Zemër(lëshuar)

Mar 8 • Meditimi i ditës

8 mars 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 47,1-9.12; Ps 45; Gjn 5,1-16)

 

Prania e Hyjit

 

“Ja, para derës qëndroj dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

 

E lexoj pasazhin e Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj ngadalë

dhe vërej fjalën apo shprehjen që më flet diçka.

 

Gjn 5,1-3.5-16

 1 Pas disa kohësh ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. 2 Në Jerusalem, te Dera e deleve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme. 3 Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh. [4]

5 Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. 6 Jezusi, kur e pa ashtu të shtrirë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha:

“A dëshiron të shërohesh?”

7 “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje.”

8 “Çohu ‑ i tha Jezusi ‑ merre shtrojën tënde dhe ec!”

9 Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte.

Ajo ditë ishte e shtunë. 10 Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit:

“Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!”

11 Ai iu përgjigj:

“Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’“

12 Ata e pyetën:

“Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’“

13 Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha:

“Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!”

15 Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. 16 Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.

 

 Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ndërsa e dëgjoj pyetjen drejtuar njeriut – a dëshiron të shërohesh – e paramendoj se si ishte mësuar me sëmundjen dhe kufizimet e tija të pakëndshme. Identiteti i tij nuk është në invaliditetin e tij por në faktin se është fëmijë i Zotit.

Ndërsa lus për lirinë dhe dritën para Zotit e pranoj frikën që mund të kem edhe pse, ndoshta, nuk jam i/e ngarkuar në mënyrë të ngjashme.

– I sëmuri nuk i është përgjigjur pyetjes së Jezusit por ia ka rrëfyer historinë e njohur për vështirësitë e veta.

Do të mundohem me të gjitha fuqitë e mia që me vëmendje ta dëgjoj kur më flet Jezusi dhe do të jem i/e kujdesshëm/e që në jetë të mos pranoj çfarëdo porosie demoralizuese.

 

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus me Fjalën e Hyjit?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më neveritet?

Ndërsa e imagjinoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

duke u mbështetur në besimin e tij, si shoku shokut, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »