Identiteti im i (pa)vërtetë

Feb 23 • Meditimi i ditës

23 shkurt 2016 – E martë, Shën Polikarpi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

](Leximet e ditës: Is 1,10.16-20; ps 49; Mt 23,1-12)

 

Prania e Hyjit

 

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.

 

Liria

 

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund këtë ta vëreja?
Lus për hirin e çlirimit nga brengosjet personale
dhe çiltërinë për atë që Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Mt 23,1-12

 1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:

2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  – Lehtë lejojmë që të shpërqendrohemi duke shikuar apo dëgjuar për të famshmit apo ngashënjehemi pas lavdisë, pushtetit. Do të reflektoj se sa qëndron dinjiteti im i vërtetë – identiteti im i mirëfilltë – në të vërtetën se jam fëmijë i Zotit. Do të meditoj për mënyrën e jetës e cila do t`i shpinte të tjerët në plotësinë e dinjitetit të tyre.

 – Jezusi e mori mbi vete rolin e shërbëtorit dhe vazhdon të më shërbejë. Lus për hirin shenjtë që edhe unë të mund të shërbej me përvujtëri.

 

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »