(Para)gjykimet pengojnë njohjen e mirëfilltë

Mar 11 • Meditimi i ditës

11 mars 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 2,1a.12-22; Ps 33; Gjn 7,1-2.10.25-30)

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës ndërsa jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i të marrit frymë, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

 

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Gjn 7,1-2.10.25-30

 

1 Pastaj Jezusi vazhdoi të përshkojë Galilenë.

Nuk donte të shkojë në Jude, sepse judenjtë e kërkonin për ta vrarë. 2 Ishte afruar festa e judenjve, ajo e Tëbanave.

10 Pasi shkuan vëllezërit e tij në festë, shkoi edhe ai, jo ballafaqe, por si fshehtazi.

25 Atëherë disa jerusalemas thanë:

“Po a nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? 26 Dhe ja, ky po flet ballafaqe dhe askush s’po i thotë gjë! A thua mos pranuan edhe krerët se është Mesia? 27 Por këtë e dimë se prej nga është e, kur të vijë Krishti, askush s’do ta dijë se nga është.”

28 Atëherë Jezusi, që po mësonte në Tempull, foli me zë të lartë:

“Po, ju më njihni

dhe e dini se nga jam!

E pra, unë nuk erdha prej vetvetes:

por është Një i Vërtetë që më dërgoi,

të cilin ju s’e njihni.

29 Unë e njoh Atë,

sepse jam prej tij

dhe Ai më dërgoi.”

30 Që atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij.

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

    – Me festën e Tëbanave festohej endja dyzetvjeçare hebraike nëpër shkretëtirë. Jeta është projektuar si një udhëtim i ynë kah Toka e Premtuar: tani jemi duke përjetuar egërsinë dheshkretëtirën.

–  Njerëzit mendonin se e dinin se kush është Jezusi dhe prej nga ai vinte. Shpejt e shprehim gjykimin tonë mbi të tjerët pa e kuptuar se sa shumë na verbojnë kufizimet tona për të mosparë të vërtetën në lidhje me ta.

– O Zot, hapi sytë e mi sot për të parë të pavdekshmen, njerëzit e jashtëzakonshëm me të cilët jetoj përditë. Dhe bëj që në dritën e duhur ta shoh veten time.

 

Bashkëbisedimi

 

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë

në marrëdhëniet e mia me njerëz të tjerë.

Bëj që me kujdes ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përmbyllja

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »