I (pa)frytshëm?

Feb 28 • Meditimi i ditës

28 shkurt 2016 – E diela III e Kreshmëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 3, 1-8a. 13-15; Ps 102; 1 Kor 10, 1-6. 10-12)

 

Prania e Hyjit

 

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

 

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

 

Si jam duke u sjellë me Hyjit? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 13, 1-9

 

1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Kopshtari kishte mbjellë pemën: e ujit, ushqen dhe pastron. Gjithçka që ai bën është e drejtuar kah prodhimi i një peme të fortë, të shëndetshme dhe të frytshme. A e shoh dorën e mëshirshëm të Hyjit në çdo gjë që më  ndodh?

– Zoti më ka “mbjellë” në këtë jetë. Ai më ka dhënë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë fryt. Kjo e gëzon Zotin. Një ditë në të ardhmen do të jetë dita ime e fundit në tokë. S`do të ketë më mundësi për të përmirësuar cilësinë a sasinë e frytit që jap. Çka nëse ndodh që sot të jetë ajo ditë?

 

Bashkëbisedimi

 

“Rrini zgjuar – mos flini.“
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të rrish zgjuar të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »