Zoti vepron konkretisht

Mar 9 • Meditimi i ditës

9 mars 2016 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 49,8-15; Ps 144; Gjn 5,17-30)

 

Prania e Hyjit

 

Disa minuta do të ndalem e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke u dhuruar jetën; në kafshë duke u dhënë që të ndjejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

 Liria

 

Hyji sillej me mua ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra që Hyji duhet të m`i mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Gjn 5, 17-30

 

 17 Jezusi u përgjigj:

“Im Atë vepron gjithmonë e edhe unë veproj.”

18 Për këtë arsye judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vritnin Jezusin, pse, jo vetëm se e prishte të shtunën, por edhe Hyjin e quante Atë të vetin, duke e barazuar veten me Hyjin.

19 Atëherë Jezusi u tha:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes,

përveç çka sheh se bën Ati;

çka bën ai,

po atë gjë bën edhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin

dhe i zbulon gjithçka bën ai.

Do t’i zbulojë edhe vepra më të mëdha se këto

që të mbeteni të habitur.

21 Dhe, sikurse Ati i ngjall të vdekurit

e i bën të jetojnë,

ashtu edhe Biri

i bën të jetojnë ata që do.

22 Ati në të vërtetë nuk gjykon askënd,

pse krejt gjykimin ia la në dorë Birit,

23 që të gjithë të nderojnë Birin

siç e nderojnë Atin.

Kush nuk e nderon Birin,

nuk e nderon as Atin që e dërgoi.

24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush e dëgjon fjalën time

dhe beson në atë që më dërgoi,

ka jetën e pasosur

dhe ai nuk del në gjyq,

por tashmë kaloi prej vdekjes në jetë.

25 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

po vjen koha ‑ tani është ‑

kur të vdekurit do ta dëgjojnë zërin e Birit

të Hyjit

dhe ata që ta dëgjojnë, do të jetojnë.

26 Dhe, sikurse Ati e ka jetën në vetvete,

po ashtu i dha zotësinë edhe Birit ta ketë jetën

në vetvete.

27 Atij ia dha edhe pushtetin të gjykojë,

sepse është Biri i njeriut.

28 E mos u çuditni:

po vjen koha,

kur të gjithë ata që pushojnë në varre

do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin:

ata që bënë mirë

‑ do të ngjallen për të jetuar,

ata që bënë keq,

‑ do të ngjallen për t’u dënuar.”

30 “Unë asgjë s’mund të bëj prej vetvetes;

si dëgjoj, ashtu gjykoj,

dhe gjykimi im është i drejtë,

sepse nuk kërkoj vullnetin tim,

por vullnetin e atij që më dërgoi.

 

 Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Verbëria e shpirtit mund të jetë më e keqe se verbëria e trupit. Do të mendoj se si Zoti vepron në jetën time dhe të gjej ngjarjet dhe rastet kur ka qenë ai në veprim.

Do ta falënderoj dhe do ta lus që edhe më tutje të mund ta njoh praninë e tij.

 

 Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën time.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »