Botime të nevojshme me vlera

Feb 29 • Recension

Dijana Gj. Dukaj

 

Botimi i librave të rinj, është ngjarje e bukur për të gjithë ata që e duan fjalën e shkruar. Sidomos të atyre librave që dallojnë për nga përmbajtja dhe tematika të cilën trajtojnë. Aq më parë pasi në kohën e sotme botohen libra me përmbajtje dhe vlera të ndryshme. Para disa ditësh, (më 24.02.2016) në seminarin ndërdioqezan “Zoja e këshillit të mirë”, në Shkodër, u bë promovimi i librave “Misteri i thirrjes dhe i mospërgjigjes” nga Amadeo Cencini dhe “Udhëheqja shpirtërore sfidë dhe nevojë e ditëve tona”, nga Don Anton Uka.

Për librin “Misteri i thirrjes dhe i mospërgjigjes” të padre A. Cencini folën mons. Ottavio Vitales, Don Gjovalin Simoni dhe Loreta Toma.

Folësit vlerësuan lart librin dhe ishin të një mendjeje se vepra të tilla janë gjithnjë e më të nevojshme, jo vetëm për të rinjtë por, për të gjithë të krishterët. Sepse të gjithë kemi nevojë ti kuptojmë thirrjet që na vijnë nga Hyji.

“Edukimi në të drejtën kuptohet si proces drejt emancipimit. Vëmendja ndaj thirrjes përbën proces formues, largpamës. Dëshira ime është që ky libër të jetë i pari i një serë të gjatë të kësaj natyre, u shpreh mes tjerash mons. O. Vitales.

Dom Gjovalin Simoni, që bëri përgatitjen e librit, foli për tri pjesët e librit. Pjesa e parë, paraqet domethënien e thirrjes. E dyta, trajton mundësinë për ti thënë “jo” thirrjes. Kurse pjesa e tretë, e fundit, tregon mënyrën sesi Hyji na thërret vazhdimisht, pavarësisht pasigurisë që ne kemi.

Ndërkaq, Loreta Toma, foli për risitë që paraqet ky libër. “Brenda nesh Zoti na

paraqet sesi njeriu është i krijuar brenda tij. Nëpërmjet shëmbëlltyrave ne kuptojmë se njeriu i bën të gjitha bashke. Don dhe nuk don”, tha ajo.

Kurse për librin e Don Anton Ukaj “Udhëheqja shpirtërore sfidë dhe nevojë e ditëve tona”, foli At Mario Imperatori, i cili tha se një libër i tillë vjen për herë të parë në gjuhën shqipe; është libër akademik dhe ka vlerë objektive. At Mario, foli për katër kapitujt e këtij libri në mënyrë përmbajtësore, po ashtu për vlerën e tij që tregon relacionin me tjetrin.

Autori, Don A. Ukaj, për udhëheqjen shpirtërore si nevojë imediate, për domethënien e kësaj shprehjeje dhe udhëheqjen shpirtërore në realitetin tonë shqiptarë, mes tjerash tha: “Ndryshimi i shpejt kulturor, kalimi nga sistemi komunist në atë demokratik, hapja e lirisë fetare, kapërcimi nga familja patriarkale në atë mononuklearë, digjitalizimi i komunikimit dhe i marrëdhënieve ndër personale, kanë shkaktuar ç’rregullim shpirtëror dhe psikologjik.”

Përmbajtja e këtyre veprave, do të jetë joshëse për lexuesit, pasi ajo është mjaft e veçantë në këto hapësira. Prandaj, si të tilla janë të mirëseardhura në këto kohëra kur promovimi i vlerave përmes botimeve të ngjashme është tepër i nevojshëm.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »