I huaj në shtëpinë tënde?(!)

Mar 6 • Meditimi i ditës

6 mars 2016 – e diela IV e Kreshmëve (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Joz 5,9a.10-12; Ps 33; 2 Kor 5,17-21; Lk 15,1-3.11-32)

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

 

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

 

Jetoj në një rrjetë marrëdhëniesh – lidhjesh me natyrën, me njerëz, me Zotin.

I lejoj vetes t`i ndiej këto lidhje duke falënderuar për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, dëmtuar, ose janë ndërprerë:

për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 15,1-3.11-32

 

Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:

“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

11 Pastaj vijoi:

“Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.

14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen. 15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. 16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.

17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’

20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.

Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir… !’

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vëriani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’

E filluan të dëfrehen.

25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, 26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. 27 Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. 30 Por, kur të erdhi ky ‑ djali yt ‑ që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’ 31 ’Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky ‑ vëllai yt ‑ pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 


-Biri që kishte mbetur te shtëpia e kishte humbur ndjenjën për zemërgjerësinë e të atit. Do ta lus Zotin që të më bekojë me kuptimin jetësor të marrëdhënies sonë.

– Zemra e Zotit është plot dashuri ndaj meje. Për çfarë do ta lus?

– Gëzohem së bashku me Zotin për të gjitha shenjat e jetës, për rizbulimin e gjithë asaj që ka qenë e humbur apo e harruar.

 

Bashkëbisedimi

 

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i ngushëlluar, i shqetësuar, apo indiferent?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »