Zoti na flet në shumë mënyra

Feb 29 • Meditimi i ditës

29 shkurt 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Mbr 5,1-15a; Ps 41-42; Lk 4,24-30)

 

Prania e Hyjit

 

Ajo çfarë përpiqem të bëj këtu është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi të gjitha çfarë është duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta marr vesh që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm/e për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur ndaj asaj çfarë prania e Tij dëshiron të më komunikojë.

 

Liria

 

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderoj për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht mua.

 

Lk 4, 24-30

24 Për të vërtetë po ju them ‑ vazhdoi ‑ asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.

25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”

28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Vendasit e Jezusit mendonin se ata dinin gjithçka rreth tij dhe se ai s`kishte më asgjë për t`iu thënë. Sa herë na shpëton t`u kushtojmë vëmendje njerëzve afër nesh? Mund të bëj lëshime, të humbas diçka shumë të rëndësishme, pa e ditur këtë? Hyji na flet në shumë mënyra, duke përfshirë edhe ato që më së paku i presim dhe nëpërmjet njerëzve prej të cilëve më së paku presim.

– O Zot, më jep sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar – sot e çdo ditë deri në fund të jetës sime.

 

Bashkëbisedimi

 

Komunikimi nënkupton bashkëbisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në kujdesin e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç` është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »