I (pa)ndarë në vetvete

Mar 3 • Meditimi i ditës

3 mars 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 7,23-28; Ps 94; Lk 11,14-23)

 

Prania e Hyjit

 

Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.

Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.

Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,

shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

 

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

 

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Lk 11, 14-23

 

14 Një herë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit. 15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 16Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:

“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Njerëzit që e kritikonin Jezusin ishin të përqendruar në demonë dhe jo në atë që i dëbonte demonët. Edhe unë nganjëherë di të jem shumë i/e ngarkuar me detaje, dështime dhe zhgënjime.

– Me kë mund të identifikohem në turmën që ishte dëshmitare e mrekullisë së Jezusit? Me ata që e shikonin me admirim? Me ata që e refuzonin atë? Apo me ata që vënin bast për shenjavijuese? Jezusi na nxit që të mos mund të jemi neutral: ose jemi me të ose kundër tij.

– A jam i/e ndarë në vetvete: nganjëherë duke dëgjuar Jezusin, e nganjëherë duke dëgjuar djallin? A kam një zemër që di të shoshitë, shqyrtojë shpirtrat? E lus Jezusin që të më ndihmojë gjatë kësaj kohe të kreshmës ta kuptoj se ai më fton që të largohem nga çdo “sëmundje” që më ngurron. Jeta ime nuk varet vetëm nga përpjekjet e mia, por që duhet të mësohem të mbështetem në Jezusin që më formon.

 

Bashkëbisedimi

 

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,

e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,

dhe i flas gjithçka kam në mendje, çfarë ma thotë zemra,

si shoku shokut.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »