Ikja nga Zoti shkakton tek njeriu skllavërinë

Mar 5 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela IV e Kreshmëve

Leximi i parë: Joz 5,9.10-12.

Lexim prej Librit të Jozuehut

Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit”. Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë. Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerihonit dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. Të nesërmen, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 34

Ref    Zoti është afër atyre që e kërkojnë

———————————————————

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.

—————————————————————

Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,

le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.

E kërkova Zotin e ai më dëgjoi

edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.

—————————————————————–

Shikojeni atë e do të ndriçoheni

fytyra juaj nuk do të turpërohet.

Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi

dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.

—————————————————————–

 

Leximi i dytë: 2 Kor 5,17-21

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit. Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit. Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin! Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit.

Fjala e Zotit

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t`I them:

O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e kundër teje!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

+ Ungjilli Lk 15,1-3. 11-32.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

 “Një njeri kishte dy djem.  Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.

Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen.  Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’ U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.

Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir… !’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vëriani unazën në dorë e sandalet në këmbë! Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’

E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky ‑ djali yt ‑ që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’ ’Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky ‑ vëllai yt ‑ pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“

Fjala e Zotit

 

POROSIA

I dashuri besimtar, leximet e sotme, sidomos ungjilli, na thërret të gëzohemi në Zotin, sepse Ai na del përpara në takim, dhe na ofron mëshirën e vet hyjnore. Arsyeja e parë e gëzimit është afërsia e Zotit ndaj atyre që e kërkojnë. Arsyeja e dytë është falja që Zoti iu dhuron atyre që kthehen tek Ai me zemër të sinqertë. Në ungjill Krishti na tregon se Hyji është Ati i cili e do shpëtimin tonë. Zoti është Babë – Atë, që pret me durim dhe dashuri çdo fëmijë të vetin, që është larguar prej tij. Zoti është Atë që nxit, zgjon në zemrën e mëkatarit dëshirën e kthimit, që të mund të jetojë në bashkim të thellë me të. Pra, t’i bashkohemi gëzimit të Atit e të festojmë edhe ne për çdo mëkatarë që kthehet me gjithë zemër tek Ai.

Kjo e diel mund të quhet e diela e Atit të mëshirshëm. Zoti nderon lirinë tonë. Por çfarë sjellë një liri pa Zotin dhe çka liria me Zotin? Shkëputja nga Ati, njeriun e çon në degradim total, duke ia humbur dinjitetin dhe identitetin e tij. Djali i vogël, nga biri i një babe bëhet skllav i kujt do që i jepte diçka për të mbushur barkun. Pra, pasoja e parë e shkëputjes dhe jetës larg Zotit është humbja e identitetit që njeriut i vjen nga Krijuesi i tij. Liria nga Zoti shkakton tek njeriu skllavërinë. Sa herë e ndjejmë vetën skllav të mëkatit, sepse kemi dashur të jetojmë jetën tonë me aftësitë tona, pa dashur të pranojmë Zotin udhëheqës të jetës sonë. Larg Zotit ka vetëm skllavëri. Ai tani dëshiron të jetë më mirë shërbëtorë i babait të vet se sa skllav i çdo kujt. Rruga e kthimit nuk ishte aspak e lehtë, por ungjilltari na e sjellë atë që e pret në shtëpi. Djali ishte përgatitur të kërkonte falje, ta lute babën që ta pranonte si shërbëtorë, por has në një befasi të mrekullueshme. I Ati e priste. Zoti na pret. Ai na shikon nga larg. Ka kohë që na pret para derës. Një shenjë e pendesës sonë, është gati të na merr me vete. Në vend të dënimit, djali gjënë festën që ia përgatit Atit.

Po, kujdesuni për pasuri, për këtë jetë, por ruani shpirtin tuaj, kujdesuni për të, mos e humbisni shpirtin tuaj, porositë shën Frani i Salës.  Krishti sot nuk dëshiron të thekson mëkatin e djemve, por mëshirën e Atit, dashurinë që Ai ka për mëkatarin. Karakteristikë e Atit është edhe liria e tij. Ati nuk e pengon djalin që të largohet prej shtëpisë. D.m.th Zoti na ka krijuar të lirë, dhe Ai e nderon lirinë tonë, edhe kur mëkatojmë, por pasojat do t’i bartim vet. Pra, lirisht mund të themi se Zoti brenda nesh nuk bënë asgjë pa pëlqimin tonë, sepse Ai e nderon lirinë tonë.

Sot Krishti më thotë, mua dhe ty: nuk kam nevojë vetëm për lutjet e agjërimet tua, për të gjitha ato që bën për mua, jo. Aspak nuk kanë vlerë të gjitha këto nëse ti ke në zemrën tënde urrejtje, xhelozi, nuk i gëzohesh suksesit të të afërmit tënd. Prandaj, eja miku im dhe të shkojmë së bashku tek i afërmi yt, nëse është nevoja bjer në gjunjë e të kërkojmë falje sepse pa pajtim dhe falje, nuk ka bashkim, nuk ka jetë!

Vëlla dhe motër e dashur, Ju përbej bashkë me shën Palin: Pajtohuni me Hyjin, pajtohuni me njëri tjetrin. Dashtë Zoti të gjejmë udhën e kthimit dhe të pajtimit me Zotin dhe njëri tjetrin. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, të bashkuar në emër të Krishtit në këtë meshë shenjte, ia drejtojmë lutjet tona të përvujta Atit tone qiellorë, duke thënë:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

– O Atë i shenjt, ruaje dhe ndihmoje Papën tonë Françeskun, ipeshkvin tonë Dodën dhe të gjithë meshtarët e rregulltarët, gjithmonë botës t`ia tregojnë fytyrën tënde të mëshirshme, të lutemi.

– Ndihmoji meshtarët dhe të gjithë ata që gjatë këtyre ditëve i rrëfejnë besimtarët e vet, t`iu tregojnë dashurinë dhe mëshirën që ke për mëkataret, të lutemi.

– Për të krishterët, që gjatë kreshmëve të shohin mëkatet e veta, të gjejnë forcë të kthehen në rrugën tënde, të dinë të kërkojnë falje dhe t`i falin të tjerët, të lutemi.

– Për rininë tonë, o Atë, të kuptojnë se të jesh i lirë nuk do të thotë të bësh çfarë të duash, ndihmoji të ikin nga e keqja që e robëron shpirtin e tyre dhe i largon nga familja dhe nga Ti, të lutemi.

– O Atë, po të lutemi edhe për të dashurit tanë që i ke thirr nga kjo botë, falua mëkatet dhe pranoji në mbretërinë tënde, të lutemi.

Faleminderit, o Atë, që gjithmonë mendon në ne dhe kurrë nuk na harron. Pranoji lutjet dhe njetet tona, krejt jetën tonë dhe na ndihmo të jemi gjithmonë me Ty, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Albert Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »