Jezusi – dritë në errësirë

Mar 14 • Meditimi i ditës

14 mars 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 13,1-9.15-17.19-30.33-62; Ps 22; Gjn 8,12-20)

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

E marr me mend se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

 

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si kaloi dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Gjn 8, 12-20

 

12 Atëherë Jezusi u tha përsëri:

“Unë jam drita e botës.

Kush vjen pas meje,

nuk do të ecë në errësirë,

por do ta ketë dritën e jetës.”

13 Atëherë farisenjtë i thanë:

“Ti vetë po bën dëshmi për vetveten: dëshmia jote

s’mund të jetë e vërtetë.”

14 Jezusi u përgjigj:

“Po qe se unë bëj dëshmi edhe për vetveten,

prapë se prapë dëshmia ime është e vërtetë,

sepse e di se prej nga erdha e kah shkoj.

Ndërsa ju nuk dini

as prej nga vij as kah shkoj.

15 Ju gjykoni siç dukem përjashta,

unë nuk gjykoj askënd.

16 Por edhe në gjykoj,

gjyqi im është i vërtetë,

sepse unë nuk jam vetëm,

por unë ‑ dhe ai që më dërgoi ‑ Ati.

17 Por edhe në Ligjin tuaj shkruan:

dëshmia e dy vetëve është e vërtetë.

18 Unë dëshmoj për vetveten

e për mua dëshmon edhe ai që më dërgoi,

Ati.”

19 Atëherë ata i thanë:

“Ku është yt Atë?”

Jezusi iu përgjigj:

“Ju nuk më njihni mua as Atin tim.

Po të më njihnit mua

do ta njihnit edhe Atin tim!”

20 Këto fjalë Jezusi i foli në Thesarore, ndërsa po mësonte në Tempull, dhe askush nuk e preku, sepse ende nuk kishte arritur koha e tij.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Në ditën e parë të krijimit Zoti i kaploi qiejt dhe tokën me dritën hyjnore duke shqiptuar fjalë të fuqishme: “Le të bëhet drita”. Pa marrë parasysh se sa mund të duket e errët, ia kujtoi vetes se errësira kurrë nuk do të mund ta mposhtë dritën. I drejtohem Krishtit, Dritës së botës.

– Lus me fjalët e Shën Benediktit: “O Atë mëshirues dhe i shenjtë, na jep urti që të vërejmë ty, zell që të kërkojmë ty, durim që të presim ty, sy që të shohim ty, zemër që të mendojmë për ty dhe jetë që të shpallim ty, me fuqinë e frymës së Jezu Krishtit, Zotit tonë.”

 

Bashkëbisedimi

 

Nganjëherë e pyes veten çfarë do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllje

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »