Falja na liron për të jetuar

Mar 1 • Meditimi i ditës

1 mars 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 3,25.34-43; Ps 24; Mt 18, 21-35)

 

Prania e Hyjit

 

Tashti të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia

dhe kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.

 

Liria

 

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

 

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 18, 21-35

 21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:

“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”

 

 Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Falja mund të jetë e vështirë. C. S. Lewis pat shkruar: “Falja është një ide e mrekullueshme për të gjithë deri në momentin kur duhet falur.” Kur e lëshoj rastin për të falur atëherë jam i/e lidhur për të keqen që më është bërë. Unë nuk mund të eci përpara. Sa jam i/e lirë apo i/e lidhur për refuzim?

– Në qoftë se duhet të jemi të gatshëm për të falur shtatëdhjetë herë shtatë, duhet të jemi të gatshëm dhe të kërkojmë falje – dhe të besojmë se na është falur shtatëdhjetë herë shtatë. A e zbatoj faljen në marrëdhënie me njerëzit e tjerë, apo ajo është e rrallë në jetën time?

 

 Bashkëbisedimi

 

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çfarë më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

nga kujtesa dalin ngadalë fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »