Dr. DON GASPËR GJINI (1930-1985): Vetmia është shoqëruesja e njerëzve të mëdhenj

Mar 10 • Kulturë

 

“Dashuria e krishterë nuk njeh kufij…”.

 

Nga Don Lush Gjergji

Më 7 mars 1985,  pushoi së rrahuri zemra, iu mbyllën sytë e ballit, iu shtangën gjymtyrët e trupit; vdiq në moshën 55 vjeçare, vëllai meshtar Dr. Don Gaspër Gjini. Atëherë ishim të befasuar nga vdekja e hershme dhe grabitëse; të pikëlluar dhe të tronditur në shpirt- gati nuk besonim se po ndahemi përkohësisht prej tij. U ndërpre dialogu, bisedimi, bashkëpunimi ynë, por mbeti feja dhe dashuria, të cilat nuk vdesin kurrë dhe gjithnjë na lidhin me matanë- në amshim- me njerëzit që kaluan në pavdekësi.

Me rastin e 5 vjetorit të vdekjes së tij (1990), në oborrin e kishës së “Engjëllit Rojës” në Ferizaj , e ngritëm  bustin  tejet të bukur dhe të qëlluar të Don Gasprit, vepër kjo e skulptorit tonë të madh, tani të ndjerit Agim Çavderbashës (1944-1997), që të ishte gjithnjë edhe më afër nesh- me ne- me fytyrën e tij të buzëqeshur dhe bujare meshtarake.

Kaluan – të mos them fluturuan, 31 vite nga vdekja e tij, kalimi në amshim, gjatë të cilave përjetuam gjithçka, përpos vdekjes. Sa na nevojitej Don Gaspri në këto rrethana të errëta dhe egra, për qetësim, ndriçim dhe vlerësime largpamëse… Dhe sa më tepër që kalon koha, aq më shumë e hetojmë mungesën e tij, vlerësojmë dhe çmojmë punën dhe veprimtarinë e tij meshtarako-baritore, edukative, morale, shpirtërore, veçmas hulumtimet dhe ndriçimet historike.  Dhe dialogu ynë vazhdo për çdo ditë.

Dr. Don Gaspër Gjini, jetoi dhe veproi në kushte pa kushte, por kurrë s’u dorëzua para kufizimeve, të keqes, errësirës dhe vështirësive, duke u kushtuar dhe flijuar për Zotin, për Kishë, për Popullin tonë shqiptar, për çdo vëlla njeri.

Ta përkujtojmë tani shkurtimisht jetën e tij: Dr. Don Gaspër Gjini lindi në Ferizaj më 24 shtator 1930 nga prindërit Kola dhe Dusha Gjini, një familje e madhe, e njohur dhe bujare, me 12 fëmijë, të gjithë njerëz të dalluar dhe te shkolluar. Pas edukimit të shëndoshë dhe të mirë në familje dhe në famulli, Zoti e pëlqeu dhe e thirri në meshtari.    Shkollën fillore e kreu në vendlindje, seminarin e vogël në Shkodër, teologjinë në Gjakovo të Kroacisë. Gjithnjë ishte shembullor në sjellje dhe në mësime. U shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Pas disa viteve të shërbimit baritor, Imzot Dr. Smiljan Franjo Čkada, ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit, e dërgoi në studime pas-diplomike në Romë. Atje doktoroi në vitin 1968 me notën më të lartë dhe me lëvdatë në të drejtën kanonike me disertacionin “De fontibus historico-iuridicis ecclesiae Scopiensis” (Burimet historiko-juridike të ipeshkvisë së Shkupit), shkruar dhe mbrojtur në gjuhën latine.

Kohën më të madhe të jetës si famullitar e kaloi në Shkup. Punoi  si bari shpirtëror, kryetar i Gjyqit Kishtar të Ipeshkvisë, këshilltar dhe sekretar i Ipeshkvit, predikatar, edukator, bamirës, zelltar për të sëmurë, pra, në çdo drejtim, kuptim dhe mundësi. Kudo u dëshmua shumë i përpiktë, mjaft i suksesshëm, njeri i kushtuar Zotit dhe Popullit. Këtë më së miri e dinë dhe e dëshmojnë njerëzit që patën fat dhe mundësi ta njihnin për së afërmi;besimtarët tanë dhe çdo njeri që e njohu

Nga jeta  e tij, kohësisht mjaft e shkurtër, por shumë e begatshme, po veçoj mirësinë, qetësinë, buzëqeshjen tipike, aftësinë për komunikim me të gjithë, përkushtimin, gëzimin, harenë, lumturinë dhe kënaqësinë e jetës dhe të shërbimit. Mendoj se figura e tij është vulosur dhe thadruar thellë ne mendjen dhe në zemrat e atyre që e njohën. Për çdo njeri kishte një fjalë të mirë; një shtrëngim të ngrohtë të dorës; një buzëqeshje të ëmbël vëllazërore dhe atërore; një udhëzim dhe frymëzim.

Ishin kohë tejet të ndërlikuara dhe shumë të vështira  për të gjithë, sidomos për ne shqiptarët katolikë, për Kishën tonë,  sepse nuk kishim “lëshuar pe” para diktaturës së kuqe komunisto-ateiste me ngjyra pan-sllaviste, para askujt, si edhe gjatë tërë historisë sonë dymijëvjeçare. Kishim pak meshtarë shqiptarë; ishim pa kisha dhe pa shtëpia famullitare, pothuaj pa asgjë: pa liri kombëtare dhe fetare. Në çdo hap varfëri, kufizime, kërcënime, nevoja dhe halle të ndryshme.

Don Gaspri kurrë s’ i mbylli sytë dhe zemrën para kësaj gjendje të mjerueshme. Në këto kushte, ai kishte si parim: Bukë dhe Libër, ushqim trupor dhe kulturoro-shpirtëror.

Për këtë, së bashku me të ndjerin Don Nikollë MINI-n (1924-1992) filloi botimin e fletushkës ipeshkvore “ZANI I ZOJËS CËRENAGORE” në korrik të vitit 1962. Për nevoja shpirtërore, përpiloi mjeshtërisht librin e urëtëve “SHUJTA SHPIRTËRORE” (1978, 1987, 1991, 2002) me tirazh më se 100.000 kopjeve, që edhe sot  kudo gjendet në dorë dhe në zemër të popullit tonë. Po ashtu, ka përpiluar edhe një doracak për përgatitjen e kurorëzimeve kishtare.

Ishte gjithnjë bashkëpunëtor i zellshëm i revistës sonë fetaro-kulturore “DRITA”. Pati filluar në  shtyllat e DRITËS edhe botimin e rubrikës historike: THËRRMIA HISTORIKE, DIKUR NËPËR KOSOVË, që vdekja e hershme ia ndërpreu.

Ndërsa kryevepra e tij është “HISTORIA E IPESHKVISË SHKUP-PRIZREN NËPËR SHEKUJ” (kroatisht DRITA – KS, Zagreb, 1986; shqip DRITA, 1992; 2012; anglisht, 2002; 2012).

Me guxim të pashoq, me flijim shumë të madh dhe shembullor, me urti të rrallë, me maturi unike, ai ka përballuar, shqyrtuar dhe ndriçuar pothuaj 20 shekuj të krishterimit në popullin tonë iliro-shqiptar. Ky është studimi, shtjellimi dhe botimi i parë i tillë ndër ne shqiptarët, që bindshëm dëshmon dashurinë e tij për Zotin, për Kishën dhe për Popullin tonë, për të kaluarën tonë, me njohuritë e tija enciklopedike dhe historike, për kulturën dhe erudicionin e tij madhor.

Me këtë vepër – përmendore, Don Gaspër i dashur, shumë i nderuar dhe kurrë i paharruar, Ti e ndriçove historinë tonë kishtare dhe kombëtare, na dhurove pasqyrimin  e shekujve, i gjete rrënjët e thella në lashtësi dhe në histori, e nderove Kishën tonë, klerin katolik, vetveten, mbi të gjitha, na ke lënë një thesar të paçmueshëm, një “testament” shpirtëror dhe kulturor për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë. Kështu na ke ndihmuar ta zbulojmë  kush ishim, kush jemi dhe kush mund dhe duhet të jemi.

Sot, ndoshta më tepër se kurrë, Historia jote, është e jona, pasqyrë e së kaluarës, udhërrëfim i së tashmes dhe dritë-rrugë e frymëzim për të ardhmen. Dr. Don Gaspër Gjini e kishte urtinë e Salomonit, gojëtarinë e Ciceronit, largpamësinë e profetit, mirësinë dhe bujarinë e Nënës Tereze.

Me lejoni ta përfundoj këtë paraqitje të shkurtër, me disa kujtime krejt personale. Në vitin 1959, ishte rrëfimi dhe kungimi i parë i fëmijëve të famullisë së Stubllës, në shenjtëroren e Zonjës Mari në Letnicë. Ndër ta isha edhe unë. Kur më erdhi rendi, hyra në rrëfyestore. Ishte hera e parë. U gjunjëzova për t’u rrëfyer. Me kokë nuk mbërrija te vrimat përkatëse të *rrëfyestores. Isha plot me ndjenja dhe mjaft i frikësuar. Në  rrëfyestore fatbardhësisht ishte Don Gaspër Gjini. U ngrit në këmbë, e çeli derën, më mori për dore dhe më vuri në prehrin e tij. Më përkëdheli dhe më përqafoi me shumë butësi dhe dashuri. Nuk di çka kam rrëfyer, por këtë takim kurrë s’mund ta harroj. Ky ishte përjetimi im i bukur i rrëfimit tim të parë.

Në vitin1963 isha në Binçë për të kremten e Shna Ndout. Meshën dhe pretkun e pati Don Gaspri. Prej gojëtarisë së tij të ëmbël dhe përmbajtjesore  në pretkun e rastit dëgjova për jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Ai ndër të tjera tha: “Dashuria e krishterë, nuk njeh kufij. Nëna Tereze i donë të gjithë pa dallim kombi, race, feje, pozite shoqërore, kulture… Kriter i saj i vetëm është ky: të kërkohet dhe të gjendet Krishti i përvuajtur tek njerëzit që vuajnë, që janë të sëmurë, të varfër, të braktisur… Kështu dashuria e Zotit e shtyn njeriun të jetojë dhe ta dojë  secilin” (Don Lush GJERGJI, Nëna e Dashurisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Kryesia e Akademisë, Prishtinë, 2000, fq. 14). Kështu qysh atëherë më është “vulosur” në zemër kjo Nënë e madhe.

Çdo festë e Zonjës së Madhe në Letnicë, Don Gaspër Gjini ishte ‘ëmbëlsira” e kësaj të kremte. Meshët, pretket e tija na bënin të rrëqethemi prej ndjenjave dhe përjetimeve të bukura shpirtërore. Shpesh, si fëmijë dhe si i ri, ëndërroja kështu: a do të mund të bëhem një ditë edhe unë si Don Gaspri? Ishte për mua, por edhe për shumë të tjerë, model i përsosur i meshtarisë.

Në dhjetor të vitit 1984, e vizitova Don Gasprin në spital në Shkup, së bashku me vëllain tim Don Ndue Gjergjin. Ishte mjaft i lodhur dhe i rraskapitur nga sëmundja, por plot  me optimizëm dhe vullnet për jetë dhe për punë. Më tha: “Sa isha shëndoshë më dhimbej koha, ato pak orë që fija dhe pushoja në orët e vonshme të natës, sepse ne kemi ende shumë punë për të hulumtuar dhe zbuluar nga historia jonë. Ja, tani jam në spital dhe s’mund të punoj më asgjë…”

Nuk mendonte fare për shëndet, mjekim dhe shërim, por për punët që ende nuk i kishte përfunduar.

Në mbarim të janarit 1985, së bashku me vëllain e tij, Mark Gjini, shkuam ta vizitonim në spitalin e Lubjanës. Ishte dobësuar aq sa mëzi e njoha. Buzëqeshja e tij tipike dhe karakteristike, si dhe fjalët e ngrohta, më lanë pa fjalë. Ai, duke përjetuar hutinë time më tha: “Puno dhe vetëm puno natë e ditë, në lavdi të Zotit e në dobi të popullit. Ti je ende i ri. Shkrije jetën tendë në shërbim të Zotit, të Kishës dhe të Popullit”.

Pa fjalë u  shikuam, u përshëndetëm, u përqafuam dhe u ndamë, unë për  Zagreb, Kosovë… botë, ndërsa Don Gaspri ynë për botën tjetër, në udhëtim në amshim.

Për këtë dhe për shumëçka tjetër, Zoti të shpërbleftë, kleri katolik shqiptar ectë gjurmëve të tua, populli të kujtoftë e kurrë mos të harroftë! Pusho dhe gëzo paqen dhe lumturinë e jetës së pasosur. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »