Kërkohet përgjigje me mendje e zemër

Feb 22 • Meditimi i ditës

22 shkurt 2016 – E hënë, Katedra e Shën Pjetrit Apostull, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Pjt 5,1-4; ps 22; Mt 16,13-19)

 

Prania e Hyjit

 

E mrekullueshme është të jesh së bashku me shokë, në afërsinë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar prej dashurisë.

Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehur.

Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.

 

Liria

 

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si po e përjetoj, si po e ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

 

Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 16, 13-19

 

13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:

“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”

14 Ata u përgjigjën:

“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”

15 “Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”

16 Iu përgjigj Simon Pjetri:

“Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”

17 Atëherë Jezusi i tha:

“I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!

19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”

 

 Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e pasazhin të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

       – Jezusi ishte në gjendje të besonte në sinqeritetin e Pjetrit, sepse ai fliste atë që kishte në zemër dhe mendje.

 – Ndërsa Jezusi ma bën edhe mua të njëjtën pyetje, përpiqem të jem i/e sinqertë, duke e ditur se pa marrë parasysh përgjigjen time Jezusi s`do të largohet. Nëse jam i/e pasigurt se çfarë të them, do ta ftoj Jezusin që ta hedh shikimin në jetën time dhe të shohë se si dëshmoj për të.

 

 Bashkëbisedimi

 

Nganjëherë nuk di çfarë do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »