NË STUBLLAVAQË GJURMËVE TË MARTIRËVE TË KARADAKUT

Mar 14 • Kisha në Kosovë

Mijëra besimtarë katolikë shqiptarë, nga mbarë Kosova kanë kujtuar mundimet e Jezu Krishtit, në kodrën mbi Stubëll, apo siç i thonë në plisbardhën e Stubllës, të quajtur Stubllavaqa. Këtë ceremoni, me meshën shenjte e ka hapur dhe me bekimin me kryq e ka mbyllur Vikari Gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës – Dr Dom Lush Gjergji.

 

Nga Engjëll KOLIQI

 

            Siç ishte paralajmëruar javë më parë, këtë të shtunë të 12 marsit, Stubllës ia kishin mësy besimtarët katolikë nga mbarë Kosova, të të gjitha famullive, me qëllimin e përshpirtshëm e lutje Zotit, në Udhën e Kryqit, në Kodrën e Stubllavaqës.

            Kremtimi i devotshëm filloi në ora 11:00, me meshën e shenjtë, të udhëhequr nga Vikari Gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës –Dom Lush Gjergji, në kishën famullitare të Shën Jozefit në Stubëll. Dom Lushi në predikim ndër të tjera ka thënë se duhet që secili prej nesh ta pyesim veten, sa jemi të denjë të rrugëtojmë Udhës së Kryqit, të martirizimit të Zotit tonë Krisht, për të na shpëtuar ne nga mëkati i rrjedhshëm. Duke e bërë këtë pyetje, ai na ka porositur që ta çojmë në vend porosinë e Gonxhes sonë – së Lumes Nënë Tereza, e cila së shpejti do të jetë Shën Tereza, për të kërkuar falje dhe për të falur.

1

Pamje nga mesha e shenjtë

2

            Dom Lushi nuk ka harruar të flasë për martirët e Karadakut – të Stubllës, të Binçës, të Vërnakollës e të Terziajve. Pasi ka shpieguar shkurt historinë e martirizimit të tyre, deri në Anadolli të Turqisë, martirizimin e tyre e ka krahasuar me mundimet e Jezu Krishtit në Udhën e Kryqit dhe na ka ftuar të gjithëve, që të ndjekim shembullin e tyre të besimit dhe të atdhedsashurisë së palëkundshme, edhe nëse është në pyetje jeta jonë. Ata – ka thënë Ai – kanë dhënë edhe jetën për binomin, që na e predikonte At Gjergj Fishta FE-ATDHE. Prandaj, në përfundim të kësaj meshe – tha – të gjithë bashkë po nisemi dhe po shtegtojmë, të prirë nga Kryqi, gjurmëve të martirëve, në Stubllavaqën tonë e të tyre, që e kanë pasur si simbol qëndrese, si plis të bardhë të shqiptarisë e të krishterimit tonë paqësor e të dashurisë universale.

3

Pamje nga mesha e shenjtë

4

            Sipas porosisë së Dom Lushit, janë nisur, të gjithë me gëzim – edhe fëmijë të moshës nën shtatë vjeçe, edhe pleq të moshës mbi 90 vjeçe. I tërë procesioni është zhvilluar nën ritmin e lutjeve të devotshme dhe të këngëve kishtare, speciale të kreshmeve. Megjithë pjerrtësinë e madhe të marshimit, të gjithë thonin se po ecin lehtas, pa e ndier fare lodhjen. Në fytyrat e të gjithëve vërehej një gëzim vezullues dhe një kënaqësi e madhe shpirtërore.

5

Pamje nga marshimi në Udhën e Kryqit

6

7

8

9

            I zoti i shtëpisë – famullitari Dom Albert Jakaj, në fund ka falënderuar dhe ka përshëndetur Dom Lushin, vëllezërit tjerë meshtarë pjesëmarrës, motrat e nderit, që ishin disa dhjetëra, si dhe të gjithë besimtarët pjesëmarrës në këtë përshpirtëri tradicionale që organizohet çdo vit, në kohën e kreshmeve.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »