Fjalët e (pa)besueshme

Mar 10 • Meditimi i ditës

10 mars 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 32,7-14; Ps 105; Gjn 5,31-47)

 

Prania e Hyjit

 

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
të çdo molekule dhe atomi, i gjithçkaje që ekziston, gjithçkaje që është:
Hyji është në çdo të rrahuri të sime zemër. Ai është në mua, tani.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Zoti i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 5, 31-47

 

31 Nëse unë vetë i bëj dëshmi vetvetes,

dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Është Një tjetër që bën dëshmi për mua

dhe unë e di:

dëshmia të cilën ai e bën për mua,

është e vërtetë.

33 Ju dërguat disa njerëz te Gjoni

dhe Gjoni e dëshmoi të vërtetën.

34 Unë nuk kam nevojë për dëshmi të njeriut,

por ua përmend këtë që ju të shëlboheni.

35 Gjoni ishte dritëz që digjej e ndriçonte,

por juve ju pëlqeu të kënaqeni në atë dritë vetëm për një çast.

36 Por unë e kam një dëshmi

më të madhe se atë të Gjonit:

veprat që Ati m’i besoi për t’i kryer;

pikërisht këto që unë kryej,

dëshmojnë për mua

se më dërgoi Ati.

37 Edhe Ai që më dërgoi ‑ Ati,

vetë Ai dëshmoi për mua!

Ju kurrë s’e dëgjuat zërin e tij,

kurrë s’e patë fytyrën e tij;

38 as fjala e tij nuk banon në ju,

sepse nuk i besoni atij,

që ai e dërgoi.

39 Ju i shqyrtoni Shkrimet

sepse mendoni me anë të tyre të keni jetën e pasosur;

edhe ato, pra, dëshmojnë për mua,

40 e ju, prapë se prapë nuk doni të vini tek unë,

që ta keni jetën.

41 Nuk kërkoj lavdi prej njerëzve,

42 po ju njoha deri në palcë:

nuk e keni në vetvete dashurinë e Hyjit.

43 Unë erdha në Emër të Atit tim

e ju nuk më pranoni;

po erdhi ndonjë tjetër në emër të vet,

atë do ta pranoni!

44 Po si mund të besoni ju,

ju që kërkoni lavdi prej njëri‑tjetrit,

e nuk e kërkoni lavdinë që vjen prej Një Hyji të vetëm?

45 Mos t’ju shkojë në mend se do t’ju padis tek Ati!

Paditësi juaj është Moisiu,

në të cilin shpresoni.

46 Për të vërtetë, po t’i besonit Moisiut,

do të më besonit edhe mua,

sepse ai për mua shkroi.

47 Por, nëse nuk u besoni Shkrimeve të tij,

si do t’u besoni fjalëve të mia?”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi iu drejtohet atyre që mundoheshin për ta urryer. Ua përkujton gjithçka kishin parë, dëshmitarët që kishin dëgjuar si dhe fjalët e profetëve.

Ndërsa i vështroj “argumentet” me të cilat Jezusi më tërheq, do ta lus që të ma japë një besim të thellë.

Kur besoj në Jezusin që është dërguar prej Zotit, fjala e Zotit është e gjallë në mua.

Do ta dëshmoj atë Fjalë në të folurit dhe veprat e mia të përditshme.

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Amen.

 

Përmbyllja

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »