Mëshira dhe dashuria e Zotit na përcjellin ditë e natë

Feb 27 • LEXIMET E SË DIELËS

 E Diela III e Kreshmëve (C)

 

 Leximi i parë:  Dal 3,1-8.13-15 

Lexim prej Librit të Daljes

 Në ato ditë, Moisiu po i kulloste delet e vjehrrit të vet, Jetros, priftit të Madianit. Duke e kullotur grigjën e vet në shkretëtirë, arriti në malin e Hyjit Horeb. Një engjëll i Zotit iu duk në flakën e zjarrit në mes të një kaçube; ai pa se kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej.

Moisiu mendoi: “Po afrohem të shoh këtë dukuri të madhe: pse nuk digjet kaçuba”. Kur Zoti e pa se po afrohet për të parë, Hyji e thirri prej kaçube dhe i tha: “Moisi, o Moisi”!  Ai u përgjigj: “Urdhëro!”.  Ai tha: “Mos u afro këtu! Hiqi sandalet prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është tokë e shenjtë”! Dhe shtoi: “Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit”. Atëherë Moisiu e mbuloi fytyrën, sepse nuk kishte guxim të shikonte drejt Hyjit.

Zoti i tha: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, në dheun e Kanaaneut, Heteut, Amorreut, Perezeut, Heveut dhe të Jebuzeut.

Atëherë Moisiu i tha Hyjit: “Kur të vij te bijtë e Izraelit dhe t`u them: Hyji i etërve tuaj më dërgoi tek ju. Po nëse më thonë: ‘Si e ka emrin?’, çka do t’u them”? Hyji i tha Moisiut: “Unë jam ai që jam”!

Dhe Hyji i tha përsëri Moisiut: “Kështu thuaju bijve të Izraelit: Jahveu /Ai që është/, Hyji i etërve tuaj, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, dhe Hyji i Jakobit më dërgoi tek ju. Ky është emri im i përhershëm, me këtë emërtim do të kujtohem prej breznie në brezni”.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 103

 Ref  Zoti ka mëshirë për popullin e vet

————————————————–

Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

———————————————–

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

————————————————

Zoti bën veç vepra të mira,

u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

Synimet e veta ia zbuloi Moisiut,

bijve të Izraelit veprat e veta.

—————————————————

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.

——————————————————————

 

Leximi i dytë 1 Kor 10,1-6.10-12

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det dhe të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror, dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti. Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, pasi qenë vrarë në shkretëtirë. Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos e lakmojmë të keqen, siç e lakmuan ata. Mos nynkatni siç nynkatën disa prej tyre dhe engjëlli Shfarues i vrau. Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës.

Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet që të mos rrëzohet!

Fjala e Zotit

 Lavdi ty, o Krisht, Mbret I lavdisë së amshuar!

Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret I lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli Lk 13, 1-9

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Lukës

 Në atë kohë  ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

Fjala e Zotit

 

POROSIA

 I dashuri Lexues, tema e përbashkët e leximeve të sotme, është kthimi ynë shpirtëror, që lind nga zemra e gjen shprehje dhe mishërim, pasqyrohet në sjelljet tona. Kjo e diel na përkujton sa urgjent dhe i domosdoshëm është kthimi ynë kah Zoti. Zoti e di se kthimi ynë është i ngadalshëm, por Ai e pret me durim të pakufishëm, sepse e do shpëtimin tonë. Lirisht mund të themi se Zoti më tepër shqetësohet për shëlbimin e shpirtit, se sa për shpëtimin e shëndetit.

Leximi i parë: Zoti ia zbulon Moisiut emrin. Ky  emër është një premtim: Premtimi i pranisë së Zotit në jetën tonë. Zoti na thotë: Aty ku ti gjendesh në rrezik, aty Unë jam, jam besnik e do të më gjesh kurdoherë pranë teje, premton Zoti.

Leximi i dytë: Pali i qorton korintasit dhe neve: Nuk mjafton të jesh i krishterë vetëm me emër. Duhet të jesh i krishterë me vepra, duhet të zhvishemi nga krenia, egoizmi, dhe të vishemi me përvujtëri, besnikëri, dashuri, me Krishtin.

Ungjilli: Dhimbja dhe fatkeqësia, vdekja, nuk janë sinonim i ndëshkimit hyjnor. Përkundrazi, Zoti na ka për zemër. Ai e do lumturinë tonë. Për këtë arsye na thërret në udhën e dashurisë e të jetës.

Mëshira dhe dashuria e Zotit na përcjellë ditë e natë, në çdo hap të jetës sonë. Zoti është i gatshëm dhe i durueshëm me ne. Këtë na e tregon shëmbëlltyra e fikut. Papa Françesko thotë se emri dytë dhe më i mirë për Zotin është mëshira. Ai nuk lodhet kurrë duke na falur, por ne lodhemi shpesh herë duke i kërkuar falje.

Kthimi është i domosdoshëm për shëlbimin tonë. Askush nuk është i privilegjuar apo i përjashtuar nga kjo kërkesë: Të kthehemi kah Zoti! Ai dëshiron të na shpëtojë nga e keqja dhe vdekja e amshuar. Shëmbëlltyra ka dy kuptime: Durimin dhe zemërgjerësinë e Zotit por edhe faktin se ky durim ka kufij. Vjen një ditë kur Zoti dëshiron të takohet me ne, të fletë me ne. Kur do të jetë ky takim i ynë, e di vetëm Zoti. E jona është të japim fryte të mira, që do të na ndihmojnë në takimin tonë me Zotin. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, të përvujtë dhe të penduar në zemër t`i drejtohemi Atit tonë me lutjet tona të përbashkëta, duke thënë:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

– O Atë i shenjtë, po të lutemi për Kishën tënde, frymëzoje Papën, ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët të udhëheqin Kishën tënde me sukses drejt amshimit, të lutemi:

– Kreshmët janë kohë e kthimit tonë kah ti, o Zot, na ndihmo që të vetëdijesohemi për mëkatet tona dhe duke u penduar për to, të japim fryte të mira, që do të pëlqejnë ty, të lutemi:

– Kreshmët janë kohë e lutjes, na ndihmo, o Zot, të gjejmë kohë për lutje dhe të lutemi me fe, qëndrueshmëri dhe dashuri, të lutemi:

Kreshmët janë kohë e bamirësisë, na ndihmo o Zot, të kemi zemër për ata që nuk kanë, dhe t`iu ndihmojmë të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë, të lutemi:

Faleminderit, o Atë, që me durim të madh e pret kthimin tonë kah ti, pranoji njetet dhe lutjet tona, na mbroj me mirësinë tënde dhe na ruaj duke na udhëhequr kah atdheu ynë qiellor, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »