Të falur prej Krishtit plotë mëshirë dhe dashuri

Mar 11 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela V e Kreshmëve (C)

 

Leximi parë Is 43, 16-21

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det, shteg kalimi në ujëra të tmerrshme; që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e kreshnikë se bashku; rrah ranë vdekur, kurrë më s’do të ngriten, u fikën si fitili, u shqimën.
Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar, ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shretëtirë, e shtigje në vend të shkretë. Egërsirat do të më japin lavdi çakajt edhe strucat, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që t’i japë ujë popullit, të zgjedhurit tim, popullit që e trajtova për vete dhe që mua do të më japë lavdi.
Fjala e Zotit

 

Psalmi 126

Ref. Punë të mëdha bëri Zoti për ne.
————————————————-
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
—————————————————
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
—————————————————
Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
—————————————————
Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
—————————————————–

 

Leximi dytë Fil 3, 8-14

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, unë çmoj gjithçka si dëm në krahasim me më të madhen të mirë: me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të – jo me drejtësinë time – me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe – që ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e tija, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve. Jo sikurse t’ia kisha arritur, as sikurse të isha bërë i përsosur, por vrapoj qeë, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus. Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus.

 

Fjala e Zotit
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Nuk e dua vdekjen e mëkatarit, thotë Zoti, po që të kthehet e të jetojë.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

+Ungjilli Gjn 8, 1-11

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.
Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!” Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm – dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis. Jezusi u drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri!” – përgjigji ajo. “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Një grua kishte bërë një mëkat të rëndë e të turpshëm. Mëkati i saj ishte thyrje e kurorës, i cili sipas zakoneve të atëhershme dënohej me vdekje – vrasje me gur. Për ne sot ky dënim është shumë i rëndë (i rreptë), por për atë kohë ky lloj dënimi kondisedohej të ishte normal. Kundërshtaret e Krishtit kërkuan që këtë rast ta dënoj vet ai dhe të renditet me ta për ta dëmuar. Jezusi pasi i pa qëllimet e errëta të tyre, të pranishmëve ju drejtua me këto fjalë: “Cili është prej jush pa mëkate, le ta gjuaj i pari me gur”. Ata njëri pas tjetrit heshtazi filluan të largohen prej saj. Atëherë kur u larguan të gjithë, Jezusi ju afrua mëkatares dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoj?”(Gjn 8,11) – Ajo u përgjigj: “Askush Zotëri” – As unë nuk po të denoj – i tha Jezusi shko, por mbas tashit mos mëkatno më.
Mund vetëm ta paramendojmë gjendjen e kësaj gruaje para një turme burrash e “zbatuesish” të ligjit? Shkandull publik! Sikur gjithçka kishte mbaruar për jetën e saj – e pritte vetëm ekzekutimi.
Po të mos ishte prania e Jezusit, gjithçka do të merrte kahje të errët. Por aty ku është Zoti, aty është e pranishme edhe falja dhe mundësia për një jetë të re.
Këtu ne e shohim të prekshme mëshirën e madhe të Shëlbuesit, i cili ka ardh në këtë botë për t’i kërkuar dhe shpëtuar mëkataret. Kjo mëshirë e Zotit është ndjerë përngjatë shekujve dhe do të na përcjell edhe gjatë shekujve që do të vijnë.
Faljen e mëkateve Zoti e bënë përmes sakramenteve të shenjta, posaçërisht përmes rrëfimit, gjatë të cilit na falen mëkatet, bazuar ne fjalët e Shëlbuesit kur na thotë: “Shko në paqe. Tu kanë falë mëkatet, mos mëkatno më”. Për këtë dhuratë të sakramentit të pajtimit ose të rrëfimit, duhet që Jezusin ta falenderojmë pa masë. Ky sakrament është ilaç shërimi i dobësive tona. Ata të cilët thonë se do të ishte shumë ma mirë që mos të rrëfehemi, ata nuk din për çka flasin.

Për ne nuk do të ishte mirë sikur se të mos kishim mjek ose ordinanca, për të na zbuluar dhe mjekuar sëmundjet tona. Shkrimtari i madh anglez Chesterton në ditarin e vet personal shkruan kështu: “Me pyetën përse jam bërë katolik. Unë atyre ju kam përgjigjur kështu: për tu liruar prej mëkateve të mia… Nëse për mëkatin e bërë vërtetë pendohemi dhe të njëjtin e rrëfejmë atëherë ai mëkat është larguar nga kjo botë, dhe mëkatari mund të fillojë një jetë të re sikurse kurrë të mos kishte bërë mëkat. Kur katoliku kthehet nga rrëfimi, me plotë kuptimin e fjalës mund të themi se ai përsëri mund të vazhdoi një jetë të re, sepse e din se Zoti tek ai e ka përtërirë prapë fytyrën e tij dhe ja ka dhënë rastin për të jetuar i lumtur. E kaluara më nuk e frikëson. E di se ai ka rilind përsëri dhe se ka filluar prapë një jetë të re, sikurse të kishte pesë minuta porsa kishte lindur…”

Në janar të viti 1959, në Londër vdiq nga sëmundja e zemrës Denis Hamilton, me profesion kinoproducent. Deri në moshën 34 vjeçare kur u sëmur rëndë, rinin e vet kishte kaluar në mënyrë të shfrenuar. Ishte shumë i pasur kështu që vetes ja plotësonte të gjitha dëshirat. U martua me artisten Diana Dorisi, por lumturia e tyre martesore zgjati pak. Së shpejti u ndanë. Pasojë një periudhë plotë vuajte nga sëmundja. Deri sa qëndronte i shtrirë në shtrat në spital, aty pa raste të ndryshme sëmundjesh. Mendonte në vete; përse njeriu në tokë ka pak ditë të lumtura duke menduar edhe për vete. Një ditë e thirri priftin katolik për të biseduar për këtë gjë, për ta pyetur se çka e mundon shpirtin dhe ndërgjegjen e tij. Pasojë e të gjitha këtyre tundimeve ishte se ai që moti ishte larguar nga kisha dhe urdhërimet e Zotit. Ajo që e shtyri më së shumti për të kërkuar ndihmën e kishës ishte, siç thoshte vëllau i tij Rolandi, se në kishën katolike mund të rrëfehen të gjitha mëkatet e bëra dhe pas rrëfimit mund të fillonte një jetë të re.

Ja pse rrëfimi është fshehtësia e mrekullueshme e faljes dhe pajtimit. Rrëfimin e ka themeluar Krishti; në kryq Ai ka shtrirë duart për të na përqafuar dhe për të na i falur mëkatet. Jezusi duke e flijuar vetveten në kryq na i fali mëkatet tona. Pra, rrëfimi për Krishtin është mënyra më e përshtatshme për faljen e mëkateve tona. Për këtë arsye edhe apostujve u tha kështu: “Atyre që ua falni mëkatet do tu falen, e atyre që nuk ua falni nuk do tu falen”. Këtë dhuratë të Zotit duhet ta çmojmë me dinjitetin më të lartë. Nëse këtë gjë deri tash nuk e kemi bërë atëherë prej tash ta fillojmë ta bëjmë, që të mund t’i dëgjojnë fjalët e Krishtit – shko në paqe, mëkatet të janë falur, por mos mëkatno më. Unë po t’i fali mëkatet tua në emër të Atit, Birit e Shpirtit Shenjt – kështu thotë meshtari në sakramentin e pajtimit, duke i përsërituar fjalët e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Të krishterët e kanë praktikuar rrëfimin apo pajtimin gjatë tërë shekujve të historisë së Kishës, e praktikojnë edhe sot, ata të devotshmit, e bëjnë të gjithë që besojnë në mëshirën e Zotit dhe në falje, sepse të jetosh i pastër në shpirt është mrekulli që të jep kuptim dhe jetë të mirë me Zotin dhe me vetveten.
Në këto ditë të kreshmëve, ta shfrytëzojmë rastin ta bëjmë një rrëfim të mirë e ta përjetojmë faljen dhe paqen e Zotit, që me zemër të pastër të festojmë dhe t’i gëzohemi festës së madhe të Pashkëve. Pa pajtim me Zotin dhe pa pajtim me vetveten s’ka kremtim, s’ka festë, s’ka gëzim pashkvor.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, të nxitur nga Fjala e Zotit që e dëgjuam, t’ ia drejtojmë lutjet tona Atit tonë qiellor që në Krishtin Birin e Tij na e dhurojë shëlbimin. T’i themi së bashku:

Dëgjoje, o Zot lutjen e popullit tënd!

– Për Kishën tënde, e rilindur në gurrën e Pagëzimit, bëj që me vepra pendese ta pastrosh dhe ta ripërtërish, që në këtë kohë të shenjtë të kreshmëve të përgatitet sa më mire për festën e Pashkëve, të lutemi:

– Për të gjithë ata që kanë përgjegjësi në Kishë, në shtet dhe në botën mbarë, bëj që t’i ndriçoj Shpirti yt i shenjtë që të punojnë dhe veprojnë për të mirën e të gjithëve, të lutemi:

– Për të gjithë ata që janë të nëpërkëmbur dhe të përjashtuar nga shoqëria për shkaqe të ndryshme, bëj që të mos t’u mungoj ndihma e njerëzve vullnetmirë për një jetë dinjitoze, të lutemi:

– Për të gjithë ata që me mëkate janë larguar nga Ti dhe Ligjet e tua, o Zot, bëj që të kenë hirin tënd për të kërkuar e për të gjetur rrugën e kthimit, të pendimit dhe bashkimit me Ty dhe Kishën, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm, bëj që të ngadhënjejmë mbi gjitha tundimet dhe me fuqi të fesë, shpresës dhe dashurisë, e të jetojmë në shenjtëri dhe përsosmëri, të lutemi:

– Për të gjithë vëllezërit e motrat tona të vdekura, bëj që të gëzojnë lumturinë e jetës së pasosur, të lutemi:

O Zot, Hyj plot mëshirë, dëgjoj lutjet e bashkësisë sate dhe ndihmoje që të përparojnë gjithmonë në vepra të mira, të cilat e dëshmojnë praninë tënde në botë, Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Dom Tomë Karrica

Shpërndaje

Comments are closed.

« »