Mons. Eleuterio FORTINO (1938-2010): studiues i spikatur i ekumenizmit

Mar 11 • Kulturë

“Nëna Tereze dhe Imzot Nikë Prela e kanë nderuar dhe begatuar Kishën dhe Popullin Shqiptar”.

Nga Don Lush Gjergji

Më 22 shtator 2010, kaloi në amshim Mons. Eleuterio Fortino, i cili, vite të tëra ishte në dializë, për shkak të sëmundjes së veshkave. Edhe pse i sëmurë, asnjëherë nuk pushoi, gjithnjë ishte në veprim në nder të Zotit, në dobi të Kishës, veçanërisht për dialogun ekumenik mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse, si dhe në veprimtaritë baritore në kishën  “Shën Atanazi” në Romë.

Ishte një ndër studiuesit dhe ekspertët më të spikatur të Kishës Katolike për ekumenizëm.

Mons. Eleuterio Fortino u lind në San Benedetto Ullano, në Kalabri, më 2 prill 1938 nga prindërit arbëreshë (është vëllai i studiuesit dhe albanologut të njohur prof. Italo Fortino). Pas seminarit dhe studimeve filozofik – teologjike në Universitetin e famshëm të Gregorianës, më 24 nëntor 1963 qe shuguruar meshtar.

Prej vitit 1965 ka punuar me shumë zell, përkushtim dhe dashuri në Këshillin Papnor  për Bashkimin e të Krishterëve, i ftuar personalisht nga kardinali Johannes Geradus Maria Willebrands, ku ka dhënë një kontribut tejet të çmueshëm deri në vdekje.

Për Mons. Eleuterio Forino ka çka të thuhet dhe të shkruhet, mbi të gjitha për fenë e tij të fortë, shpresën e tij të qartë dhe dashurinë e tij të zjarrtë ndaj Zotit, Kishës, bashkimit të të krishterëve, dialogut ndërfetar, kulturën së tij vërtet të thellë dhe enciklopedike, për zemrën e tij të hapur për çdo njeri.

Më se 25 vite ishte Nën-sekretari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, ku është dalluar gjithnjë për të mirë, për nisje dhe studime të shumta burimore, për përzemërsi dhe urti baritore, për kërkim të vazhdueshëm dhe pa kusht të bashkimit të të krishterëve, si thoshte ai “parakusht për të jetuar fenë e krishterë dhe për t’ua dëshmuar atë të gjithë njerëzve vullnetmirë”.

Kohën e fundit qe shpërblyer me disa mirënjohje të rëndësishme, si “Rosa d’argento” (2007) për marrëdhëniet mes Vatikanit dhe Kishës Ortodokse, si dhe “Shpërblimi Arbëria” (2009) në San Dimetrio Corone.

Këto ditë në shumë mjete pamore dhe dëgjimore bëhet një lloj “bilanci” për jetën dhe veprimtarinë e tij shumëdimensionale, dhe të gjithë, pa dallim, nga përkatësia fetare, pikëpamja kulturore, qëndrimet botëkuptimore, janë të njëzëshëm në këtë vlerësim: Mons. Fortino ishte “Shpirti, zemra dhe motori i ekumenizmit të Kishës Katolike në dekadat e fundit”.

Në një nga intervistat e fundit, ai kishte thënë kështu: “Dialogu i dashurisë na ndihmon që në tjetrin ta shohim vëllaun tonë dhe në anën tjetër i shkarkoi çështjet doktrinore nga ngarkesat e llojllojshme…”.

Mons. Fortino ishte shumë i frytshëm edhe në shkrime dhe botime, duke u nisur prej “L’Osservatore Romano” e përditshmja zyrtare e Selisë së Shenjtë, e deri te revistat apo gazetat më prestigjioze italiane dhe evropiane. Stili i tij i thjeshtë dhe i rrjedhshëm, qartësia e tij në formulimin e mendimeve, shqyrtimeve, këndvështrimeve, shpirti i tij gjithnjë pozitiv dhe konstruktiv, dëshira e madhe për takime, afrime dhe bashkëpunime, janë disa nga veçoritë e botimeve të tija.

Një kapitull i veçantë, është veprimtaria e tij për kultivimin dhe promovimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqipe ndër Arbëreshë dhe më gjerë, të cilën vazhdimisht e pat në mend dhe në zemër. Ishte themelues i Qendrës dhe Fletushkës “Besa” në Romë, bashkëpunëtor i rregullt në “Oriente cristiano”. Ka botuar “Liturgjia greke” (1970), “Kisha bizantine arbëreshe në Kalabri” (2000), “Dialogu ekumenik”… Kishte themeluar dhe udhëhequr që nga viti 1966 Rrethin Besa – Fede.

Një ndër miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë prof.  Domenico Morelli thotë: “Nuk është gjë e thjeshtë t’i përkujtoj më tepër se 40 vjet të kaluara afër Mons. Fortino-s në Shën Atanasi… Fletushka Besa – Fede është botuar rregullisht nga viti 1984… Si i përket ligjëruesve kanë marrë pjesë letrarët ndër më të njohurit shqiptarë dhe arbëreshë: Ernest Koliqi, Giuseppe Schirò, Giuseppe Gradiglione, Italo Fortino, Edmond Çali, Visar Zhiti, Pjetër Arbnori, Arshi Pipa, Giuseppe Schiro Di Maggio… Figura e tij e përfaqësuar në Vatikan ishte pikë referimi më i lartë të Arbëreshëve, krenarë për ndikimin e tij të padiskutueshëm”.

Kardinali Kasper, ndër të tjera ka thënë për të: “Ishte një njeri i shenjtë, bujar dhe thellësisht i mirë. Dinte të dhuronte gëzim edhe gjatë tri ditëve të javës kur duhet t’i nënshtrohej dializës. Gëzimi i krishterë ishte stili i jetës së tij… Ishte njohës i mirë i teologjisë ortodokse”.

Vdekja e Mons. Eleuterio Fortino-s ishte humbje e madhe për Arbëreshët, për Shqiptarët, për Kishën Katolike në botë. Ja vetëm një shkrime dhe vlerësime për jetën dhe vlerësime nga Papa  në dorëheqje Benedikti XVI nëpërmjet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. “Pasi morëm lajmin për vdekjen e fort të nderuarit Imzot Eleuterio Francesco Fortino, nënsekretari i Sekretariatit  të Këshillit Papnor për promovimin e Bashkimit të të Krishterëve, Shenjtëria e Tij Papa ua beson detyrën që t’ua shprehni ngushëllimet familjarëve të të ndjerit, ndërsa e përkujton me shpirt falënderues angazhimin e tij bujar që e ka bërë me mençuri dhe përkushtim në shërbim të bashkimit dhe vëllazërimit mes nxënësve të Zotërisë…”. ( Kardinal Tarcisio Bertone, ish-Sekretari i Shtetit të Vatikanit).

Do ta përfundoj këtë shkrim mbi Mons. Eleuterio Fortino me disa kujtime të mia personale. Së pari, e kam takuar në Romë, qysh në vitin 1968, në kremtimin e përvjetorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe prej asaj dite ishte dhe do të mbesë Vëlla-Meshtar shembullor, Njeri i Fesë dhe Kulturës Shqiptare, mikpritës dhe bujar në çdo kuptim dhe drejtim.

Mirësinë, mikpritjen dhe dashurinë e tij dhe të familjes së tij e kemi përjetuar dhe shijuar qysh si student te “Propaganda Fide”. Monsinjor Fortino, na kishte ftuar dhe mundësuar që Javën e Madhe ta kalonim në Kalabri, ndër Arbëreshë, për t’i përjetuar ritet e shenjta lindor – bizantine dhe në gjuhën shqipe; shenjë kjo e begatisë dhe ruajtjes së traditës shpirtërore, kulturore dhe liturgjike dhe kombëtare.

Çdo vizitë që e bënte Imzot Nikë Prela në Romë, në Vatikan, pikënisja e këshillimeve ishte Mons. Fortino. Çdo festim fetar, kishtar, liturgjik, por edhe kulturor kombëtar, po ashtu nismëtar dhe organizator ishte ai, si njeri që rrezaton mirësi, besim, komunikim, që frymëzonte çdo njeri për veprim, apo thënë në terminologjinë e Nënës Tereze, e “jepte dhe e nxirrte nga çdo njeri pjesën më të mirë të vetvetes”.

Vite të tëra ishte përkrahës dhe bashkëpunëtor i çmuar me revistën tonë fetaro-kulturore “DRITA” si dhe me botimet tona. Më kujtohen recensionet e tija  shumë të qëlluara në “L’Osservatore Romano” për librin e Dr. Don Gaspër Gjinit, “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekujve”,  “Bibla” komplete në gjuhën shqipe, për X vëllimet “Kisha dhe historia e saj”,  “Nëna jonë Tereze”, “Atenagora, Profet i bashkimit”, “Nëna e Dashurisë” e shumë të tjera.

Në një letër nga viti 1985, ndër të tjera shkruante kështu: “Kam marrë dje dy vëllimet e katekizmit V dhe VI… Problemi i parë i sotshëm është ai i trashëgimit të besimit gjeneratave të reja me themele të patundshme dhe me fuqi shpirtërore. Vura re me hare se ti përdoron mirë temat biblike po edhe traditën kulturore shqiptare si lypen sod metodi i ungjillëzimit… Puna e mbarë për vëllimet e tjerë…” (Romë, 5 nëntor 1985).               

Mons. Eleuterio Fortino, çmonte çdo njeri, çdo punë, çdo botim, veçanërisht botimet fetare me tipare dhe kulturë  shqiptare të krishterë. Lartëpamja e tij rreth riungjillëzimit në Kishë dhe në botë,  sidomos ndër ne, ishte një ndër pikat kryesore të jetës dhe shërbimit të tij meshtarak.

Atë e patëm derë dhe dritare, për të parë dhe hyrë në qarqet e larta të Vatikanit, të Italisë dhe më gjerë, si për çështje kishtare, po ashtu edhe kombëtare dhe kulturore. Gëzohej me zemër për çdo nisje, hap, sukses tonë, dhe na përkrahte gjithnjë për të mirën e përbashkët.

Për Nënën Tereze, ndër të tjera, më shkruante kështu: “Nëna Tereze është përfaqësuesja më e mirë e krishterimit tonë shekullor, e traditës dhe kulturës sonë familjare dhe shoqërore, mirësisë dhe dashurisë flijuese për të gjithë… Në të çdo njeri, aq më tepër çdo shqiptar, mund dhe duhet ta gjejë kuptimin e jetës dhe flijimit, domethënien e vuajtjes dhe amshimit…”

Për botimin “Lule për Nënën”, Drita, 1986, botimi italisht “Madre Teresa e le sue radici” (Nëna Tereze dhe rrënjët e saja), ndër të tjera Mons. Fortino shkruante: “Specifika e këtij botimi është “koraliteti” shqiptar: poetët, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kompozitorët, shqiptarë nga Kosova dhe pjesët tjera të Jugosllavisë, të mërgatës në botë, të Arbëreshëve të Italisë. Shumë prej tyre janë besimtarë katolikë, ortodoksë, myslimanë, por edhe jofetarë… Të gjithë kanë gjetur frymëzim për krijimtari dhe për të qenë së bashku njëri me tjetrin… si kontribut i vërtetë që një bijë e popullit shqiptar i dhuron qytetërimit botëror. Një qytetërimi që lypset arritur.”  (Besa – Fide, Roma, shkurt 1988, fq. 4-6).

Disa muaj para vdekjes, ia dërgova botimet :”Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë”, “Nëna Tereze, dashuria në veprim” dhe “Imzot Nikë Prela, Njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit”, në gjuhën shqipe dhe italishte. Më falënderoj përzemërsisht dhe vëllazërisht për këto dhurata, si u shpreh ai “shumë të çmuara dhe të qëlluara për ne Shqiptarët, por edhe për të tjerët”. Dhe vazhdoi: “Kisha jonë, populli ynë ka nevojë për paraqitje sa më dinjitoze. Nëna Tereze dhe Imzot Nikë Prela e kanë nderuar dhe begatuar Kishën dhe Popullin Shqiptar…”

Ja, i tillë ishte Monsinjor Fortino, njeri që nga goja dhe zemra gjithnjë derdhte dhe dhuronte urti, mirësi, mbi të gjitha dashuri.  Pushoftë në paqe dhe ndërmjetësoftë për ne!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »