Çfarë janë Pashkët – domethënia dhe historiku

Mar 4 • Teologji

Shkruan: Don Marjan Shtjefën Uka

 Java e Madhe, njëherësh edhe java më e rëndësishme e historisë së njerëzimit, fillon me të Dielën e Larit dhe përfundon të Dielën e Pashkëve. Ngjarjet kulmore në të janë: mundimet, vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit. Pas agjërimit 40 ditorë të Kreshmëve, Java e Shenjtë i përthellon edhe më tepër mendimet dhe dëshirat e të krishterit për një jetë më intime me Zotin, i ushtron në soditje dhe reflektim për flijim suprem dhe i përgatit për kremtimin e mistereve më të thella të jetës së krishterë. Një ngjarje kaq e madhe dhe unikate, me një histori sa të larmishme aq edhe të thellë e interesante, është e vështirë të paraqitet në pak rreshta. Detyra që ia parashtroj vetës në këtë shkrim është nxjerrja rrëshqitazi e disa paralelizmave mes Pashkës së hebrenjve dhe asaj të krishterë, për t’u ndalur tek shpjegimi i simboleve që e zbukurojnë dhe e shtojnë madhështinë e kësaj feste.

 Pashkët janë një ndër festat më të hershme të njerëzimit, të ruajtura në origjinalitetin e vet të plotë deri në ditët tona. Sot kemi të bëjmë më dy festa të Pashkëve me karakter krejtësisht të ndryshëm: një është Pashka hebraike që manifeston ritualin e pandryshuar të vjetër mbi 3300 vjeçar dhe tjetra është Pashka e krishterë, që në Pashkën hebraike nxjerr paralelizma që përmbushën në tërësi në Krishtin.

 Moisiu, protagonist i Pashkës së vjetër, paralajmëron Krishtin, Pashkën e vërtetë. Ai e nxori popullin nga robëria egjiptiane, ndërsa Jezusi do ta nxjerrë njerëzimin nga robëria e mëkatit. Shkopi magjik i tij tregon në hirin që do të prodhojnë sakramentet e Krishtit në jetën e të krishterit. Qengji i panjollë i Pashkëve dhe gjaku më të cilin lyhen shtalkat dhe ballëzirat e dyerve (shiko Dal 12, 7), që i shpëton izraelitët, shënon gjakun e pafajshëm të Krishtit, Qengjit të Hyjit, të derdhur në kryq për ne, që i shlyen mëkatet tona dhe na shpëton nga armiku i përbetuar i shpirtit, djalli. Ngrënia e Pashkës me bukë të pabrume, mana dhe uji i nxjerr nga shkëmbi shënojnë Eukaristinë, bukën dhe verën si dhe sakramentet tjera të Kishës, të cilat e ushqejnë jetën e krishterë.

 Fjala Passah është një trajtë e shkurtë për nocionet Qengji i Pashkëve; Buka e Pashkëve dhe Festa e Pashkëve. Festa e Pashkëve është festë kryesore e popullit të Izraelit. Pashkët dhe Java e Madhe kanë domethënien e lirimit. Me Pashkën e parë filloi lirimi i fëmijëve të Izraelit nga Egjipti, ndërsa pas Javës së Madhe dhe ringjalljes së Krishtit u hap rruga për lirimin e të gjithë njerëzve nga shtrëngimi i djallit. Flija e Krishtit në kryq zëvendëson domosdoshmërinë e flijimit të Qengjit të Pashkëve, Krishtit, ndërsa buka dhe vera të shndërruara në trupin dhe gjakun e Krishtit i epen të krishterit si ngrënie e Pashkës së re.

 Pse Pashkët janë festë lëvizëse?

 Historia e mirënjohur e Pashkëve në Besëlidhjen e Vjetër fillon me ngjarjen në Egjipt, ku Izraeli me ndihmën e Zotit, përmes dhjetë shuplakave, u lirua nga robëria e Faraonit. Kjo ndodhi më 14 nisan. Duhet theksuar se kultura hebraike njeh dy lloj kalendarësh: kalendari i shenjtë judaik fillon në pranverë, me muajin e parë nisan, ndërsa kalendari civil judaik fillon në vjeshtë, me muajin abib. Pashka festohet sipas kalendarit fetar dhe atë hënor. Koncili i parë i Kishës, në Nice 325, vendosi se Pashkët mund të bien nga dt. 22 mars e deri në datën 25 prill, dhe se duhet festuar të dielën e parë pas hënës së plotë të muajit të parë, nisan. Kështu festa e Pashkëve bëhet një festë lëvizëse. Festa merr emrin nga fjala hebraike pessach, në latinisht bartet me pascha, që do të thotë kalim. Duhet patur kujdes se para së gjithash ka të bëjë me kalimin e vdekjes, që e bën engjëlli i dërguar prej Zotit nga shtëpitë, dyert e të cilave janë të shënuara me gjakun e qengjit, ku vdekja nuk mund ta shtrijë pushtetin e vet, dhe vetëm pastaj me atë të kalimit të mrekullueshëm nëpër Detin e Kuq, nën udhëheqjen e Moisiut e të Aronit. Kjo tregon qartë në gjakun e Krishtit, Qengjit të patëmetë dhe të panjollë të Pashkëve tona, që flijohet në kryq për shëlbimin e mbarë njerëzimit.

 Me ngjalljen e Krishtit Pashkët bëhen festë qendrore e jetës së krishterë. Në shekullin e III hasim në Javën e Madhe, e cila fillon me të Dielën e Larit. Është interesant të cekim se në gjuhën gjermane  Java e Madhe quhet ‘Karwoche’. Kjo rrjedh nga fjala e vjetër gjermane ‘Kar’ që do të thotë pikëllim, brengë, shqetësim, vajtim. Kjo tregon qartë domethënien e ditëve në vazhdim. Në formën që e kemi sot ajo ka filluar të festohen që në shek. e IV, me një kohë parapërgatitore agjërimi dhe lutjeje prej 40 ditësh, e cila fillon me të Mërkurën e Përhimes. Muzika kishtare nën tingujt të përvajshëm dhe tekste të përshtatshme për kthim ka Zoti, ka për qëllim t’i zbusë shpirtrat e besimtarëve e t’i përgatisë për rrëfimin e Pashkëve. Agjërimi, abstenimi dhe lutja që theksohen në këtë kohë, e që arrijnë kulmin në Triditshin e shenjtë, janë rrugë për formim e karakterit të krishterë.

Simbolet që e karakterizojnë kohën e Kreshmëve dhe të Pashkëve dhe domethënia e tyre:

Hiri

Hiri merret nga gemat e bekuara të Dielën e Larit të vitit të kaluar. Sipas mendimit arab hiri përmban forcën e spastrimit dhe pastrimit të flakës dhe prandaj përdoret për qëllime pastrimi dhe pendese. Përmbi të gjitha hiri sipas mendimit biblik është shenjë e dobësisë dhe e brishtësisë së njeriut, si dhe simbol i pikëllimit dhe pendimit. Në librin e Jones 3, 6 lexojmë: “I arriti lajmi mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, u vesh me thes e u ul në pluhur.” Pendestari e pranon se me mëkatet e veta ia ktheu shpinën Zotit, burimit të jetës, dhe tash dëshiron të kthehet. Mateu në 11, 21 shënon një qortim të Jezusit: “I mjeri ti, Korazin, e mjera ti, o Betsaidë! Sepse, sikur të ishin bërë të gjitha ato mrekulli në Tir e në Sidon, që u bënë ndër ju, që kaherë do të kishin bërë pendesë të veshur me thes pendese e të përhimë.”

Palma

Simbolika e palmës është shumë e njohur në lindje. Ajo është simbol i fitores, karrierës, rilindjes dhe i pavdekshmërisë. Palma është sinonim i të drejtit. Në Ps 92, 13 lexojmë: “I drejti lulëzon si palma, rritet porsi cedri i Libanit.” Degët e saj në antikë ishin simbol i fitorës. Në përmendore të varrezave të krishterëve të parë palma është një aluzion i çmimit të fitores për një betejë të mirë jetësore, që në ikonografinë e krishterë është atribut i martirëve. Degët e palmave të Dielën e Larit (Gjn 12, 13) tregojnë paraprakisht në kalimin përtej vuajtjes dhe kryqit, pra, në ngjallje.

Gomari

Sipas Shën Ambrozit (339-397) mësuesit të Kishës, gomari është tregues i njeriut të përvuajtur. Gomari si shtazë që ngarkohet për të bartur barrë shërben si figurë për të paraqitur Krishtin, i cili e bartë barrën e mëkateve të njerëzimit. Duke u mbështetur në Is 1, 3 paraqiten për Krishtlindje kau dhe gomari. Një sqarim e sheh në kaun judaizmin, ndërsa në gomarin paganizmin. Profeti thotë: “Kau e njeh të zotin edhe gomari grazhdin e pronarit të vet, kurse Izraeli nuk e njeh, populli im nuk merr vesh.”

Kalli – kokrra e grurit

Në proceset e mbjelljes dhe korrjes njeriu shihte një përputhje me jetën, vdekjen dhe rilindjen. Jobi 5, 26 krahason njeriun vdekatar me një tog duajsh: “Do të zbresësh në varr në moshë të shkuar, ashtu si në stinën e vet mblidhet një tog duajsh.” Gruri jep millin më të mirë për oste. Kallinjtë shënojnë Bukën e Jetës dhe shërbejnë për zbukurim të kelkut, monstrancës, mbulojave për altar. Kallinjtë në përmendore të varrezave paraqiten si simbol të ngjalljes. 

Buka

Buka është produkt kryesor ushqimor i njeriut dhe për këtë edhe në kult ka një domethënie të madhe. Ashtu si gjaku dhe frymëmarrja edhe buka e përditshme është kusht i pazëvendësueshme për jetën e njeriut. Buka sipas Ps 104, 15 është burim force për njeriun. Buka simbolizon jetën, kështu që “kur mungon buka, mungon gjithçka”. Sipas biblës “ai që vuan e që duket se Zoti e braktis, ha bukë ‘me lot’, me ankth, ose ‘me hi’ (Ps 42, 4; 80, 6; 102, 10; Is 30, 20); kush është i gëzuar e ha me gëzim (Kish 9, 7). T’ia hash dikujt bukën do të thotë të jesh miku i tij. Tradita jonë shqiptare mëson se kur dikush e ka vra dikën që sapo ka dalë prej shtëpisë së tij, ku ka kërkua strehim, edhe pse i panjohur deri atëherë, ke ra në gjak me atë familje. Sikur njeriu ashtu edhe buka vjen prej tokës dhe kështu bëhet shprehje e mishërimit të ekzistencës njerëzore. Në këtë kuptim përdoret edhe si dhuratë për fli. Buka është fryt i mundit tonë, shprehje për veprën e duarve tona. Për të vjetrit buka është dhuratë e Zotit. Shkrimi shenjt flet shumë mbi bukën. Në BV lexojmë se Zoti për 40 vjet e ushqeu popullin me bukën e ardhur nga qielli që e quajtën ‘mana’ (Dal 16, 31). Mrekullia më e madhe e Jezusi është ajo e shumimit të bukëve (Lk 9, 10-21). Kështu buka bëhet “dhuratë më e madhe e epokës eskatologjike (Is 30, 23), si dhe e gostisë mesianike (Jer 31, 12). Ngrënia e Jezusit me të vetët paralajmëron gostinë eskatologjike. Legjislacioni priftëror u jep një rëndësi të madhe bukëve “të kushtimit”, të vëna në Tempull mbi një tryezë (1 Mbr 7, 48; 2 Kron 13, 11; krah. Dal 25, 23-30). Prejardha e tyre duket e lashtë (1 Sal 21, 5). Për Izraelin këto bukë bëhen simbol i bashkimit mes perëndisë dhe besimtarëve… Bukët e fryteve të para bënte pjesë në ofertën e sjellë në festën e Javëve (Lev 23, 17). Që në kodet më të lashta bukët pa tharm shoqërojnë flijimet (Dal 23, 18; 34, 25) dhe përbëjnë ushqimin e popullit të Izraelit gjatë festës pranverore. Tharmi ishte përjashtuar nga oferta kultuale (Lev 2, 11) (shiko: “Fjalori i teologjisë biblike” fq. 124-125)’. Bekimi i bukës së Pashkëve ka një lidhshmëri me Pashkët e para në Egjipt, por edhe me atë që bëri Jezusi në Darkën e mbrame, kur e themeloi Eukaristinë, në të cilën na epen neve për ushqim. Kështu Krishti bëhet buka jonë.

   Vera

Gruri, vaji dhe vera në Tokën e shenjtë bëjnë pjesë në ushqimin e përditshëm (Lp 8, 8; 11, 14) Vera në BV tregon gëzimin e jetës e njeriut. Vera e gëzon zemrën e njeriut (Ps 104, 15). Kështu vera bëhet element i gostisë mesianike dhe i gostisë eukaristike. Sipas traditës Jahvistike Noehi e zbuloi hardhinë e parë (Zan 9, 20). “Duke ardhur nga Zoti si të gjitha prodhimet e tokës, vera do të ketë vendin e saj në flijimet. Që në kohët e lashta në shenjtëroren e vjetër të Silos silleshin oferta vere… Vera bën pjesë edhe në frytet e para që u takojnë priftërinjve (Lp 18, 4; Nr 18, 12; 2 Kron 31, 5). Së fundi ajo do të zë një vend në sakrificën e Besëlidhjes së re që do t’i japë fund këtij rituali” (shiko: “Fjalori i teologjisë biblike” f. 1058). Vera do të përdoret në gostinë e fundit, në të cilën Hyji do t’i ftojë të gjithë popujt (Is 25, 6). Jezusi është hardhia e vërtetë (15, 1), i cili i realizon premtimet e Hyjit.

Gjeli

Gjeli me kreshtën e tij të gjatë të kuqzjarrtë dhe me këngën e vet të mëngjesit ka domethënien e simbolit të diellit dhe të dritës. Në krishterim ai është një simbol i ngadhënjimit të gjumit të vdekjes. Kjo përdorej edhe në përmendoret e varrezave të vjetra të krishtera. Gjeli në kumbonaret e kishave së pari kishte një funksion të mbrojtjes kundër fatkeqësive të rrufesë dhe breshrit dhe pastaj u bë simbol i vigjilencës dhe kumtues apo lajmëtar i dritës së vërtetë, Krishtit.

Kurora

Kurora bën pjesë në një prej simboleve më të vjetra të sundimit. Forma e rrumbullakët e pushtetit tregon në tërësi, përsosmëri dhe pjesëmarrje në qenien hyjnore. Inkronizimi i një mbreti apo perandori është festë e madhe. Sipas traditës biblike njerëzit e inkronizuar janë nën mbrojtjen dhe hirin e Zotit (Ps 103, 4). Kush i ngelet Zotit besnik deri në vdekje, do të kurorëzohet me “kezën e jetës” (Zb 2, 10). Kurora me ferra mbi kokën e Jezusit është shenjë poshtërimi dhe talljeje nga ana e hebrenjve dhe njëkohësisht e paraqet Jezusin ne vuajtje si Mbret të paqes.

Kryqi

Kryqi bën pjesë në një ndër simbolet e vjetra më të përhapura. Me formën e tij të një kuadrati simbolizon katër anët e botës. Në krishterim me kryqëzimin e Krishtit kryqi merr një domethënie të re si simbol i vuajtjeve dhe i ringjalljes së Krishtit dhe kështu bëhet simbol i të gjithë të krishterëve. Kryqi na tregon drejtimet që janë të rëndësishme për udhëtimin tonë: nga lart poshtë apo diagonalja tregon se jemi të lidhur me Zotin, ndërsa nga e majta në të djathë apo horizontalja tregon se jemi të lidhur me njëri-tjetrin.

Lepuri

Lepuri u mor nga simbolika e Kishës së lindjes. Lepuri nuk i mbyll sytë kur fle, pasi nuk ka qepalla. Lepuri është një simbol i frytshmërisë dhe i vigjilencës dhe prandja u bë edhe simbol i ngjalljes së Krishtit.

Veza

Në të gjitha kulturat veza është simbol i jetës. Në të është e fshehur në një mënyrë misterioze fillesa e një qenie të re. Siç depërton jeta e re e ditës nga errësira nëpër lëvozhgë e fortë, ashtu edhe Krishti e shkatërroi shkëmbin e vdekjes dhe u zgjua në jetë ne re.

Qengji i Pashkëve

Qengji është një nga shtazët më të dashura që flijohen në religjionet botërore. Flijimet e tyre ishin të zakonshme ne pranverë. Qengji na përkujton flinë e Pashkëve të para në dalje nga Egjipti, kur u pre dhe me gjaku ne tij u lyen ballëzirat dhe shtalkat e dyerve te izraelitëve, në mënyrë që vdekja t’i kalonte ato (Dal 12, 1-4). Krahasimi i Qengjit të Pashkëve me Krishtin vjen nga profetët (Is 53, 7; Jer 11, 19) dhe nga Pali apostull (1 Kor 5, 7). Edhe Gjoni e shikon Qengjin në vizionin e vet në Zb 5, 6. Në Ungjillin e Gjonit Jezusi është ai Qengji i Hyjit, që i shlyen mëkatet e botës (Gjn 1, 29).  

Zjarri

Qysh në lashtësi zjarri vlerësohej i shenjtë dhe hyjni për njerëz. Në Egjipt zjarri më i lashtë ishte dielli që konsiderohej zot. Zjarri i ngjashëm me atë të Pashkëve tona praktikohej edhe në kohën pagane. Mjafton të mendojmë në flakën olimpike, e cila jeton edhe në kohërat tona. Në Romën antike 6 vestalinet (priftëreshat e Vestës) bënin kujdes mbi zjarr që kurrë mos të fikej. Me të në pranverë përshëndetej dielli si simbol i ringjalljes së natyrës nga periudha e ftohtë dimërore. Zjarri i shenjtë e ngrohte hapësirën jetësore të njerëzve, i ruante dhe ua mundësonte atyre jetën dhe kulturën. Zjarri, pra, ishte simbol i diellit, i cili gjithçka ngroh, ndriçon dhe jep jetë. Kur pas dimrit të gjatë dielli i lëshon rrezet e veta të ngrohta, shkrin borën dhe akullin dhe ndez zjarrin pranveror.

Zjarri dhe dielli vlenin si kult i sigurisë së jetës, frytshmërisë, rritjes dhe korrjes, por edhe si siguri kundër sëmundjeve dhe të gjitha të këqijave. Pa diell s’ka jetë. Krahasimi i diellit me Krishti tregon një të vërtetë të pamohueshme: pa Krishtin s’ka jetë gjë që e vërtetoi vetë: „Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi“ (Gjn 10, 10 b). Prandaj, duke e rrethuar zjarrin, gjest ky, të cilin e  bëjnë të krishterët në këtë natë përjashta kishe, e rrethojmë Krishtin dhe dëshmojmë se Ai është dielli ynë që i ngroh zemrat tona dhe i jep jetës sonë kuptim dhe zhvillim. Tradita e bekimit të zjarrit për herë të parë përmendet në Francë në vitin 750.

 Qiriu

 Qiriu i ka rrënjët në traditën pagane dhe në atë judaike. Shërbente si dhuratë flie për Zotin dhe si shtyllë zjarri për BR. Sikur që dikur Izraelitët duke e ndjekur shtyllën e zjarrtë kaluan Detin e Kuq dhe ecën nëpër shkretëtirë, ashtu sot kalojnë të krishterët natën e Pashkëve në kishë, duke ndjekur flakën e ndezur të qiriut, shenjë të ngadhënjimit nga skllavëria e mëkatit në jetën e hirit, nga vdekja në jetë. Dëshminë më të vjetër që flet për përdorimin e qiriut të Pashkëve e gjejmë në letrën e Shën Jeronimit drejtuar xhakonit Presidie nga Piacenca në vitin 384.

 

Qiriu i Pashkëve prodhohet nga dylli i bletëve. Bleta është insekti më i bekuar, prej të cilit rrjedh mjalti, që e mbledh me shumë duresë, kujdes dhe dashuri. Bleta është e njohur për një rregull të jashtëzakonshëm brenda familjes, që ua tejkalon të gjitha familjeve njerëzore; për precizitet, që ua kalon të gjithë matematikanëve; për prodhim të shijshëm dhe të ëmbël, që ia kalon çdo prodhimi njerëzor; për qëndrueshmëri dhe paprishmëri pa afat skadence dhe për efekt shëndetësor marramendës. Ekspozimi i qiriut të Pashkëve, i prodhuar me material blete na fton të mendojmë për efektet shumë më të vlefshme, të cilat i ka në vete ky simbol që dhuron dritë. Sikurse pa dritë nuk ka jetë, ashtu edhe pa Krishtin nuk mund ta gëzojmë jetën në vetvete, në familje dhe në shoqëri. Për këtë arsye, ndezja e qiriut nga zjarri i Pashkëve, hyrja me të nëpër kishën e errët dhe klithja e trefishtë „Ja drita e Krishtit!“, tregon se Krishti është triumfues mbi errësirën e kësaj bote. Këndej, kënga exultet e qiriut të Pashkëve është kënga më e bukura dhe më e para që i këndohet Krishtit të ringjallur.

 Uji

Uji për njeriun e lashtë ishte burim i frytshmërisë. Rreth lumenjve zhvillohet jeta, si p.sh. rreth Nilit, Eufratit, Tigrisit. Njëkohësisht uji është për shumë njerëz shkakton rreziqe të mëdha të përmbytjes deri në katastrofa të mëdha. Aty ku nuk ka ujë, mbretëron shkretëtira e vdekur. Uji pastron dhe jep jetë. “Uji nuk është vetëm një fuqi jetë. Ujërat e detit na kujtojnë shqetësimin djallëzor me turbullimin e tyre të përhershëm dhe shkretimin e Sheolit me hidhërimin e tyre. Shtrimi i papritur i përrenjve, që në çastin e shtrëngatës rrëmben tokën dhe të gjallët (Jb 12, 15; 40, 23), simbolizon fatkeqësinë që vërsulet papritmas mbi njeriun (Ps 124), intrigat që kurdisen kundër të drejtit armiqtë e tij… Uji është shpesh edhe simbol i pastrimit moral. Rituali hebraik parashikonte pastrime të shumta me ujë: Kryeprifti duhej të lahej për t’u përgatitur për hipje në fron (Dal 29, 4; 40, 12), ose për ditën e madhe të Fajshlyerjes (Lev 16, 4. 24). Tema e ujit zë një vend të madh në këndvështrimin e rimëkëmbjes së popullit të Zotit. Përmbytja në kohën e Noesë, kalimi i Detit të Kuq, uji i dalë nga shkëmbi në shkretëtirë, pastrimet rituale dhe shumë e shumë vende tjera në Bibël tregojnë për rëndësinë e ujit dhe të pastrimit. Në të gjitha këto këndvështrime ekatologjike uji zakonisht merr një vlerë simbolike. Fjala e Zotit krahasohet me shiun që bie për ta bërë tokën pjellore (Is 55, 10) Krishti ka ardhur për t’u sjellë njerëzve ujërat jetëdhënëse të premtuara nga Profetët. Ai është Shkëmbi, që pasi goditet (krah. Gjn 19, 34) lëshon nga kraharori i tij ujërat që do t’ia shuajnë etjen popullit në rrugën drejt Tokës së vërtetë të premtuar (1 Kor 10, 4; Gjn 7, 38; krah. Dal 17, 1-7). Simboli i ujit gjënë kuptimin të plotë në pagëzimin e krishterë.” (Për këtë më shumë lexo në: “Fjalori i teologjisë biblike” f. 1443-1449). Në shekullin e katërt, kur pas ediktit të perandorit të Romës, Konstantini i Madh, me prejardhje ilire, me Ediktin e Milanos 313 e shpalli lirinë e fesë së krishterë dhe kështu nata e Pashkëve u shndërrua në një natë të madhe pagëzimi. Bekimi i ujit dhe stërpikja e popullit të Zotit tregon se çdo pastrim dhe shuarje e etjes në Kishë bëhet përmes bekimit të Krishtit. Le të na bekojë edhe ne gjithmonë Krishti Zot, Aleluja!

 

Për shumë vjet Pashkët! Krishti u ringjall, Aleluja, Aleluja!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »