpirtin dhe metodologjinë e kësaj Motre, ai përcillte skenat e ndryshme të dhunës dhe të luftës në Kroaci, Në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe vuante shumë për masakrime dhe dhembje. Shpeshherë e kam gjetur me sy të përlotur, në gjunjë në lutje, apo me duar të hapura drejt qiellit. Ai e urrente luftën dhe armët dhe shpesh thoshte se ku “flasin armët”, aty mendja e njeriut “bllokohet”, zemra “ndrydhet” dhe nuk mund të bëhet më asgjë përpos uratës dhe paraqitjes së vuajtjeve Zoti…

Shpeshherë njerëzit nuk e kanë kuptuar, sepse ai ishte vizionar, profet, shikonte shumë përpara, kishte parandjenja të mrekullueshme, dhe gjithnjë fliste për të mirën e përbashkët, e cila nuk është as serbe, as shqiptare, por universale, e të gjithëve dhe për të gjithë, si dhe guximi apo trimëria e paqes dhe pajtimit dhe “qyqëria” e urrejtjes dhe hakmarrjes…

Kur fliste me popull, gjithnjë e përsëriste këtë: “Mos shikoni çka bëjnë apo nuk bëjnë të tjerët, sepse kështu vetëm humbim kohe, jemi në rrezik ta humbim edhe shpirtin. Të kërkojmë, përkundrazi, që ne të jemi përgjegjës për jetën dhe veprimet tona,  jo për atë që nuk mund apo nuk duam ta bëjmë! Ne duhet të jemi të mirë dhe të pastër në shpirt, në zemër, si parakusht paqeje dhe pajtime, bashkëjetese…”.

 

Dhuratat nga Kosova

Si përfundim Don Valentino SALVOLDI shkruan kështu:

“Familjariteti me Imzot Nikë Prelën, miqësia me Vikarin e Përgjithshëm të Kosovës, Don Lush Gjergjin, bashkëpunimi me presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, na kanë mundësuar neve  që të pasurohemi me vlera të mirëfillta në Kosovë, tokë kjo vërtet martire, por edhe vend i pëlleshëm dhe i bekuar për strategjinë paqësore jodhunore, për paqe dhe pajtim, për ide dhe ideale të larta për mbarë njerëzimin.

E keqja është mjaft mirë e organizuar në botë, mirëpo nuk duhet kurrë pranuar sfidat për të keqe, sepse vetëm e mira, paqja, pajtimi, e vërteta dhe dashuria do ta çlirojnë botën.

Të gjithë jemi të ftuar që ta japim “pjesën tonë më të mirë”,  e jo ta sundojmë njëri-tjetrin. Fuqia e dashurisë është shumë më e madhe se ajo e armëve, sepse ajo është e amshuar.

Të kërkojmë gjërat të cilat na afrojnë dhe bashkojnë, e jo ajo ato që na ndajnë dhe përçajnë”, thoshte Papa i mirë, Gjon XXIII..

Pajtimi duhet të jetë i pakusht dhe i vazhdueshëm, për të gjithë, sepse vetëm kështu vërtet do të jemi të mirë dhe të lirë.  Kush  di të falë, i përngjan vetë Zotit në mirësi dhe në dashuri.

 Falja, domethënë hapi më i lartë dhe më i thellë i dashurisë.

Duhet doemos të çlirohemi nga urrejtja, tirani i brendshëm i çdo njeriut. Me  botimet tona mbi Kosovën, ne e kemi bartë këtë përvojë të çmueshme të këtij vendi dhe populli të vogël, por me vlera të mëdha.

Falja është hiri i Zotit, por edhe bashkëpunimi me njerëz të mirë. Këtë më së miri e kemi kuptuar në Kosovë.

Shqiptarët,  të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe Imzot Nikë Prela, të frymëzuar nga Nëna Tereze, e kanë shpëtuar Kosovën nga përgjysmimi apo zhdukja e tërësishme, me mençuri, lartëpamësi, profetizëm. Kështu, të them disi në mënyrë alegorike dhe figurative , “e kanë detyruar”  Zotin, por edhe mbarë botën, për t’iu ndihmuar dhe për t’i shpëtuar. Kjo është vepra e Zotit në ditët tona!

 

… por dhurata më e madhe e Kosovës, së paku për ne, është e Lumja Nëna Tereze, dhe së bashku me të, edhe Imzot Nikë Prela, Ipeshkvi i dashur nga të gjithë, Njeriu vërtet i Zotit, Kishës dhe Popullit! (Don Lush Gjergji – Don Valentino Salvoldi, Imzot Nikë Prela njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit, Velar-DRITA, 2010, fq.44-45).

Zoti e shpërbleftë Imzot Nikë Prelën me pavdekësi dhe lumturi, kurse ne, populli dhe Kisha e tij, gjithnjë e kujtofshim dhe kurrë  mos e harrofshim. Pushoftë në paqe! Amen.    

Bibliografia:

1. Dr. Lush Gjergji, Lule për Nënën, DRITA, 1985.

2. Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, DRITA, 1990.

3. Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex – Jugoslavia, Dal Kosovo la testimonianza dei protagonisti. EMI, Bologna, 1993.

4. GianCarlo e Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997.

5. Nikola Prela, Osvrti i Razmatranja, Priredio Lush GJERGJI, KS, Zagreb, 1997.

6.  GianCarlo e Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo non violenza per la ricinciliazione, EMI, Bologna, 1999.

7. Valentino Salvoldi, Kossovo ex-Jugoslavia dove la non-violenza e’  vita, Editrice VELAR, 1999.

8. GianCarlo Salvoldi, Madre Teresa nel Kosovo della riconciliazione, Edizioni Messaggero Padova – Editrice VELAR, Bergamo, 2003.

9. Valentino Salvoldi, Madre Teresa Emblema di Pace, ELLEDICI, Torino, VELAR, Bergamo, 2003.

10. Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, përmblodhi dhe përgatit: Don Lush  Gjergji; përktheu: Don Fatmir Koliqi, DRITA, Prizren, 2006.

11. Don Lush Gjergji – Don Valentino Salvoldi, Imzot Nikë Prela njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit, Velar-DRITA, 2010; botimi italisht VELAR-ELLEDICI

Shpërndaje

Comments are closed.

« »