Si e sheh kohën kushtuar lutjes?

Feb 25 • Këndvështrime

Nëse duhet të na pushtojë Shpirti Shenjt në lutje, atëherë duhet të jemi si një shkretëtirë, ku asgjë nuk ndodh. Në librin e Osesë 2,16 Hyji u thotë bijve të Izraelit:

“Prandaj vetë do ta josh atë,

do ta shpie në shkretëtirë

e do t’i flas zemrës së saj.”

Koha që ia ke kushtuar lutjes mund të të duket si një shkretëtirë, kur e fik celularin tënd, kompjuterin, iPad-in, radion a TV-n. Ti je larguar nga zhurma dhe nga gjithçka që të skllavëron në anën sipërfaqësore, e pyet veten nëse është e mundur të ndodhë diçka e dobishme. E pra, Hyji do që të të tërheqë më thellë në zemrën tënde dhe të të takojë atje. Është mirë, pra, të krijosh vende të tilla shkretëtire në mënyrë që ta përforcosh ndjeshmërinë tënde ndaj fjalës së Hyjit. Do të të joshë hijeshia e Hyjit, dhe Hyji do t`i flasë zemrës sate.

Premtimi i Hyjit i dhënë me anë të profetit Osea është përmbushur në historinë e Moisiut, një person i zakonshëm si ne (libri i Daljes, 3). Kjo mund të na ndihmojë.

Moisiu, “pasi i dha grigjës mballimin e shkretëtirës, arriti në malin e Hyjit Horeb”. Qetësohet në heshtje dhe vendoset në mënyrë ideale përpara Perëndisë, i cili do t`ia nxitë vëmendjen e tij. Edhe ti mund të qetësohesh dhe bëhesh gati për të vënë re qasjen delikate të Zotit në zemrën tënde.

Pastaj, Moisiu vëren një kaçubë të ndezur flakë që s`digjej dhe mbet i mahnitur. Këtu Hyji e magjeps Moisiun. Hyji pastaj e thërret atë me emër: “Moisi, o Moisi!” Edhe ty Zoti të thërret me emër. Hyji të pranon. Edhe ty Zoti mund të të tërheq/joshë me ndonjë tekst ose ndonjë ngjarje që do të fillojë “të ndizet flakë” për ty. Moisiu është i gatshëm që të takohet me Hyjin e gjallë. Hyji i tregon atij se ndodhet “në tokë të shenjtë” – në territorin e Hyjit. Atëherë Hyji i zbulohet në një mënyrë që Moisiu të mund ta kuptojë: “Unë jam Hyji i etërve të tu.”

Ky takim intim thellësisht e prek Moisiun. Hyji i flet zemrës së tij. “Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikonte drejt Hyjit.”

Hyji është aktiv edhe në lutjen tënde. Shkretëtira jote është një tokë e bekuar. Ji i/e qetë dhe lejo që gjërat e Hyjit të të prekin në zemrën tënde. Ftoje Hyjin që ta pëshpëritë emrin tënd, që ta ndezë një zjarr të vogël në zemrën tënde dhe të të tregojë se sa shumë të do.

 

(Nga libri “When You Pray – Kur lutesh”, i Finbarr Lynch SJ, Dublin, 2012; Përktheu: P. Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »