(Pa)Durimi me njerëzit ndryshe

Feb 24 • Meditimi i ditës

24 shkurt 2016 – E Mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 18,18-20; Ps 30; Mt 20,17-28)

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq tepër i/e preokupuar në punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

 

Zoti e njeh lirinë time, ajo nuk është për të e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të bëhem njeri i lirë nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Mt 20, 17-28

 

17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha:

18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.”

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha:

“Çka dëshiron?”

Ajo iu përgjigj:

“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

22 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.

23 Jezusi vijoi:

“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:

“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Edhe pse nxënësit jetonin me Zotërinë është dashur kohë që të rriten për të kuptuar vizionin e tij. Jezusi këtë e di kështu që e pranoj që edhe unë jam i/e ngadalshëm/e për të kuptuar dhe mundohem ta shijoj shikimin e tij të butë plot dashuri mbi mua.

– Ndërsa jam duke e kuptuar se si u zemëruan nxënësit me Jakobin dhe Gjonin lus Jezusin që të më ndihmojë që të jem i/e durueshëm/e dhe që t`i fal të gjithë ata që s`i shohin dhe s`i kuptojnë gjërat si unë.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus i dashur, po ta hap zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,

Se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »