20 vjet pa Imzot Nikë Prelën

Feb 25 • Kisha në Kosovë

Në 20 vjetorin e kalimit në amshim të Ipeshkvit imzot Nikë Prela, në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është kremtuar mesha kushtuar figurës, veprës dhe jetës së imzot Nikës.

 

Nga Ardian Nikolla

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka kujtuar Imzot Nikë Prelën si simbol të rezistencës dhe qëndrueshmërisë fetare e kombëtare në kohëra dhe periudha të vështira në të cilat ka kaluar vendi dhe populli ynë.

“Me urtinë e tij, u ndikua e ardhmja jonë, sidomos ajo kishtare. Ishte i  vetëdijshëm për situatën në të cilin gjendej populli i tij dhe për rrethanat në të cilat duhej të ushtronte përgjegjësitë e veta. Këndej, duke qenë në gjitha anët i kufizuar, iu përkushtua veprimtarive më të rëndësime të kohës, thirrjeve të shenjta, për të krijuar klerin e vendit dhe shtypin kishtar, për t’i siguruar klerit tekstet liturgjike dhe literaturë në gjuhën shqipe. E gjithë pasuria, njerëzore e klerit që sot jemi dhe gjithë ajo pasuri e librave dhe mediave që kemi, janë mërit e drejtpërdrejtë e tija.

Imzot Nikë Prela, në rrethana të veçanta dinte të përvujtnohej për së tepërmi, deri në atë masë sa nganjëherë, neve që ishim rreth tij, na dukej si dobësi, por ai na ngushëllonte duke thënë, “në mua duan t’u shkelin juve”. Duresa e tij ishte largpamësi dhe vizion i shpëtimit tonë. Këtë vizion më vonë  e përqafoi Presidenti Rugova, dhe i tërë populli shqiptarë, si mënyrën më njerëzore e rezistencës kolektive ndaj dhunës shtetërore.

Nga mësimet e tij të shumta, që me siguri kanë mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur, mbizotëronte dashuria për njëri-tjetrin, ndjenja e vëllazërisë mes njerëzve pa dallim feje dhe etnie dhe dëshira për paqe, liri e prosperitet të popullit.

Është e rëndësishme të cekim se, për një kohë të gjatë, Imzot Nikë Prela, ishte zë i vetëm i Kishës katolike në popullin tonë. Këndej ai nuk pushojë asnjëherë duke ngritë zërin e vet, kuptohet aq sa kishte zë, për të drejtat e shqiptarëve në Ish-Jugosllavi dhe për nevojën e hapjes së kufirit të Shqipërisë.

Shumëkujt, mund t’i kujtohet, predikimi i tij profetik, pranë kufirit me Shqipërinë, në Zym të Hasit, kur thoshte: “Lus Zotit që këta dy meshtarë të ri të kalojnë matanë kufirit, për të shpallë ungjillin.” Ose predikimin e tij në Bishtazhin, kur thoshte: “po me përbuzin duke më quajtur me ironi, shiptarski biskup”, dhe e pohonte duke iu  përgjigjur:  “po unë jam ipeshkëv i shqiptarëve!”, ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Tutje Imzot Gjergji ka deklaruar se “Gjatë fundit të viteve të 80-ta dhe fillimi i vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, kur Nikë Prela, ishte ipeshkëv ndihmës për besimtarët shqiptarë në Kosovë, ishte koha e udhëkryqit të madh të popullit tonë, i cili duhej të zgjidhte rrugën drejt së ardhmes vet. Pas ngujimi politik, njëshekullor, populli që donte paqe dhe liri, zgjodhi rrugën e duhur drejt synimeve të veta të drejta për liri. Gjatë kërkimit të kësaj rruge dhe gjatë përcaktimit të qëllimeve e metodologjisë së rezistencës, shumë autoritete të jetës kulturore, akademike dhe politike e shihnin, Ipeshkvin Prela dhe Kishën Katolike, si një nga udhërrëfyesit më të urtë drejtë rezistencës paqësore, si mundësinë më të mirë për qëndresë sociale dhe si dëshmitarin më të besueshëm për kauzën kombëtare, para popujve të qytetëruar. Mbaj mend, si djalë i ri, se si në zyrën modeste të Ipeshkvit në Ferizaj, hynin e dilnin shumë personalitete dhe këshilloheshin me të për shumëçka.  Si ata që gjendën me të në amshim, ashtu edhe ata që janë me ne në këtë tokë. Ai të gjithë i prite me gëzim dhe me thjeshtësi, jepte këshilla dhe pranonte sugjerime prej tyre. Ai ishte i bindur se është përgjegjës për grigjën që iu besua, prandaj, angazhohej me gjithë forcën që kishte, t’i dilte zot popullit vet.

Kujtojmë, kur gjithë institucione heshtnin para padrejtësive që shteti i bënte një populli e kur minatorët ishin ngujuar në miniera nën dhe, për të mbrojtur dinjitetin kolektiv, ishte zëri i vetëm që publikisht dhe institutcionalisht mbështeti minatorët dhe kërkesat e tyre”.

Imzot Dodë Gjergji, kujton edhe letrën e Imzot Nikë Prelës dërguar Papës Gjon Palit II, ku e njofton për gjendjen e popullit shqiptarë në Jugosllavi.

“… Shtypja ka aspekte të ndryshme: ekonomike, politike, kulturore, etnike. Kërkohet të shuhet edhe gjuha shqipe në shkolla, pra, kultura dhe tradita shekullore, sidomos në Maqedoni dhe në Malin e Zi, ku pothuaj gjatë natës me dekret shtetëror, mbyllen shkollat shtetërore në gjuhën shqipe, ose shndërrohen në maqedonase, në bashkësi gati tërësisht shqiptare, (p. sh. në Tetovë, Gostivar, Dibër, Kumanovë, Shkup etj.) Aq më i rreptë   është  sulmi kundër natalitetit të Shqiptarëve, si në kohën e faraonëve, ku sipas ligjeve më të reja në Maqedoni, Shqiptarëve iu ndalohet të kenë më shumë se dy fëmijë… Tash, Shenjti Atë Papë, u drejtohem Juve dhe kërkoj ndërhyrjen Tuaj në të mirë të popullit tim Shqiptar, në veçanti në aspektin kishtar, që të mund t’i realizojmë të drejtat themelore si të gjithë popujt e tjerë.” Ka thënë në fund imzot Dodë Gjergji.

Të pranishëm në kremtimin e meshës për 20 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës, ishin autoritete të rëndësishme vendore. Për ndër të jetës dhe veprës së Imzot Nikë Prelës, është hapur edhe një ekspozitë me fotografi në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Ekspozita do të jetë e hapur deri në të dielën (28 shkurt). 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »